E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nën diellin e arsyes” me Janis Ricos

06/05/2011  

Ekspozita e një grupi studentësh të Akademisë së Arteve nën drejtimin e pedagogut dhe piktorit Vladimir Myrtezai do të çelet nga 7 maji deri më 12 qershor. “Nën diellin e arsyes” inspirohet nga puna poetike dhe artistike e Yiannis Ritsos.

“Shpresoj të më kujtoni”, - tha ai. Bëra mijëra kilometra/ pa bukë, pa ujë, përmbi gurë e gjemba,/ që t’ju sillja bukë dhe ujë dhe trëndafila. Bukurinë/ nuk e tradhtova kurrë. Gjithë jetën e ndava me hak./ Pjesë për vete s’mbajta. Varfanjak. Me një zambak të egër/ ndriçova netët tona më të egra. Shpresoj të më kujtoni”.

Këto rreshta do të shkruante dikur poeti i njohur grek Janis Ricos, ndërkohë që shumëkush mund të sjellë ndërmend fjalë e vargje të tjera të tij: “Unë e di, çdo njeri në botë udhëton i vetmuar drejt dashurisë së tij; fare, fare i vetmuar drejt lumturisë së tij; dhe i vetmuar, njëqindfish i vetmuar drejt vdekjes së tij”.

Por këtë herë, poeti Ricos do të përkujtohet jo me vargje, por me një ekspozitë multimediale për nder të tij, gjithsesi të frymëzuar nga ajo çfarë artisti la e shkroi.

Ekspozita e titulluar “Nën diellin e arsyes” realizohet nga një grup studentësh të Akademisë së Arteve nën drejtimin e pedagogut dhe piktorit Vladimir Myrtezai dhe do të çelet nga 7 maji deri më 12 qershor.

Janë 20 video që në përmbajtje frymëzohen nga poezi të veçanta të Ricosit, ndërkohë që do të prezantohen edhe instalacione, foto, postera, gravura, objekte “ready made” e piktura.

“Kjo ekspozitë intermediale na jep mundësinë e një strukturimi viziv të një dimensioni multikulturor të poetit që në njëfarë mënyre e zhvendosim në kohë dhe hapësirë si zhvendosje arti. Ky autor në shtresën e vet të veçantë është në njëfarë mënyre një frymëzim dhe njëkohësisht dhe një objekt tërheqës për të reflektuar disi mbi poezinë e tij dhe nëpërmjet kësaj për të rrëfyer bukur konceptet e marrëdhënies poetike të tij me kohën dhe frymën e veçantë të tij që i drejtohet njeriut të thjeshtë dhe koloritit të veçantë të vetë patosit të atyre viteve”, shprehet artisti Myrteza, si kurator dhe drejtues i kësaj ekspozite.

Disa nga qëndrimet e artistëve të rinj zbulojnë me elegancë esencën e veprës dhe nuk tregojnë direkt mbi objektin, por ndërtojnë hapësira mediatike paralele në atmosferë të ngritur më të asociuar.

Në një nga punët që quhet “Projeksione mbi gur” thuhet: guri është një element kryesor në veprën e Ricosit. Për këtë kam projektuar në tre gurë shkëmbinjsh tre koka anës fshati dhe i instaloj në kohë në një hapësirë tredimensionale. Të tjera mediume në formë instalacionesh japin atmosferën me të cilën na rrethon fjala poetike e Ricosit.

Disa nga veprat e artistëve të rinj në mediumin e videos quhen: “Xhaketa e artistit”- ready made, “Paralele me Ricosin”, “Ndoshta një ditë”- pikturë, “Dëshira e fundit”- pikturë, “Sirtaki i gurëve”- video, “Daktile Shenja”- video, “Dritaret e Ricosit”- video, “Poema e Klesidres”- video, “ Ricosi lireik”- video animacion, “Dreka me Ricosin”- instalacion ready mades, “Kuptimi i thjeshtësisë”- video, “Me shi”- poster, “Takim i thjeshtë”- kolazh, “Suitë e vogël në të kuq maxhor”- video tingull etj. I gjithë materiali hyn në një sintoni të përbashkët mes hapësirës, tingullit dhe objekteve që na çojnë në një atmosferë të kohës, të jetuar përmes fjalës pakufi të poezisë së Ricosit.

Blerina Goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›