Pse Partia Demokratike nuk mund të jetë blu
Blu është ngjyra e qiellit dhe e detit, asociohet me thellësinë, stabilitetin. Bluja simbolizon besimin, nderin, mprehtësinë, inteligjencën, të vërtetën, hapësirën qiellore. Bluja konsiderohet ngjyra e mirëqenies së mendjes e trupit, ajo prodhon te njeriu efekt qetësues dhe relaksi.
Bluja në versionin e saj më të lehtë simbolizon shëndetin, shërimin, qetësinë, të mirëkuptuarin, butësinë dhe në versionin e thellë të saj asociohet me dijen, forcën, integritetin dhe seriozitetin. Edhe ne heraldikë bluja prezantohet si ngjyra që simbolizon devocionin dhe sinqeritetin.
Po Partia Demokratike me kë asociohet përveçse me Berishën?!
Po Berisha kë përfaqëson?
Si mundet Berisha të vetësimbolizohet nga ngjyra e qiellit dhe e detit?!
Ai vetë në këto 22 vjet ka parë kushedi sa mijëra herë të nxirë det e qiell nga shqiptarë që ikin nga vendi i tyre, vetëm për një punë që iu siguron bukën e gojës.
Ku mundet ai të vetëasociohet me blunë e thellësisë dhe stabilitetit?!
Ai që në vitin 97 pajisi gjithë kriminelët me armë dhe mbushi varrezat me viktima, që akoma sot e kësaj dite nuk ka një bilanc dhe as nuk mund ti përmbajë një bilanc ato ngjarje tragjike që i dhanë goditjen fatale nocionit të shtetit në Shqipëri, dhe e bënë të krahasueshëm me shtetet e luftërave civile të fiseve gjysmë të egër afrikane;
Ai që me bazuka dhe me një kufomë mbi dhè synoi të kapërdijë shtetin e brishtë të sapoinstaluar në Shqipërinë e viteve 98;
Ai që në 2008 me shpërthimin e Gërdecit në mes te Shqipërisë ia kaloi edhe provave bërthamore në Iran, duke vrarë 26 vetë të pafajshëm, por që për drejtësinë shqiptare u kalua si të ishte një gabim teknik banal, nga i cili smbajti përgjegjësi askush.
Ai që në mandatin e tretë të tij, të grabitur me dhunë, vrau pa iu dridhur dora demokrate 4 të pafajshëm në një protestë opozitare;
Ku mund të vetësimbolizohet Berisha me blunë e nderit dhe të vërtetës?!
Ai që në këto 22 vjet nuk ka reshtur së bllokuari vendin tonë me meskinitet dhe shkurtpamësi rrëqethëse, qoftë kur ka drejtuar vetë, qofte kur ka qenë në opozitë;
Ai që hipokrizinë dhe aktrimin e ka armën e tij të preferuar për ti hedhur opium qytetarëve, dhe që duket sheshit se ndërgjegjja e tij e sëmurë nuk është e rastësishme, por i është mbarsur që nga koha e rinisë së tij të kuqe, kur trajnohej plot servilizëm nga ata që sot i quan gjoja me injorim ish- bllokmenët;
Ai që me pandershmërinë e tij, 19 vite më parë theu embargon me Serbinë natën për hënë e sot ditën për diell hiqet si nacionalisti më i tërbuar mbi tokë. Vdes që tua mbushur kokën njerëzve me dogma dhe ti kthejë 100 vjet mbrapa në kohë që disa ti deformojë në ushtarë të përbetuar naivë në çdo akt antidemokratik ndaj bashkëqytetarëve të vet;
Ai, që nga komunisti më i devotshëm, me traktin e Hysen Shoshorit në xhepin afër zemrës, u kthye ne antikomunistin më të tërbuar me teserën e Partisë Demokratike në ballë.
Ku mund të vetësimbolizohet Berisha nga bluja e mprehtësisë dhe inteligjencës?!
Ai që në këto 22 vjet nuk bëri asgjë më shumë se do kishin bërë shqiptarët po të mos kishin qeveri fare, përkundrazi do ishin më të lirë dhe do të kishin zgjedhur në mikroambientet e tyre më të mirën për ta, të paktën do kishte pasur transparencë mes njëri-tjetrit;
Ai që ka skalitur korrupsionin dhe paaftësinë në çdo qelizë administrative të vendit tonë, duke filluar nga drejtësia deri tek arsimi, i cili, me shumë dhimbje e them, por është drejt degradimit në një institucion që përligj më shumë injorancën se dijen.
Si mundet të vetësimbolizohet Berisha me blunë e shëndetit, shërimit, qetësisë?!
Ai që ka kthyer në mejhane spitalet, ku pihet raki, duhan, bëhet pazar dhe nuk ka asnjë tempull dedikimi apo qetësie për të sëmurët apo bluzat e bardha që punojnë e shërbejnë në kushtet e një presioni dhe anarkie totale;
Ai që e ka kthyer Shqipërinë nga një perlë turistike në një kantier shfarosës të bukurive të saj e ku kanë mbirë guroret në vend të pemëve, karburantet në vend të parqeve jeshilë, kënetat ne vend të liqeneve dhe mushkonjat në vend të fluturave.
Si mund te vetësimbolizohet Berisha me të mirëkuptuarin, butësinë, devocionin dhe sinqeritetin?!
Ai që nuk pranon konceptin e opozitës, por që e shikon si halë në sy dhe sa herë i jepet rasti e sulmon verbalisht dhe fizikisht;
Ai që sdo votën e lirë dhe që nuk lë gurë pa lëvizur që si e si ta manipulojë besimin dhe vullnetin e qytetarëve të tij;
Ai që ka frikë nga e vërteta e që spranon as debat e as dialog, por që ëndrrën e vet në sirtar e ka të që një ditë të bëhet diktator.
Berisha, i cili eci gjithë jetën në një rrugë të ndërtuar mbi rekordet filozofike të babait të tij shpirtëror E.H dhe nënës parti, rekorde këto të kompakësuara në dhunë që shitet për forcë, në propagandë që quhet edukim dhe të shprehura në turma militantësh ekstremistë, të cilët vuajnë nga sindroma e shpëlarjes së trurit dhe që ngatërrojnë integralizmin me integritetin. Atëherë si mund të asociohet me blunë e dijes, forcës, seriozitetit dhe integritetit ky njeri?!
O njerëz si mund të përfaqësojë Sali Berisha blunë e Europës së Bashkuar?!
Partia Demokratike e kishte merituar blunë, po të mos kishte merituar Sali Berishën, por Sali Berisha nuk meriton as blunë dhe as respektin e shqiptarëve, të shprehur me votë.
