Analistë apo eseistë? CILËT ANALISTË NA DUHEN?
HyrjeNë librin e tij të ri “Ngrirja e Demokracisë”, Igli Totozani shkruan: “Shoqëria shqiptare është ende më shumë policeske se demokratike, më shumë kurioze se aktive, më shumë spektatore se mbrojtëse e mendimit ndryshe…”. Unë do të shtoja edhe një tipar tjetër, që besoj e kemi vënë re të gjithë nga pak: “Shoqëria shqiptare është më shumë teatrale se realiste”.
Prej këtu, dua të shkoj tek thelbi i asaj që dëshiroj të ndajmë bashkë. Gjatë këtyre 10 viteve të mia të punës me faqet e komenteve në “Shekulli”, kam pasur rastin të njoh dhjetëra komentues të të gjitha kategorive: prej atyre që me opinionin rrojnë e që opinion-bërjen e kanë profesion, e deri tek ata që opinionin në media e kanë thjesht një “detyrim” shtesë në profilin e tyre publik. Janë të gjithë miq e kolegë, por kjo nuk më pengon t’u them shpesh:
Ajo që kam vënë re me keqardhje, është se opinionistët që kanë rezultuar më të suksesshëm në përballjen me publikun shqiptar, në fakt nuk janë analistë. Disa prej tyre, dhe këtu hyjnë edhe disa që sot janë ikona të opinion-bërjes në Tiranë, janë në rastin më të mirë eseistë të shkëlqyer, por jo analistë. Ata prekin zemrat, por jo mendjen.
Ne kemi shumë eseistë. Dhe pak analistë. Këtë handikap të madh, media, sidomos ajo e shkruar për nga vetë natyra që ka, vazhdon ta vuajë ende edhe sot.
Për ta thelluar disi konceptin, po marr një shembull nga SHBA-ja. Kur zhvillohej diskutimi publik për çështjen e ndërhyrjes amerikane në Afganistan e Irak, pas 11 shtatorit, shkrimtari i njohur Paulo Coelho, publikoi një letër të hapur për Presidentin Bush, letër që bëri xhiron e botës dhe u përkthye nga gazetat më të mëdha të globit. Letra titullohej me ironi: “Faleminderit Presidenti Bush”.
Coelho ishte një nga kundërshtuesit e flaktë të luftës. Letra e tij ishte e mrekullueshme. Ai tekst cit me metafora, preku miliona njerëz në mbarë botën.
Replika nuk erdhi nga një shkrimtar, por nga një ekonomist; James Hamilton. Në tekstin e tij, pa metafora, ai shkruante:
“… Zoti Cuelho, shkrimtar i adhuruar dhe i lexuar. Të jam mirënjohës për orët e kënaqësisë që më ke dhënë me fiction-et tuaja, gjë që më bëri ta këndoja me interes letrën tuaj të hapur. Nuk ka dyshim, se avazi që ju këndoni bën jehonë në të gjithë globin. Dhe tani, zoti Cuelho, dua t'ju them se shpërthimi juaj më i fundit përfaqëson një mundësi të mirë që ju ka ikur duarsh, një mundësi që – duke pasur parasysh atë që po e quaj influencë e eminencë tuajën,sjell një rrezik për dhjetëra milionë lexues tuajit. Letra juaj e hapur me titull, "Faleminderit, Presidenti Bush", është një kallauz i rremë për këta lexues. Impulsi i njëmendtë i kësaj letre, d.m.th., dënimi i verbër, më sjell në mendje një letër tjetër të hapur, të shkruar gati një shekull më parë në mbrojtje të një njeriu tjetër të dënuar gabimisht. (është fjala për një tjetër kryevepër të fjalës - të famshmen “J’accuse” të Emil Zolasë- shënimi im).
Epo, zoti Cuelho, nuk e ka keq ai që ka thënë se historia përsëritet, por ndërsa herën e parë është një tragjedi, herën e dytë është një komedi…
…Juve, zoti Cuelho, shisni lirë emocione e paragjykime mendjeshkurtra, si të ishin analiza të arsyeshme. Ju i lini lexuesit tuaj gjithmonë e më të paqartë mbi këtë botë që ne të gjithë duhet ta ndryshojmë. Letra juaj është, përveç të tjerash, një akt i një papërgjegjshmërie të madhe…
…Ashtu si një gjigant tjetër i letërsisë, i cili është po aq i madh sa ju, Mark Twain, unë them: "Ne të gjithë nuk reshtim së ndjeri, dhe nuk reshtim gjithashtu duke i marrë këto ndjesi si mendime të thella". Të ngatërroni ndjenjat tuaja të holla me mendimet e thella, zoti Cuelho – pikërisht kjo i bën një shërbim shumë të keq mendjes suaj të thellë…”
Dhe Hamilton, nuk ishte një përkrahës i Bushit. Përkundrazi, ai akuzonte ata që me “papërgjegjshmërinë e demonstruar, lejuan axhamiun e njollosur George W. Bush të merrte postin më të lartë të botës”, të njëjtët që (citoj sërish mes thonjzash):“e kanë shndërruar SHBA-në, nga një komb i domosdoshëm, në një komb të padurueshëm”.
Pra, kurrfarë përplasjeje politike nuk ishte shkak i replikës aty. Thjesht, i shkruante analisti i ftohtë eseistit të zjarrtë. I pari (Hamilton) i bënte thirrje mendjes. I dyti (Coelho)i bënte thirrje zemrës. I pari gjakftohtësisë dhe logjikës, i dyti, llavës se shpirtit njerëzor.
Ndoshta në SHBA e gjetiu, edhe analisti, edhe eseisti, kanë vendet e veta.
Por, Shqipëria- që të rikthehem tek ideja ime e fillimit - e banuar kryesisht nga një popullsi që dallohet për dallgë të forta emocionesh masive, pak nevojë ka për zjarr eseistësh.
Na duhen analistë.