Analiza e IFIMES: Shtatë arsyet pse Berisha do dalë në pension
Instituti Ndërkombëtar për Studime për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES), me qendër në Slloveni, ka përgatitur një analizë për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri, të titulluar Shqipëria, Berisha del në pension, rikthehet e majta.
Në analizë thuhet se SHBA dhe BE kanë bërë thirrje të forta që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.
Në analizë theksohet se ekonomia në Shqipëri ka njohur një rritje modeste prej 1.6 përqind, më të ulëtën në 16 vitet e fundit, praktikisht duke rënë në stanjacion.
IFIMES thekson se përgjithësisht sondazhet nuk janë të besueshme, por në analizë thuhet se janë disa faktorë që bëjnë të besosh se kryeministri Sali Berisha do dalë në pension.
-Së pari, Partia Demokratike ka qenë për tetë vite në pushtet, duke sunduar në mënyrë arbitrare dhe duke përkeqësuar situatën ekonomike.
-Së dyti, Partia Socialiste po përdor një ofensivë zgjedhore duke përdorur një retorikë politike moderne.
-Së treti, PS po përdor një fjalor politik që thekson përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE.
-Së katërti, mbi Partinë Demokratike rëndon barra e akuzave se ka fiksuar rezultatin zgjedhor në të shkuarën.
-Së pesti, qeveria aktuale e ka larguar Shqipërinë nga anëtarësimi për në BE gjatë tetë viteve të fundit.
-Së gjashti, lirimi i dy oficerëve që morën pjesë në vrasjen e demonstruesve më 21 janar ka shtuar mosbesimin tek votuesit.
-Së shtati, surpriza më e këndshme është lideri i PS, Edi Rama, që ka modernizuar konceptin e tij politik dhe aspiron të bëhet kryeministër i ardhshëm, ndryshe nga Berisha që ka marrë rrugën e nacionalizmit.
Në raport thuhet se nëse kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë do të votonin në Shqipëri, atëherë Berisha do ishte sërish kryeministër. IFIMES thekson se Berisha bëri shumë përpjekje që ata të kenë mundësi të votojnë, por nuk ia doli.
Në analizë theksohet se Edi Rama simpatizohet nga komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri dhe jashtë. Po ashtu në analizë thuhet se ish- kryeministri britanik Toni Bler thuhet se do jetë këshilltar i Ramës.
Gjatë katër viteve në pushtet, Edi Rama e ka kthyer PS-në një parti moderne evropiane, thuhet në analizë./ep