E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët: Mbi 8 mijë dosje, pezull nga AKKP

Sekretari i përgjithshëm i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro, flet për mangësitë që shoqërojnë sot veprimtarinë e agjencive në qarqe dhe në qendër


TIRANË - Përpos miratimit të ligjit 9235 për "Kthimin dhe Kompensimin e Pronës" dhe rreth 40 ndryshimeve, që Kuvendi i ka bërë këtij dokumenti ligjor, veprimtaria e organit kryesor për zbatimin e këtij ligji, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, shihet nga ish-pronarët, si e dështuar.


Sekretari i përgjithshëm i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro, tha dje për "Shekulli"-n se zbatimi i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës doli një zgjedhje e gabuar, pasi aktualisht, në AKKP në qendër dhe në të gjitha qarqet e republikës, ka mbi 8 mijë dosje, që janë hapur sipas ligjit dhe nuk janë marrë ende vendimet.


"Nëse do t'i kthehemi kujtesës, ish-komiteti shtetëror për kthimin dhe kompensimin e pronave, i cili në vitin 2006 me ligj u shkri dhe u krijua agjencia e kthimit të pronave, u quajt një gabim shumë i rëndë, sepse pranë këtij komiteti ishin depozituar 1.700 kërkesa ndaj vendimeve të vjetra, të cilat nuk ishin shqyrtuar.


Sot që ne flasim, jo vetëm që atyre kërkesave nuk ju dhanë asnjëherë përgjigje, por sot në AKKP-të e gjithë qarqeve të republikës, ka mbi 8 mijë dosje, të cilat janë hapur sipas ligjit dhe nuk janë marrë vendimet për faj të administratës shtetërore, apo edhe AKKP-së.


Edhe në AKKP-në e qendrës janë sërish mijëra vendime të ankimuara apo në shqyrtim nga agjencia, të cilat nuk kanë marrë formë të prerë dhe për pasojë nuk kanë asnjë vlerë juridike, duke treguar që efikasiteti i AKKP-së lë për të dëshiruar, të mos themi që ka dështuar totalisht",- tha ai.


Në cilësinë e ish-anëtarit të komitetit për kthimin dhe kompensimin e pronave, Toro kujton se ndryshe nga koha kur ekzistonte ky komitet, tanimë AKKP-ja i ka të qarta afatet ligjore, pas ndryshimeve që i janë bërë ligjit për pronën.


"Afatet e ankimimeve të shqyrtimit të dosjeve u saktësuan së tepërmi dhe në ligj është e përcaktuar se një ankimim nuk mund të zgjasë më shumë se 30 ditë. Një dosje në AKKP nuk mund t'i kalojë tre muajt për vendimmarrje.


Pavarësisht se këto afate ishin shumë të sakta me ligjin e ri, përsëri dështimi është i plotë dhe jo më me 1700 kërkesa, që nuk iu dha kurrë përgjigje, por për mbi 8.000 dosje, për të cilat qytetarët zbatuan detyrimet që ka ligji për të paraqitur dokumentacionet e nevojshme, por ishte paaftësia e shtetit dhe asaj administrate të ngarkuar për realizimin e kësaj detyre",- tha ai.


Toro sjell edhe arsyet e një handikapi të tillë. "Kjo duhet të kërkonte qoftë rritjen e administratës, ashtu siç u bë edhe me ALUIZNI-n, në të cilin punojnë mbi 1500 punonjës kurse në AKKP nuk i kalon shifrën e 150 vetave, ose të kërkonte shtyrje të afateve për marrjen e vendimeve.


As njëra dhe as tjetra nuk u bënë",- tha ai, duke shtuar se AKKP-ja është fajtore për mosrealizimin e detyrave që iu ngarkua. "Si rezultat i një projekti të OSBE-së dhe qeverisë çeke, AKKP-ja ka krijuar databasen e gjithë vendimmarrjeve të komisioneve të kthimit të pronave, nga viti 1993 e deri më sot.


Ka më shumë se 2 apo tre vjet, që ky database ekziston, por nuk është bërë asnjëherë publik se sa është numri i vendimeve të marra, sa është detyrimi i shtetit për të kompensuar pronarët, sa kosto ka ky kompensim, në mënyrë që të shikohet mundësia nëse ky ligj do ta shikonte zgjidhjen",- shtoi ai.


Për këtë arsye, shoqata e pronarëve vazhdon t'i mëshojë qëndrimit të hershëm se duhet një ligj që të mbështetet në kthimin fizik të pronës dhe, vetëm pasi të përfundonte ky proces, të fillohej me kompensimin financiar.


AKKP: Kemi marrë 1.700 vendime këtë vit

TIRANË - Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ofron një panoramë krejt tjetër të situatës që paraqesin ish-pronarët. Drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, Elvis Çefa, në një interviste për gazetën "Shekulli", u shpreh pak ditë më parë se vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2009, janë rreth 1.700 vendime të dhëna nga 12 zyrat rajonale në qarqe.


"Procesi nuk ka përfunduar dhe nga strukturat e AKKP-së do të vazhdojnë të shqyrtohen të gjitha kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të depozituara brenda afatit ligjor", - u shpreh ai.


Megjithatë, Çefa pranoi se ligji nr. 9235, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", ka parashikuar përfundimin e procesit të pranimit të kërkesave të reja drejtuar AKKP-së nga subjektet e shpronësuara për njohje/kthim/kompensim të pronës, që në fund të vitit të kaluar. Por, këtë boshllëk ligjor, Çefa ua la institucioneve eprore, që ta plotësojnë, duke sqaruar se nuk i takon AKKP-së të vendosë për afatet e reja.
.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›