E Diel, 1 Nëntor 2026

Incident në Tiranë, gjyqtari ndalon të dyshuarin dhe ia dorëzon policisë

SHKRUAN: Habjon Hasani 23-12-2011 12:21

Një person i dyshimtë ka ndjekur për minuta të tëra gjyqtarin Gert Hoxha, ndërsa ky i fundit e ka kapur dhe dorëzuar në komisariat. Policia: I dyshuari njihej si hajdut, nuk e kërcënoi gjyqtarin

Tiranë Ndodh çdo ditë që policia kap persona “problematikë” për t’i çuar përpara gjykatësit, por kjo është historia e një gjykatësi, që kapi një të dyshuar, për t’ia dorëzuar policisë. Mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:00 në kryeqytet, gjyqtari Gert Hoxha ka lajmëruar policinë për të marrë një person problematik, të cilin e kishte “mbërthyer” pak minuta më parë. Ndërsa ishte duke shkuar në shtëpinë e tij, te zona pranë Gardës së Republikës, gjyqtari ka vënë re një person që e ndiqte prej 10 minutash. Nuk ka qëndruar indiferent, por e ka ndaluar atë, për t’ia dorëzuar policisë. “Nga ballafaqimi na rezultoi se personi e ka ndjekur gjykatësin për rreth 10 minuta. Ai e ka vënë re këtë gjë. Në një moment, gjykatësi i ka ndaluar dhe e ka zënë në befasi, duke i kërkuar shpjegime pse po e ndiqte. Në këtë moment, personi i panjohur është larguar me vrap dhe gjykatësi Hoxha ka filluar ndjekjen këmba-këmbës ndaj tij”,- thanë dje për MAPO-n burime nga komisariati numër 2 i policisë. Pasi ka nisur ndjekjen e të panjohurit, gjykatësi e ka arritur atë dhe më pas e ka ndaluar, madje duke e shtrirë përtokë dhe duke e mbajtur të mbërthyer në pritje të forcave policore, të cilat i njoftoi menjëherë pasi neutralizoi personin e dyshuar. Nga ana e saj policia tha se personi që ka ndjekur gjykatësin është shoqëruar në polici dhe është ndaluar, ndërsa ka mohuar të kishte qëllime për të dëmtuar Hoxhën. “I ndaluari është rreth të dyzetave, me disa precedentë të përsëritur për grabitje personi. Në momentin që e kemi ndaluar, ai ka qenë dhe në gjendje të dehur. Gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se e ka ndjekur gjykatësin dhe ka pohuar se nuk e njihte atë”, - thanë dje burime policore. Nga ana tjetër mësohet se gjykatësi Hoxha, pasi ka diktuar personin që po e ndiqte, fillimisht ka menduar për ndonjë agresor të mundshëm për shkak të cilësive të tij të veçanta dhe ishte mobilizuar për të bërë rezistencë gjatë momenteve të ndjekjes. Burime policore thanë dje për MAPO-n se policët e mbërritur në vendngjarje kanë mbetur të habitur kur kanë parë gjykatësin duke mbajtur të mbërthyer agresorin, që ishte dukshëm më shtatlartë se ai. Në lidhje me agresorin e shoqëruar policia tha se, pasi është ndaluar dhe marrë në pyetje, ai do të procedohet në gjendje të lirë për tentativë grabitje ndaj gjykatësit Hoxha. Të njëjtat burime saktësuan se fillimisht, kur kanë marrë sinjalizimin nga Hoxha, kanë menduar për ndonjë situatë kritike të krijuar, ku mund të ishte kanosur jeta e gjykatësit. “Policia u angazhua maksimalisht menjëherë pasi mori njoftimin nga gjykatësi. Fatmirësisht nuk bëhej fjalë për ndonjë situatë me rrezikshmëri të lartë, madje e gjitha sa ndodhi kaloi dhe me habi dhe humor, pasi nuk ndodh shpesh që hajdutët t’i dorëzojë një gjykatës në komisariat”, - thanë dje për MAPO-n burime policore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›