Analistët shqiptarë kundër, serbët pro Dickut
Analistë shqiptarë e serbë kanë shprehur qëndrime të kundërta lidhur me raportin e Dick Martyt gjatë një debati në Çagllavicë. Analisti Shkëlzen Maliqi ka hedhur poshtë të gjitha ato që thuhen në raport, duke e vlerësuar si mënyrë presioni mbi kryeministrin në largim Hashim Thaçi në prag të bisedimeve Kosovë-Serbi.
Maliqi ka mbështetur fillimin e hetimeve për ato që thuhen në këtë raport të raportuesit të Këshillit të Europës, mirëpo në bazë të atyre që janë bërë të ditur, ai konstaton se e gjitha është një spekulim, që është në vazhdën e pohimeve spekulative të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte.
“Raporti i Dick Martyt ka të bëjë me të kaluarën dhe është tërësisht spekulativ. E kam dëgjuar me kujdes dhe unë nuk kam parë asnjë dëshmi apo akuzë konkrete që mund të lidhet me pjesën spekulative”, ka thënë Maliqi.
Analisti serb, Zhivojin Rakocevic, e ka quajtur formë totalitare të mbrojtjes së Hashim Thaçit, mohimin kategorik të akuzave të Dick Martyt.
“Unë jam pak i frikësuar me faktin se Hashim Thaçi është duke u mbrojtur në formë shumë totalitare. Të gjithë analistët nuk po lënë asnjë fije dyshimi se dikush këtë e ka bërë. Unë jam i frikësuar me jolirinë që apriori mund të themi jo, jo, jo, asgjë nuk ka ndodhur”, ka thënë Rakocevic.
Por, Maliqi i është kundërpërgjigjur se askush nuk po e mbron Thaçin, por derisa nuk ka fakte për ato që thuhen në raportin e Martyt, s’mund të jetë ndryshe. “Nuk po mund ta kuptoj këtë qëndrimin tuaj se ne po e mbrojmë Hashim Thaçin. Jo. Nëse nesër vërtetohet dhe gjykohet, do ta përsërisim të njëjtën storie se tash i kemi dëshmitë, tash i besojmë, nëse është raporti i besueshëm”, ka thënë Maliqi.
Edhe drejtori i KIPRED’it, Krenar Gashi, ka theksuar se askush nuk po e mbron Hashim Thaçin, por raporti i Martyt i ka përmbledhur të gjitha dhe thashethemet sa i përket luftës në Kosovë. Pika më e dobët e këtij raporti, sipas Gashit, janë lidhjet që bëhen akuzave të ndryshme, sidomos deklaratave të Del Pontes për trafikim organesh, me një rast që ka ndodhur 8 ose 9 vjet më vonë me rastin “Medicus”.
“Për më shumë, raporti i zotit Marty përfshin në vete disa terme, të cilat nuk ekzistojnë askund tjetër, përpos në raportet e shërbimit sekret serb, siç është rasti i termit ‘Grupi i Drenicës’. Unë asnjëherë nuk e kam lexuar këtë term në asnjë raport tjetër, përpos në raportet që kanë dalë qoftë nga policia e Serbisë, qoftë nga shërbimi inteligjent i Serbisë”, ka thënë ai.
Duke folur për dialogun Prishtinë-Beograd, Gashi ka thënë se më shumë se raporti i Martyt, kryeministrin në largim të Kosovës e kanë vënë në një pozitë të disfavorshme karshi Serbisë zgjedhjet e parregullta që kanë ndodhur në Kosovë. Andaj, Gashi konsideron se tani nuk është koha e favorshme që Kosova të hyjë në bisedime të cilat, sipas tij, nuk mund të thuhet se janë teknike, kur do të flitet për çështje që janë tërësisht politike.