E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rigjallërohet kredia për banesa

06/05/2011  Interesat vijojnë të jenë të larta, për shkak të pasigurive në kursin e këmbimit

BSH: Normat e interesit të kredive në euro u karakterizuan nga kushte lehtësuese

Bankat e nivelit të dytë lehtësojnë kushtet për kreditë në euro. Analiza e të dhënave të mbledhura gjatë dy-tre muajve të parë të këtij viti nga Banka e Shqipërisë tregon se edhe pse kreditimi i individëve u ngadalësua në muajin shkurt, pati një rritje të kredisë së dhënë për blerje banesash me 2.7%. Kanë qenë pikërisht normat e interesit dhe ofertat që bankat kanë bërë prej fundvitit të kaluar, të cilat kanë çuar në një rigjallërim të kërkesës për blerje banesash. Sipas të dhënave zyrtare, kredia në lekë ka qenë konstante në janar-shkurt me 14 për qind mesatarisht, ndërsa kredia në valutë ka pasur ritëm në rritje, duke arritur në 8.1 për qind në shkurt.

Normat e kreditimit

Sipas Bankës së Shqipërisë, normat e interesave të kreditimit patën prirje rritëse në janar-shkurt, për shkak të ofertave të veçanta të bankave, ndërsa normat e interesit të kredive në euro u karakterizuan nga kushte lehtësuese. “Kreditë afatgjata për pasuri të patundshme në lekë janë ulur sërish. Normat e interesit për kreditë në euro, kanë ndjekur prirjen rënëse që prej ofertave të fundvitit. Muajt janar-shkurt kanë vijuar me lehtësim të interesave për kreditë në euro, duke regjistruar vlerën mesatare 6.88%, ose 0.36 pikë përqindjeje nën mesataren e tremujorit të katërt të vitit 2010”, - thekson raporti i BSH-së. Bankat duket se kanë shtrënguar çmimet e kredidhënies në monedhë vendase, ndërsa kreditimi në euro për bankat ka qenë më i favorizuar, pasi ato kanë reflektuar rënie të interesave në këtë periudhë. “Në muajt janar-shkurt norma e interesit për kreditë në lekë është rritur duke ndjekur edhe rritjen e yield-it 12-mujor. Ajo shënoi mesatarisht 13.40% këto muaj, por kjo vlerë e lartë u ndikua nga një kredi afatshkurtër në shumë të konsiderueshme me normë interesi shumë lartë mesatares së sistemit. Duke përjashtuar këtë kredi, norma e interesit rezulton 12.40%, duke qenë gjithsesi 0.18 pikë përqindjeje mbi nivelin e tremujorit të kaluar”, - thekson raporti i BSH-së.

Pritet rënie e interesave

Normat e interesit vijojnë të jenë të larta, për shkak edhe të pasigurive në kursin e këmbimit, por nisur edhe nga konkurrenca në treg. Banka e Shqipërisë ka vijuar të bëjë lëvizjet e saj në pritje të uljes së këtyre normave. “Normat mesatare të interesit të kredive vazhdojnë të ndikohen kryesisht nga diversifikimi në ofertat dhe në kushtet speciale të disa bankave të sistemit për klientë të veçantë, në të dy monedhat kryesore. Gjithashtu, monitorimi i vazhdueshëm, rritja e normave referencë dhe rreziku i kursit të këmbimit kanë qenë faktorët që vazhdojnë të ndikojnë në mbajtjen e marzheve të larta”, – argumentojnë ekspertët. Analiza e Bankës Qendrore tregon për një pritshmëri për ulje të mëtejshme të normave të interesit për kredinë në lekë, ndikuar nga lëvizja e fundit për zerimin e normës së interesit për rezervën e detyruar që bankat mbajnë në euro dhe dollarë. Bankat e nivelit të dytë duhet të depozitojnë, në formën e rezervës së detyruar, pranë Bankës së Shqipërisë 10 për qind të vlerës së depozitave të marra nga klientët e tyre. Norma që quhet në gjuhën teknike “norma e remunerimit” për rezervën e detyruar në lekë, sipas këtij vendimi, mbetet e pandryshuar, në nivelin 70 për qind. Që do të thotë një “diskriminim” për rezervat e detyrueshme në monedhat e huaja, në krahasim me normën e interesit që Banka Qendrore paguan për rezervën në lekë të bankave të nivelit të dytë.

Kredia për bizneset

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë theksojnë se bizneset kanë shtuar kërkesën e tyre për kredi investimi, gjatë dy muajve të parë të vitit 2011. Ndërsa kredia për kapital qarkullues ka qenë në norma më të ulëta, kjo e ndikuar edhe nga rritja e normave të interesit për monedhën vendase. Kështu, rritja e kredive për biznesin ishte 14.2% në muajin shkurt, e njëjtë me rritjen në dhjetor 2010. Ekspertët e BSH-së raportojnë se është shënuar një kërkesë e lartë për kredi për investime në masën 18.4% në shkurt, ndërsa kredia për kapital qarkullues mbetet e qëndrueshme me 10.0% në periudhën janar-shkurt të këtij viti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›