Analiza, çdo ditë ndodhin 17 krime në Tiranë
Policia e Tiranës analizon kriminalitetin në 365 ditë. Nga 24 vrasje janë zbardhur 87%, problem vjedhjet e makinave dhe të banesave
Tiranë Çdo ditë në Tiranë vjen me mesatarisht 17 krime. Të dhënat dolën gjatë analizës së policisë së kryeqytetit për vitin 2011, kohë gjatë së cilës kanë ndodhur plot 6 236 vepra penale. Kreu i policisë së Tiranës, Sajmir Muça, tha se është përmirësuar puna për zbardhjen e kriminalitetit, e megjithatë vjedhjet vazhdojnë të mbeten problematike. Zbulueshmëria e krimit të vrasjes në Tiranë, në shifra përkthehet me 87%, ndërsa nivelet më të ulëta i ka kapur vjedhja e automjeteve, me vetëm 21%. Kreu i policisë, Muça, u shpreh se në vitin 2011 krimi më i rëndë, ai i vrasjes, u regjistrua 24 herë, nga të cilat autorët nuk janë zbuluar vetëm në tre raste. ”Të ndara në vepra penale, u regjistruan 24 vrasje me dashje, nga të cilat u zbuluan 21 ose 87%. Evidentohet një vrasje më shumë se viti i shkuar, ndërsa forca zbuluese është rritur me 13,5%”-tha Muça gjatë analizës vjetore. Megjithatë, edhe këtë vit policia ka vazhduar të humbë terren ndaj bandave të grabitësve, kryesisht të makinave dhe automjeteve. ”Ndodhën 358 vjedhje automjetesh dhe u zbuluan 75 raste, ose 20,9%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2010-s, janë evidentuar 63 raste më shumë, ndërsa forca zbuluese është rritur me 11%. Kanë ndodhur 224 vjedhje banesash, nga të cilat janë zbuluar 142, ose 58,1% e tyre. Pavarësisht rritjes së zbulueshmërisë, këto vepra penale mbeten problematike në Qarkun e Tiranës. Në të ardhmen do të kërkohet më shumë punë e profesionalizëm për të realizuar pritshmëritë e qytetarëve të Tiranës”-tha Muça. Në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar, evidentohen 65 vepra penale më shumë, ndërkohë që fuqia zbuluese është rritur me 2%. Ndërkaq, për vitin 2012, Muça theksoi se Drejtoria e Policisë së Tiranë synon rritjen e treguesve të performancës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e qarkut, në vazhdimin e punës për parandalimin dhe zbulimin e krimeve, në përsosjen e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me komunitetin.
6236Vepra penale kanë ndodhur gjatë vitit 2011 në territorin e Tiranës. Policia ka mundur të zbardhë 83 për qind të tyre
24 Vrasje, ose mesatarisht dy në muaj, kanë ndodhur në Tiranë gjatë vitit 2011. Tre prej tyre vazhdojnë të mbeten të pazbardhura
140 Vjedhje me dhunë dhe armë kanë ndodhur në kryeqytet, ndërsa për 79 prej tyre policia ka mundur të identifikojë autorët