E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza në bazë, PD-ja shtyn kongresin

TIRANË - Ndërsa vëmendja e politikës është përqendruar tek Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste më 29 gusht dhe Kryeministri Sali Berisha nuk ka ditë që mos merret me mandatin e Edi Ramës, ai vetë duket se ka harruar që në krye të Partisë Demokratike është një kryetar pa mandat. Madje, Berisha e bëri fushatën për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, pa u rikonfirmuar në krye të PD-së. Selia blu kishte prillin, si muajin kur duhet të thërriste kongresin e rregullt zgjedhor, por as Berisha dhe asnjë zyrtar i kësaj partie nuk dha asnjë shpjegim zyrtar, qoftë për anëtarësinë apo për publikun, rreth shtyrjes së kësaj gare të brendshme.
Analiza në PD
Por, burime të selisë blu tregojnë për gazetën "Shekulli" se arsyeja qëndron pikërisht tek analiza e brendshme, që po bëhet në të gjitha degët e PD-së. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, në të 12 qarqet e vendit, ka nisur analiza nëpër seksione, ç'ka do të shtyjë edhe më shumë mbajtjen e Kuvendit, që jo zyrtarisht u përfol se do të mbahej në fund të muajit shtator. Pikërisht në njësinë më të vogël organizative të partisë, seksionet, zgjedhjet e 28 qershorit janë në fokusin e kësaj analize, ndërsa mësohet se nuk kanë munguar pakënaqësitë e shprehura nga anëtarësia për drejtorët e drejtorive në rrethe për 4 vitet e shkuara të të qenit në pushtet. Konsumimi nga pushteti padyshim sjell pakënaqësi në bazë dhe seksionet janë forumet e para që po dëgjojnë ankesat e anëtarësisë së PD-së, duke kërkuar në të njëjtën kohë që të mbahen premtimet e bëra në adresë të tyre gjatë zgjedhjeve të fundit. Mbledhja e seksioneve ka filluar paralelisht në të gjitha qarqet e vendit. Më pas do të vijojnë mbledhjet e grup-seksioneve, nëndegëve dhe në fund do të thirret aktivi i degës së Partisë Demokratike. Aty do të votohen edhe delegatët për Kongresin Zgjedhor të partisë më të madhe në spektrin e djathtë, si dhe do të përfundohen të gjitha përgjegjësitë për humbjen në ato qarqe ku PD-ja pretendonte më shumë deputetë.
Kongresi
Shtatori do të jetë i ngarkuar me formimin e qeverisë, fillimin e punës së saj, ndarjen e tortës PD-LSI, si në nivel qendror dhe në atë lokal. Ndërkohë, sipas statutit, nuk janë zgjedhur ende as delegatët, që pritet të miratohen vetëm në fazën e fundit të zgjedhjeve të brendshme, atë të kuvendeve të degëve. Madje, sipas statutit, kjo procedurë që ende nuk ka filluar, duhet të ndodhë dy muaj para mbajtjes së kongresit, ç'ka do të thotë se paralelisht me analizën, PD-ja është shumë prapa edhe me përzgjedhjen e delegatëve dhe përgatitjes së strukturave për Kuvendin Zgjedhor, që në bazë të statutit të PD-së, mbahet një herë në 4 vjet. Ndaj, koha më e mundshme për të zhvilluar kongresin, sipas burimeve, është muaji nëntor, pavarësisht se janë kaluar të gjitha afatet sipas statutit të selisë blu. Kuvendi pritet të zgjedhë kryetarin dhe sipas gjasave dhe deklaratave të vetë Berishës, ai do të qëndrojë sërish, si gjatë këtyre 19 viteve në krye të PD-së. Kongresi do të zgjedhë edhe Këshillin e Ri Kombëtar, forum prej të cilit do të dalë kryesia e ardhshme dhe sekretariati i PD-së.


Kompetencat kryesore të Kuvendit Kombëtar:

1- Vendos për programin e partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH-së në nivel qendror e lokal, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj;

2- Miraton statutin e PDSH-së dhe ndryshimin e tij;

3- Zgjedh me votim të fshehtë 100 anëtarë të Këshillit Kombëtar nga një listë përfaqësuese ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që do të shpallen fitues sipas modaliteteve të përcaktuara nga Kryesia e Partisë;

4- Zgjedh me votim të fshehtë kryetarin e partisë.

Parimi "një anëtar, një votë", PD e zbatoi vetëm për seksionet

TIRANË - Parimi "Një anëtar, një votë", që katër vite më parë solli ndryshimin kryesor të statutit të Partisë Demokratike në Kuvendin e muajit prill, pati fatin të zbatohej vetëm për zgjedhjen e seksioneve, që është njësia bazë organizative e partisë. Zbatimi i këtij parimi, sipas zyrtarëve të lartë të selisë blu, do të fillonte në fillim të vitit 2009 me zgjedhjen e kryetarëve të degëve. Por edhe kësaj here, kryetarët e degëve të PD-së u miratuan me procedurën e vjetër dhe në bazë të një udhëzimi, që nxori kryesia e PD-së. Sipas drejtuesve të selisë blu, parimi "një anëtar, një votë" nuk u zbatua sërish, sepse ende në strukturat e PD-së nuk ekziston infrastruktura e duhur. Për zbatimin e këtij parimi, plot katër vite më parë, Partia Demokratike firmosi edhe një memorandum me Institutin Demokratik Amerikan. Por, marrëveshjet mbetën në letër dhe ky parim nuk do të zbatohet as me zgjedhjen e kryetarit të partisë në Kuvendin e radhës. Berisha pritet të rizgjidhet sërish me votat e delegatëve, duke bërë që PD-ja të jetë e vetmja parti e qendrës së djathtë në Europë, që nuk praktikon zgjedhjen e kryetarit përmes parimit "një anëtar, një votë". Mungesa e zbatimit të këtij parimi ka bërë që anëtarësia e partisë të mos ketë asnjë rol në zgjedhjet e forumeve të larta, e për pasojë, zgjedhjet të jenë ende peng i një grupi të vogël njerëzish në PD.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›