Qeveria Gruevski burgos pronarin terrorizon TV A1
Në mënyrë spektakolare dhe si në skenat e filmave, të enjten rreth orës 23:00 të mbrëmjes është arrestuar pronari i televizionit “TV A1”, Velija Ramkovski. Pas arrestimit të tij kanë pësuar edhe arrestime të tjera thuajse të gjithë familjarët e Ramkovskit, e që janë themelues të firmave që ndodhen në po të njëjtën adresë ku janë edhe hapësirat e këtij televizioni të pavarur, e për të cilët thuhet se kanë bërë shkelje financiare. Së bashku me pronarin, është arrestuar edhe drejtoresha e këtij televizioni, Aneta Koçishki.
Kush është në të vërtetë Velija Ramkovski dhe ç’ka paraqet për shoqërinë maqedonase televizioni “A1”? Velija Ramkovski është një biznesmen, i cili nga të parët, në vitin 1992, themeloi televizionin e tij të pavarur. “TV A1”, shumë shpejt u bë më i fuqishmi në këtë shtet. Gjë që edhe e bëri këtë televizion joshës për partitë e këtushme, e veçanërisht për ato në pushtet. Kështu që kjo nuk është hera e parë, që pronari i këtij televizioni përballet me presione nga më të ndryshmet si dhe me akuza se merret me biznes të papastër.
Dy vitet e fundit, Velija Ramkovski, i ka shpallur hapur luftë qeverisë së Nikolla Gruevskit, duke e quajtur atë “diktator” të cilin doemos duhet rrezuar. Më datë 25 nëntor të këtij viti, u bë lajm botëror ndërhyrja e policisë në hapësirat e “TV A1”. Nga organet policore e financiare të shtetit, atëherë u tha se ky aksion nuk kishte të bëjë me televizionin, por me ndërmarrjet që ndodhen në po të njëjtën adresë. Pas kësaj, Ramkovski e vazhdoi betejën kundër qeverisë, duke zhvilluar kontakte me qytetarët. Në një deklaratë të tij për mediat, ai thotë “se do t’i bashkojë të gjithë ata që janë për rrëzimin e diktaturës së Gruevskit”. Një ditë para arrestimit, ai ishte takuar me banorët shqiptarë të Likovës, ku deklaroi se “nuk ka shqiptar që nuk do ta donte një Maqedoni anëtare në BE e NATO, se nuk ka shqiptar që nuk do donte të shlyheshin kufijtë mes Maqedonisë, Shqipërisë e Kosovës”.
Gjatë arrestimit të së mërkurës, në TV-të proqeveritare u paraqitën shumë zyrtarë, që shpjegonin arrestimin, duke thënë se bëhet fjalë për krim financiar në shumë ndërmarrje, për çka janë arrestuar 24 drejtues apo themelues të lidhur me Velija Ramkovskin. Lidhur me këtë ngjarje, bie në sy ajo që shpesh e ka theksuar edhe Ramkovski: çdo gjë zhvillohet sipas paralajmërimeve të TV “Siteli-t”, që është i njohur si televizion me qëndrime antishqiptare dhe i udhëhequr nga Dragan Pavlloviq-Llatas, njeri i cili deri në ditët e fundit i mbeti besnik Millosheviqit dhe që edhe sot vjell helm kundër pavarësisë së Kosovës. Andaj, disa opinionistë të këtushëm, thonë se Ramkovski ka të drejtë kur pohon se e sulmet ndaj tij udhëhiqen nga boshti proserb Beograd-Shkup dhe se qëllimi kryesor është që Gruevski ta marrë nën kontroll të tij edhe këtë televizion opozitar. Opinionistët e këtushëm gjithashtu shtojnë se mbase fatkeqësia e Ramkovskit mund të jetë ajo se atë nuk e ndjejnë si të vetin as maqedonasit etnikë, as shqiptarët, andaj pushtetarët besojnë se reagimet do të jenë më të vakëta dhe më lehtë do mund të rrënojnë këtë televizion të padëgjueshëm.
Pas 12 orëve të kaluara në stacionin policor, të premten, me duar të lidhura, Ramkovski u dërgua përpara gjykatës hetimore. Duke i përshëndetur gazetarët që e përcillnin këtë ngjarje, ai arriti të thotë se bëhet fjalë “për hakmarrje ndaj tij nga diktatori Gruevski”. Ndërkohë, edicioni i jashtëzakonshëm i gazetës “Shpic”, të premten ka dalë me titullin: “Pranga për Ramkovski, litar mbytës për TV A1”. Mbase ky titull më së miri i shpjegon të gjitha.