Analistët autodidaktë; rreziku publik nr. 2
Pas kthimit tim nga studimet në Zvicër, më ftuan për herë të parë në një studio televizive. Flitej mbi një çështje të rëndësishme si statusi i Kosovës. Regjisori i emisionit, ndërsa më ndihmonte të vendosja mikrofonin, më pyeti qetësisht; si të të prezantojmë në titra?
U zura ngushtë. Çfarë isha unë? Në fakt, e njihja mjaft mirë çështjen e Kosovës, e kisha studiuar atë me themele në Gjenevë, kisha lexuar me qindra faqe nga një bibliografi mjaft e pasur në bibliotekat e këtij qyteti. Por, megjithatë, atë moment dhe nuk dita veçse t’i them; “vër çfarë të duash”…
Kur regjistrimi përfundoi, gruaja ime që po ndiqte direkt emisionin, me të qeshur më thotë; “bravo, tani ti je një analist dhe më shpjegoi se në titra, poshtë emrit tim, ishte shkruar pikërisht ashtu; analist.
Unë tashmë isha një analist? Më vinte për të qeshur se sa lehtë mund të bëheshe diçka në Shqipëri. Janë vitet e një “revolucioni” të çuditshëm. Mund të ishe ngrysur një mësues i thjesht matematike në lice, dhe dielli i mëngjesit mund të të gjente ministër të Jashtëm. Mund të kishe qenë roja i një shkolle nate dhe befas ta gjeje veten “mjekun” më popullor të vendit, një elektricist pararojë dhe ja, sot, mund të udhëheqësh besimtarët, në një nga fetë e vendit. Dhe ndoshta më lehtë se gjithçka, mund të transformoheshe në analist. Dhe jo analist çfarëdo, pra jo një ekspert-kërkues “thellësish” në fushën përkatëse, por një mjeshtër, njohës i palodhur “cektësish” në sa më shumë fusha të mundet.
Rreziku i një fenomeni të tillë është padyshim i madh. Sidomos dy arsye e bëjnë atë të tillë; padija (si mungesë njohjeje dhe kompetence në profesionin e ri) e “profesionistëve” të tillë dhe padija aq e përhapur në shoqërinë tonë. “Mishela” është padyshim eksplozive. Por edhe pse dukuria është e njëjtë, dëmet që i vijnë shoqërisë nga raste si ata të sipërpërmendur, nuk janë të njëllojtë. Sidomos, dallojnë nga perceptueshmëria publike ndaj tyre. Në përgjithësi, një “mjek” i tillë, shpejt a vonë kuptohet nga njerëzit dhe në fakt, dëmi i tij është lehtësisht i matshëm dhe në përgjithësi mund të godasë një numër relativisht të vogël individësh. E kundërta ndodh me analistët tanë, e kam fjalën për ata autodidaktë. Dëmi është shumë herë më i madh, duke përfshirë një popullsi të tërë. Duke e çorientuar atë, nën veprimin e një opinion publik të ndërtuar në kushtet shqiptare, fryt i një injorance kurajoze të tyre. Por ç’është më e keqja, për arsye që dihen, veçse një pjesë e papërfillshme e popullsisë, pra profesionistët e vërtetë, mund të arrijnë të perceptojnë qoftë falsitetin e këtij produkti “postdiktatorial”, qoftë dëmin, qoftë pasojat që e pasojnë. Pjesa tjetër, për fat të keq, e ka të pamundur. Sidomos, për këtë të fundit, ia vlen të ndalemi më gjatë, për të shpjeguar ç’ndodh dhe ku qëndron dëmi...
Kështu, sipas një këndvështrimi hegelian, shoqëria është e ndarë në dy hapësira të njohura, ajo civile dhe ajo politike. E para është “zona” e interesave private, e aktiviteteve të gjithë secilit, të konflikteve dhe paqes individuale. E dyta është hapësira e politikës, e institucioneve publike, e shtetit. E dyta lind dhe krijohet nga e para, pikërisht për ta udhëhequr atë. Dhe kjo, me kohë, për arsyen e thjeshtë; “populli për veten e tij do gjithmonë më të mirën, por vetveten ai nuk e sheh dot gjithmonë”. “Ja pra, nga lind, nevoja për një legjislator”. Për një udhëheqës, apo më mirë, për një hapësirë politike, për ta bërë më të thjeshtë Jean-Jacques Rousseau-në, të cituar më sipër. Me kohë, këto hapësira “përqafojnë” tendencën për ndarje dhe largim nga njëra-tjetra, duke i dhënë fill e jetë një orientimi mjaft të rrezikshëm për demokracinë. Atë të humbjes përfundimtare të pushtetit nga qytetarët.
Në një demokraci përfaqësuese, duke u mjaftuar me votën e dhënë njëherë në disa vite, qytetarët nuk mundet të jenë më “prodhuesit” e vullnetit të përgjithshëm. “Ata nuk mund të flasin dhe as të veprojnë, veçse përmes përfaqësuesve të tyre”, sikurse thotë Sieyes-i.
Zgjidhjen e një situate të tillë, produkt sui generis i mandatit përfaqësues, e gjejmë në zhvillimin dhe konsolidimin e një hapësire të tretë (Habermas), që rritet dhe zhvillohet në mes dy të parave, hapësirës civile dhe asaj politike: hapësirës publike. Kjo e fundit është vendi në të cilin, nëpërmjet shoqërisë civile, shoqatave, lëvizjeve sociale, mass-mediave, merren dhe filtrohen idetë që lindin dhe formësohen në hapësirën civile. Dhe nuk mbaron me kaq. Në këtë “kantier publik”, idetë e mësipërme i nënshtrohen debatit dhe konfrontimit publik, duke u shndërruar në kohë, në një opinion publik mbizotërues. Për t’u transformuar diku më pas, natyrisht, kur demokracia funksionon normalisht, në propozime normative konkrete për hapësirën politike, institucionet e saj. Sikurse kuptohet, në një demokraci normale, hapësira publike është jo thjesht dhe vetëm “arena” ku formësohet vullneti i përgjithshëm i shoqërisë. Ajo është, pa dyshim, vendi ku zhvillohet demokracia, ku lind, formulohet dhe zhvillohet e vetmja “armë” në duart e qytetarit, përveç asaj të votës, pra opinioni publik. Vendi në të cilin, çdo shqetësim apo dëshirë individuale mund të shndërrohet në qëllim publik. Dhe pra, e vetmja mundësi për qytetarin, për të mbajtur nën fre përfaqësuesit e tij, të cilët, edhe kur janë shembullorë, tundohen deri në “vdekje” për të marrë vendime për interesa politike personale, paçka se më pas, për hir të vetë sistemit, konsiderohen si shprehje të vullnetit të përgjithshëm. Dhe së fundi, e vetmja mundësi për të formuluar dhe njëkohësisht imponuar agjendë për hapësirën politike.
Si e tillë, ajo është fusha e betejës sociale, e kundërthënies, e përplasjes së interesave nga më të ndryshmet, të cilët konvergojnë në një pikë; formimin e opinionit publik. Pas këtyre interesave qëndrojnë kolektivitetet e qytetarëve, politika e të gjitha krahëve, shoqëria civile. Në fund bekimin e jep mass-media, e cila luan një rol të pazëvendësueshëm.
Në Shqipëri, jemi ende larg një zhvillimi të tillë. Tashmë, largësia gjithmonë në rritje, midis qytetarit (hapësirës civile) dhe politikës (hapësirës politike) është një fakt i jetuar dhe konstatuar nga të gjithë. Hapësira mes tyre, pra hapësira publike është ende e paformësuar dhe ende nuk njihet vlera e saj. Mungojnë në të një numër aktorësh, që do t’i jepnin jetë asaj. Mungojnë sindikatat në mënyrë të frikshme, mungon shoqëria civile, e dobët, pa forcë e monopolizuar në disa qendra të vetme, me ndihmën edhe të donatorëve. Mungojnë grupet e interesit, sikurse nuk përfaqësohen komunitetet e qytetarëve. Pasoja kuptohet, një opinion publik i njëanshëm, formuluar veçse nga media dhe politika. Në pjesën më të mirë, totalisht larg jetës së qytetarit dhe shtyrë nga agjenda krejt të tjera. Dhe, në mass-media, kontribuuesit kryesorë në formulimin e këtij opinioni, mbeten padyshim më kryesorët ata, analistët tanë. Në emisione me audiencë të madhe, me opinione dhe analiza në shtypin e shkruar, në edicionet informative, ata janë ndërtuesit e vetëm, përveç politikës të opinionit publik shqiptar. Një pjesë e tyre e dinë këtë. Por kjo ka pak rëndësi, sepse edhe ata që nuk janë akoma të ndërgjegjësuar, e kryejnë këtë rol. Të gjithë e kryejnë për arsye nga më të ndryshmet. Dikush për një rrogë, dikush për një kapërcim në hapësirën tjetër, pra atë të politikës, dikush se është i bindur se mund të kontribuojë për këtë vend, dikush për interesa të të tjerëve, dikush për veten dhe familjen. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. E keqja qëndron, në fakt gjetiu, pra jo në përzgjedhjen e këtij roli, por në mënyrën sesi realizohet ai. E thënë ndryshe, analistët tanë, sado të stërvitur dhe elokuentë të mund të jenë në gjuhën e tyre, janë në përgjithësi njerëz pa arsimin përkatës. Dhe sa më evidente bëhet kjo, aq më e çuditshme ngjan dëshira e shumicës prej tyre, për t’u shpërndarë e dhënë opinion në fusha gjithmonë e më të largëta për njohuritë e tyre. Për tu admiruar për guximin e tyre, shumë prej tyre, marrin jo rrallë përsipër detyra me të vërtetë “heroike”, të cilave një profesionist i vërtetë do t’u druhej. Të flasësh nesër për ndërlikimet ndërkombëtare të Kosovës, pasnesër për statusin e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa dje je shprehur për arsyet e krizës financiare botërore, ndërkohë që përgjatë gjithë javës, nuk përsërit veçse implikimet që mund të sjellë heqja e imunitetit të gjykatësve, në ndarjen e pushteteve, kjo kërkon padyshim një kurajë të madhe, sado i pafund të ishte leximi i bibliografive përkatëse. Në fakt, vetëm një guxim mund të të shtyjë që qetësisht të marrësh një rol të tillë, ai i paditurisë. E asaj paditurie aq të këndshme dhe gazmore përreth tavllës së mbushur tej e tej, në kafenetë luksoze e plot hare, por dhe aq të rrezikshme nga ana tjetër, në atë rol aq të rëndësishëm në brendësi të asaj hapësire, të cilën pak më lart e quajtëm hapësirë publike. Pikërisht aty ku lind dhe merr formë opinioni publik. Për arsye nga më të ndryshmet, për qëllime që gjithashtu variojnë, herë në krah të politikës, apo më saktë të krahëve të saj e herë kundër saj apo tyre, të pashqetësuar nga “poshtë”, ata formësojnë dhe shpërndajnë në eter opinionin publik shqiptar, i cili, në të shumtën e rasteve, është totalisht larg agjendës qytetare.
Pikërisht këtu qëndron dëmi i madh, që prek pothuajse krejtësisht popullsinë e këtij vendi, por që paradoksialisht, nuk kuptohet nga kjo e fundit. Me mungesën e njohurive të thella, në të gjitha fushat në të cilat ata krijojnë debat, ata formësojnë një opinion publik jo real dhe çorientues për qytetarin e paditur dhe të mënjanuar të këtij vendi. Dhe ç’është më e rrezikshmja, duke e larguar atë akoma më shumë nga ky mekanizëm demokratik, aq jetik për mbarëvajtjen e këtij sistemi. Duke u shndërruar kështu, për të gjitha arsyet që përmendëm më lart, në “rrezikun” publik nr. 2. Sepse për të njëjtat arsye, nr. 1 mbetet politika autodidakte.