E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analizat e bojës bien pretendimet për manipulim

06/05/2011  Laboratori: Boja që do të përdoret të dielën, sipas parametrave

Në përzgjedhjen e mostrave i pranishëm dhe përfaqësuesi i PS-së

Boja matrikuluese e ambalazhuar në stilolapsa që do të përdoret në zgjedhjet vendore të së dielës i plotëson të gjitha kërkesat së bashku me karakteristikat e përcaktuara në vendimin e KQZ-së. Është kjo përgjigjja nga ana e Laboratorit Qendror të Kontrollit, e ardhur pas kërkesës së kreut të KQZ-së Arben Ristani për një analizë të detajuar të bojës që do përdoret nga qendrat e votimit më 8 maj. Kërkesa e Ristanit për një rianalizim të cilësisë së bojës erdhi pas dyshimeve të Partisë Socialiste para pak ditësh në mbledhje të KQZ-së. Inspektorati Qendror Teknik ka hedhur poshtë kështu alibinë e socialistëve për ndonjë manipulim të zgjedhjeve vendore.

Përfundimet e analizave

Në përgjigje të kërkesës së KQZ-së për analizë të detajuar të bojës që do përdoret të dielën nga Laboratori Qendror i Kontrollit, kryeinspektori i Inspektoratit Qendror Teknik, Ardian Alushi, bën me dije se “boja matrikuluese, që është e ambalazhuar në stilolapsa, ka ngjyrë të zezë të dukshme, ka përmbajtje pak më shumë se 20% nitrat argjendi dhe është e qëndrueshme në lëkurë për më shumë se 20 orë dhe thahet në lëkurë brenda tri minutave”, - thuhet në përgjigjen e Alushit. Në procesverbalin e përzgjedhjes dhe tërheqjen e mostrave të bojës timbruese për analizim theksohet se përveç përfaqësuesve të KQZ-së dhe IQT-së të pranishëm në tërheqjen e mostrave ka qenë vetë personi i interesuar, përfaqësuesi i Partisë Socialiste Genc Gjonçaj, si dhe përfaqësues të ODIHR-it. “10 mostra u tërhoqën nga kutitë e votimit të mbushura me materialet zgjedhore nga drejtoria e logjistikës në magazinat e KQZ-së në Lundër, ku përzgjedhja e tyre u bë rastësore sipas ndarjeve në bazë qarku”, - thuhet në procesverbal, i cili mbahet në tri kopje. “Pas testimit të bërë në disa persona, të cilët vazhduan aktivitetin e tyre normal, u konstatua se në kontrollet që u bënë pas 12, 18 dhe 24 orëve boja ruante qëndrueshmërinë dhe ishte e dallueshme. Tharja e plotë e bojës në lëkurë bëhet brenda 3 minutave nën dritë. Gjithashtu boja nuk dëmtoi lëkurën dhe nuk u dëmtua nga agjentët atmosferikë. Përkundrazi, nën veprimin e këtyre të fundit qëndrueshmëria e bojës rritet shumë”, - thuhet në raport-analizimin në përfundim të vlerësimit organoleptik të bojës të bërë nga IQT-ja.

Debatet për bojën

Cilësia e bojës që do të përdoret në zgjedhjet vendore të 8 majit ka qenë shkaku i debateve në mbledhjen e së premtes së shkuar në KQZ. Përfaqësuesi i PS-së Genc Gjonçaj deklaroi se mungesa e shpjegimeve në lidhje me bojën janë një tjetër shenjë për të tentuar që të manipulohen zgjedhjet. Ndërsa kreu i KQZ-së Arben Ristani u shpreh se boja që do të përdoret në zgjedhje i ka plotësuar të gjitha kriteret e duhura, dhe kjo është e konfirmuar edhe prej përgjigjes së laboratorit.

Vulat rezervë, Kolegji Zgjedhor i jep të drejtë KQZ, rrëzon pretendimin e PS

Çdo qendër votimi të dielën do të ketë dhe vulën rezervë, në mënyrë që askush të mos cenojë dëmtimin e procesit të votimit. Ky është vendimi i marrë nga Kolegji Zgjedhor, i cili i ka dhënë dje të drejtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vendimin e marrë në lidhje me prodhimin e vulave rezervë për zgjedhjet e 8 majit. Me këtë vendim Kolegji ka hedhur poshtë padinë e Partisë Socialiste, e cila në pretendimin e saj theksonte se “është shkelur Kodi Zgjedhor dhe është marrë një vendim që u ofron mundësi komisionerëve për të manipuluar procesin elektoral”. Por pretendimi i opozitës është kundërshtuar nga kreu i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili ka shpjeguar se prodhimi i vulave rezervë është vetëm një masë paraprake për të parandaluar largimin e komisionerëve me vulën, duke bllokuar kështu procesin. Pas shqyrtimit Kolegji Zgjedhor, i kryesuar nga gjyqtarja Dhurata Haveri, rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste dhe vendosi që të lihet në fuqi vendimi numër 493 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili parashikon prodhimin e 4880 vulave rezervë, një numër ky që i përgjigjet numrit të përgjithshëm të qendrave të votimin në rang vendi.

Përfaqësuesit ligjorë të PS-së pretenduan gjithashtu se vendimi në KQZ është marrë me katër vota, në një kohë që aktet normative të KQZ-së, sipas avokatëve opozitarë, duhet të merren me pesë vota. Pavarësisht kësaj, kërkesa e PS-së nuk u mor parasysh e për pasojë kërkesa e tyre në Kolegj u rrëzua. Vulat rezervë ndryshojnë nga vulat origjinale vetëm nga shtimi i germës “r”.

Përfundon printimi i fletëve të votimit

Ka përfunduar dje prodhimi i 7,4 milionë fletëve të votimit që do të përdoren në zgjedhjet e 8 majit. Shtypshkronja “Mediaprint”, e cila u përzgjodh nga KQZ-ja për prodhimin e fletëve të votimit, deklaroi se pas 12 ditëve pune intensive ka përfunduar punën në të gjitha proceset e kërkuara nga KQZ-ja. Fletët e votimit janë prodhuar “në kushte të larta sigurie, me sistem kamerash vëzhgimi, gjithashtu dhe në praninë e përfaqësuesve të KQZ-së dhe të partive politike”. Gjithashtu sipas deklaratës së stafit të shtypshkronjës theksohet se pranë magazinave të KQZ-së janë dorëzuar tashmë 7,4 milionë fletë votimi, të prodhuara dhe të përfunduara në të gjitha proceset të ndara në blloqe, duke plotësuar kështu kërkesat për 66 KZAZ. “Mediaprint” bën gjithashtu të ditur se “u prodhuan 384 modele, nga të cilat 373 modele të ndryshme për kryetarët e bashkive dhe të këshillit bashkiak të çdo qarku; 11 modele për minibashkitë në kryeqytet, ku secili prej tyre kishte një model për kryetarin e bashkisë dhe një model për këshillin bashkiak”. Ndërkohë në mbledhjen e djeshme KQZ-ja ka vendosur asgjësimin e fletëve të dëmtuara për dy qendra votimi në Fier dhe 2 në Pogradec. Për Fierin dhe Pogradecin do të prodhohen 3943 fletë votimi të reja.

Homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit

Topalli: Vota e 8 majit do të jetë mrekullia e lirisë për shqiptarët

Në ndryshim nga Presidenti Topi, me rastin e Ditës së Dëshmorëve, 5 majit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku vendosi edhe një kurorë me lule dhe bëri homazhe pranë memorialit “Nënë Shqipëri”. Duke vlerësuar vëtëflijimin e këtyre njerëzve për çështjen kombëtare, në fjalën e saj kryeparlamentarja u shpreh: “Ndodhem në këtë vend ku prehen dëshmorët për të nderuar kujtimin dhe sakrificën e baballarëve të kombit, që sakrifikuan për Shqipërinë.” Gjithashtu ajo theksoi se sot shqiptarët janë më krenarë se asnjëherë tjetër, pasi Shqipëria është një vend i sigurt dhe i lirë si një ndër 28 vendet anëtare të NATO-s. Më pas në fjalën e saj Topalli u ndal dhe në zgjedhjet vendore të së dielës, ku theksoi se pas tri ditësh qytetarët do të shkojnë në zgjedhjet lokale të 8 majit. “Kjo është një mundësi që çdo qytetar për shkak të mrekullisë që ka sjellë liria gjatë këtyre 20 vjetve për shkak të sakrificës së baballarëve të kombit tonë dhe të gjithë atyre që deshën Shqipërinë dhe sakrifikuan vërtetë, të votojnë të lirë, me shumë qytetari, si qytetarë evropianë”, - u shpreh Topalli. Ajo shprehu bindjen se 8 maji do të jetë një ditë feste për të çuar më tej demokracinë dhe progresin në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Mandej pas homazheve te Dëshmorët e Kombit, si çdo 5 maj, Kryetarja e Kuvendit zhvilloi një vizitë në shtëpinë e heroit të demokracisë Azem Hajdari.

Homazhet në Ditën e Dëshmorëve në Peshkopi

Topi: Vlerësim ndaj veprës së dëshmorëve të vendit

Me rastin e 5 Majit, ditës së të rënëve të kombit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, bëri dje homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Peshkopi. Në nderim të Ditës së Dëshmorëve, kreu i shtetit shprehu para mediave vlerësimin e tij për veprën e tyre, që përkujtohet sot nga mbarë shqiptarët. “Erdha për ta përkujtuar këtë ditë në Dibër sepse Dibra, si çdo qelizë e tokës shqiptare, është një zonë e shquar patriotizmi me vlera të mëdha historike dhe besoj se gjithçka që në gëzojmë sot. Gjithçka që ne po ndërtojmë sot drejt rrugës për në Bashkimin Evropian është ndërtuar mbi një bazament vlerash patriotizmi, që u dedikohet të gjithë dëshmorëve të kombit, të gjithë patrioteve, dhe kjo është arsyeja që ne përulemi sot për të nderuar veprën e tyre”, - u shpreh Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›