Lejet e ndërtimit, sërish hetim për administratën e komunës Kashar
Një grup banorësh kanë denoncuar një biznesmen ndërtimi se u ka dëmtuar banesat, si dhe zyrtarët e komunës Kashar, që kanë dhënë leje ndërtimi pa pasur më parë një marrëveshje me pronarët e tokës
Tiranë Administrata e komunës Kashar është vënë sërish në qendër të një hetimi të prokurorisë, pasi dyshohet se punonjës të saj kanë shpërdoruar detyrën duke dhënë një leje ndërtimi jashtë kritereve. Kjo çështje është kallëzuar në polici nga një grup banorësh, të cilët pretendojnë se zyrtarët e komunës kanë miratuar një leje ndërtimi pa pasur më parë një marrëveshje mes tyre dhe investitorit. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se kallëzimi është bërë tri ditë më parë, kur një grup banorësh në Unazën e Re kanë ngritur pretendimin se në sheshin e ndërtimit të pallatit janë dëmtuar banesat e tyre. Po ashtu, ata kanë deklaruar se N.P., pronari i kompanisë që po ndërtonte, nuk ka lidhur kontrata me ta si pronarë të truallit, por ka nisur ndërtimin pa bërë më parë marrëveshje. Si pasojë e punimeve, banorët thonë se u janë dëmtuar shtëpitë, të cilat ndodhen brenda sheshit të ndërtimit, për të cilin ka një leje të miratuar nga Komuna Kashar. Gjatë kallëzimit penal grupi i banorëve pretendon se përveç dëmeve të konsiderueshme që u janë shkaktuar banesave të tyre, pronari i pallatit po i mashtron, duke shitur apartamentet në ndërtim te persona të tjerë, dhe jo te pronarët e truallit. Sipas policisë, dyshohet se në këtë ngjarje janë përfshirë edhe zyrtarët e komunës Kashar, të cilët kanë miratuar lejen e ndërtimit të pallatit pa pasur më parë një marrëveshje mes investitorit dhe pronarëve të truallit. Kallëzimi penal që tashmë i është përcjellë prokurorisë për hetime të mëtejshme thotë se pronari i kompanisë së ndërtimit ka bashkëpunuar me një sërë zyrtarësh të komunës Kashar, duke arritur të përfitojë kështu lejen e ndërtimit jashtë kritereve të parashikuara në ligj dhe për më tepër duke dëmtuar banesat ekzistuese që ndodhen në truallin ku do të ndërtohet pallati. Sipas të dhënave të deritanishme, mësohet se kallëzimi penal është adresuar ndaj punonjësve të komunës Kashar, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke miratuar këtë leje ndërtimi. Po ashtu është përfshirë në kallëzim edhe pronari i kompanisë që po kryen ndërtimin N.P., i cili akuzohet nga banorët për “mashtrim“ dhe “shkatërrim të pronës me mjete te tjera”. Kjo pasi në mungesë të marrëveshjes kompania ka nisur nga puna për ndërtimin e pallatit në bazë të lejes së rregullt të marrë nga komuna Kashar. Po ashtu, banorët kanë ngritur pretendimin se apartamentet tashmë po u shiten personave të tjerë dhe jo pronarëve të ligjshëm të truallit. Mbi bazën e këtij kallëzimi policia i ka kërkuar prokurorisë të nisë hetimet për këtë çështje, duke përcjellë kallëzimin penal bashkë me deklarimet e personave që kanë bërë kallëzimin në prokurori. Organi i akuzës pritet të nis verifikimet për këtë çështje dhe në bazë të tyre do të vendosë nëse ka vend për hetime penale ose jo. Lejet e ndërtimit dhe çështja e pronësisë, kryesisht në Komunën Kashar, për vite me radhë ka qenë një çështje mjaft e mprehtë që vazhdimisht është bërë pjesë e hetimeve të ndryshme nga prokuroria. Pak vite më parë prokuroria urdhëroi arrestimin e drejtuesve dhe ish-drejtuesve të komunës Kashar, të cilët u dënuan për abuzim me detyrën në lidhje me çështjet e pronësisë. Po ashtu, në prokurorinë e Tiranës aktualisht ka nën hetimi një sërë ish-zyrtarësh të kësaj komune, të cilët dyshohen për shpërdorim me detyrën në lidhje me çështjet e pronësisë dhe lejeve të ndërtimit.