E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS s’duhet ta marrë peng vendin, me krizën e lidershipit të saj

12-08-2011 / Gazeta 55

Tre muaj para Kongresit zgjedhor të 5 Nëntorit, Arben Malaj ka përfunduar hartimin e platformës “Për demokratizimin e Partisë Socialiste”, duke evidentuar Edi Ramën si problemin kryesor të partisë, i cili me mospranimin e humbjes po rrezikon të shndërrohet në një problem për të gjithë vendin

Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste dhe njëherazi deputeti i kësaj force politike Arben Malaj, u shpreh dje në Kukës, gjatë prezantimit të platformës politike “për demokratizimin e PS”, se Partia Socialiste duhet të dalë nga kriza ku ka hyrë aktualisht, duke iu rikthyer institucioneve dhe debatit parlamentar në Kuvend. Malaj ndau me pjesëmarrësit e shumtë idetë e tij mbi “Modernizimin e partive politike përballë sfidave të vendit” duke ndjekur me një vëmendje të veçantë mendimet e sugjerimet e bashkëbiseduesve të ndryshëm për nga profili dhe angazhimi civil. Në sinkron ishte edhe mbështetja e të rinjve kuksianë të pranishëm ndaj misionit politik të ndërmarrë prej deputetit socialist Malaj.
Gjatë bisedës së lirë midis Malajt dhe të rinjve kuksianë theksi u vendos mbi rëndësinë e opinionit publik në politikë-bërjen e vendit, për t’i shërbyer progresit. Nga prononcimet e Malajt mbi zhvillimet politike mund të veçohen disa prej çështjeve me aktuale të diskutuara për situatën e rënduar që po kalon Partia Socialiste. Sipas deputetit Malaj, PS sot është në një krizë të rëndë, ndërsa sa më shumë qëndron jashtë institucioneve, kriza bëhet edhe më e rrezikshme, duke i kanosur partisë më të madhe në opozitë, autoritarizmin e hekurt të Kryetarit. “Partia Socialiste duhet të dalë nga kriza që e ka kapluar duke iu rikthyer institucioneve në kryerjen e funksioneve të saj. Opozita duhet bërë në Parlament. Hapja e partisë ndaj vlerave dhe kontributeve jo vetëm politike duhet të shënojë ngritjen e meritokracisë strukturore të saj. Modeli Berisha është një shembull i dështuar dhe i shëmtuar lidershipi. Lidershipi politik dhe shoqëria civile duhet tё influencojnë pozitivisht kulturën tonë politike duke iu përgjigjur më mirë sfidave tё vendit. Shqiptarët nuk duhet të jenë të detyruar të zgjedhin të keqen më të vogël, por të ardhmen më të mirë për familjet e tyre”- u shpreh Malaj në bashkëbisedimin me të rinj, anëtarë socialist dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kukës.
Takimi zgjoi mjaft interes tek të rinjtë bashkëbisedues të cilët parashtruan edhe disa pyetje rreth situatës aktuale politike në vend dhe rajon.
Malaj analizoi edhe disa çështje të tjera kryesisht të karakterit ekonomik, duke u fokusuar te situata e rënduar tregtare mes Kosovës dhe Serbisë. Deputeti socialist Malaj theksoi gjithashtu se “Kosova gëzon të drejtën ligjore për të marrë vendime të pavarura në hapësirën e saj territoriale. Ndërkohë që, Serbia ka shkelur në mënyrë të hapur kushtet e marrëveshjes për tregti të lirë në rajon, CEFTA. Nuk mund të ketë dy standarde politike ndërkombëtare për Serbinë, njëri për arrestimin e të shumëkërkuarve të luftës dhe dorëzimin e tyre në Hagë, e në anën tjetër mosnjohja e pavarësisë së Kosovës. Kështu e ardhmja evropiane e Serbisë vihet në pikëpyetje”- tha anëtari i kryesisë së PS-së dhe njëherazi eksperti i  Ekonomisë, Arben Malaj.
Pjesëmarrëse në takimin e radhës të prezantimit të platformës “Malaj” në qytetin e Kukësit, ishte edhe Edlira Haxhiymeri, Sekretare e Shanseve të Barabarta në PS dhe ish Zëvendës-Rektore në Universitetin e Tiranës.
Deputeti socialist Arben Malaj, do të vijojë takimet bashkëbiseduese edhe në qytete të tjera të vendit rreth këtyre çështjeve me të rinj, përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit për të bashkëbiseduar e për të dëgjuar mendimet e tyre. Platforma “Malaj”, pasi të konsultohet nëpër qytetet dhe komunat e vendit do të jetë gati për t’u diskutuar në forumin më të lartë të socialistëve që është Kongresi i 5 nëntorit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›