Do të vazhdojë përkrahja e Kroacisë
Kroacia do të vazhdojë edhe më tej të jetë një përkrahëse e vazhdueshme e popullit dhe shtetit të Kosovës në të gjitha fushat, ka thënë ambasadori në largim i Republikës së Kroacisë në Prishtinë, Zlatko Kramaric.
Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, priti të premten në takim lamtumirës Kramaricin, të cilin e falënderoi për punën që ka bërë gjatë qëndrimit në Kosovë dhe i uroi sukses në karrierën e mëtutjeshme. Krasniqi me këtë rast theksoi ndihmën e madhe që Kroacia i ka dhënë Kosovës në periudhat e rëndësishme të zhvillimit, si dhe falënderoi qeverinë dhe popullin kroat për njohjen e shtetit tonë, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimin e frytshëm në mes të dy vendeve.
Ndërkaq, Kramaric e falënderoi Krasniqin dhe institucionet e Kosovës për bashkëpunimin shumë të mirë dhe u shpreh se Kroacia do të vazhdojë edhe më tej të jetë një përkrahëse e vazhdueshme e popullit dhe shtetit të Kosovës në të gjitha fushat.