Universiteti i Durrësit/Edhe ky vit akademik pa konvikt për studentët
Edhe ky vit akademik duket se nuk ka gjasa të zgjidhë problemin e strehimit në konvikte të studentëve të Universitetit të Durrësit “A. Moisiu”. Për shumë nga studentët e rretheve, strehimi mbetet problematik sepse realisht edhe të akomoduar në banesa me qera, çmimet e tyre variojnë nga 15000 deri 20000 lekë të reja në muaj. Shqetësimi është ngritur jo vetëm nga studentët, por edhe Rektorati i Universitetit, ku mbi 80% e tyre vijnë nga rrethe të tjera. Problemi i konviktit duhet të marrë zgjidhje pas ngritjes të kampusit universitar në vitet e ardhshme, sepse deri tani nuk janë lëvruar fondet, pavarësisht se kjo është një nga çështjet më të mprehta të rektoratit. Rektori i Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, Agim Kukeli deklaroi: “Bashkëpunimi me qeverinë dhe pushtetin lokal për këto financime nuk ka munguar, por deri tani nuk kanë bërë asgjë për zgjidhjen e tyre. Ndoshta ngritja e një ndërmarrjeje për trajtimin e studentëve duhet t’i japë zgjidhje problemit. Gjithashtu, nuk kanë munguar projektet, por nuk është dhënë një zgjidhje pavarësisht kërkesave, ndaj mungesa e auditorëve këtë vit ka sjellë që dy fakultete të këtij universiteti, i Ekonomisë dhe i Edukimit, janë transferuar në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive si dhe në shkollën e mesme “Leonik Tomeu”. Kurse Shkolla e Lartë Profesionale e Teknologjisë së Automobilave si dhe Menaxhimit të Ambientit është transferuar në shkollën e mesme “Beqir Çela” në Shkozet, ku mësimi bëhet me orare të zgjatura deri në orën 18:00”.