E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analistët: Qeveria e re greke, sdo ta ketë të gjatë

Greqia është përfshirë në një kaos politik me dorëheqjen e qeverisë Karamanlis, por a do të mjaftojë ardhja e një qeverie të re për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike? Analistë dhe pronarë biznesesh në Greqi janë tejet të shqetësuar për reformat e nevojshme ekonomike dhe zbatimin e tyre pas zgjedhjeve. Një pjesë e tyre shprehen se zgjedhjet e parakohshme vijnë në momentin më të keq të mundshëm.
Yannis Stasinopoulos “Zgjedhjet do të ndikojnë në tregje. Kjo nuk duhej të ndodhte.”
I njëjtë është reagimi i Dhomës Greke të Tregëtisë
Constantinos Mihalos, President i Dhomës Greke të Tregëtisë “Nëse nuk kemi një qeveri të fortë që mund të zbatojë politikat ekonomike të nevojshme për tregjet financiare, sigurisht që do të kemi problem dhe do të arrijmë në një pikë ku të gjitha vendet e tjera europiane do të kenë dalë nga kriza ndërsa ne do të mbetemi në vend numëro.”
Planet e qeverisë Karamanlis për të shpëtuar nga recesioni përfshinin reduktimin e shpenzimeve në sektorin publik, uljen e taksave dhe krijimin e një konkurence më të madhe në tregje, por qeveria qe tepër jetëshkurtër për t’i vënë planet e saj në zbatim. Analistët thonë se qeveria e re do të ketë nevojë për ide të reja për rritje ekonomike. Për prestigjiozen “The Economist” qeveria e re që ka shumë gjasa të jetë e socialistëve nuk do ta ketë të gjatë. Kjo për faktin se votuesit e rinj nuk kanë më besim as tek Nea Demokracia e as të Pasok dhe si rrjedhojë do të përpiqen të votojnë për parti të vogla. Por një gjë e tillë do t’i japë Pasokut një mazhorancë shumë të brishtë. Parlamenti pritet të votojë për presidentin e ri në muajin mars. Duke e pasur të pamundur për të kontrolluar shumicën, zgjedhja e kreut të shtetit duket e vështirë. Atëherë e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e reja të parakohshme çka do e lënë Greqinë jo vetëm në një krizë ekonomike por dhe kaos politik afatgjatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›