E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anatomia e një shërbimi në koma

Para disa ditësh, Edmond Haxhinasto dha llogari për gjendjen e institucionit që drejton para komisionit të kuvendit. Në realitet faji për gjendjen e rëndë nuk është i gjithi i tij. Nuk ka dorë të lirë në emërimet, për mos thënë që asnjë nuk bëhet pa kaluar në filtrin e bosit të tij partiak. Shumë probleme i trashëgoi. Ka meritë se mblodhi komisionin e gradave, i cili në kundërshtim me ligjin kishte nja dy vjet që nuk mblidhej për gradime, por vetëm për masa disiplinore. Por deri këtu. Më poshtë lista ka vetëm probleme.
Në vitin e fundit, ministri i Jashtëm përveç Brukselit, ku është i detyruar të shkojë për t’i bërë veshët llastik nga tërheqja me vërejtjet e kritikat, e ka derën e hapur vetëm në shtete me probleme, apo si Libia së fundmi, ku qeni nuk e merr vesh të zotin. Një Perëndi e di se ç’punë a interes ka Shqipëria në rajone të humbura, përjashto llazoren deri në veri të Afrikës apo Amerikës Latine të ekipit të tij. Për të justifikuar shkretinë diplomatike, takimet multilaterale, ku ju jep dorën homologëve, konsiderohen takime bilaterale. Është mëkat të shkruash kaq pak për aktivitetin diplomatik, por ja që kalendarin, i tillë është: I varfër dhe dëshpërues.
Duke parë një pjesë tjetër të spektrit të problemeve që ka institucioni, nerv i zbuluar mbetet çështja e kuadrit. Të jesh fëmija e një njeriu me pushtet, nuk është faji i pinjollit, ashtu si të punosh në shërbimin e jashtëm nuk është atribut i trashëgimtarit por meritë e prindit. Për etikë, nuk përmendim emra, por 10 % e personelit brenda e jashtë, janë bij, gra vëllezër apo motra deputetësh apo ministrash. Po t’ju shtosh edhe njerëzit që janë pjesë rrethit të ngushtë qeverisës, shifra shkon në 20 %. Kualifikimet që përmend ministri se gjasme kanë, nuk i beson as vetë. Jo pak, por 70% e personelit që punon në përfaqësi, janë rekrutuar në kundërshtim me ligjin nga radhët e militantëve partiakë apo emigracionit. Të kuptohemi që edhe këta janë shqiptarë, por diplomacia është profesion që fitohet nga eksperienca dhe kualifikimet. Asnjëri nga rekrutët nuk merr përsipër të rregullojë një prizë se ka frikë mos mbetet në korrent, por marrin me qejf detyrën diplomatike. Ndoshta do mësohen, por me kostot e vendit dhe njerëzve që presin shërbimin e tyre.
Me prezantimin e ligjit të ri, në Nenin 34 të tij, thuhet se “mund të rekrutohen në shërbim me urdhër të ministrit njerëz me aftësi të veçanta”. Në pamje të parë nuk ka të sharë, pasi presupozon se do thërriten njerëz me tituj dhe nderojnë vendin. Por, e vërteta është se ligjërohet një praktikë e cila deri tani ka qenë me VKM dhe e ka mbushur shërbimin me njerëz të pakualifikuar, duke diskriminuar profesionistët. Sot ka njerëz që në kundërshtim me ligjin, janë rekrutuar në baza partiake apo miqësore dhe kanë nga 5,6,7 vjet në një përfaqësi, ndërkohë profesionistë kanë po kaq në aparat, pa lëvizur, duke shkelur ligjin që parashikon një maksimum prej 4 vjetësh, dhe mbi të gjitha duke demotivuar njerëzit dhe krijuar stanjacion. Si pasojë e kësaj mënyre rekrutimi, 2/3 e aparatit janë në punë me kritere të shkelura, duke ju lënë shpatullat zbuluar se me një ndërrim pushtetesh, do lëvizin nga vendi i punës, këtë radhë ligjërisht. Këta njerëz përdoren si kamikazë, duke ju dhënë një vend që mund ta mbajnë vetëm nëse është në fuqi ky koalicion qeverisës, dhe me ndërrimin e pushteteve i lënë të pambrojtur ndaj një transfuzion të ri. Ata që ishin dikur, kanë filluar punë të tjera, këta të sotmit do largohen, dhe ne duhet të presim të bëhen ata që vijnë, duke e shtyrë kështu profesionalizimin e diplomacisë për në kalendat greke.
Pas 22 vjetësh demokraci, ende Ministria e Jashtme ka strukturën e asaj të një vendi diktatorial pa ju është përshtatur realiteteve të reja. Kjo vjen për shkak fodullëku dhe injorance të liderëve politikë të çfarëdo ngjyre mbi kuptimin e këtij profesioni, rrjedhimisht përdorimin e aparatit si strehë militantësh. Në këto vite dy milionë, gati gjysma e shqiptarëve që mbajnë nënshtetësinë shqiptare, kanë emigruar në të katër cepat e botës, por në ministri nuk është krijuar ende një “Qendër Krizash”, për ata që ndodhen në rajone fatkeqësish natyrore apo luftërash, dhe kanë nevojë për ndihmë dhe evakuim. Rasti i tsunamit në Japoni, ku Ministria e Jashtme e dha vetëm 3 ditë pas “Gazetës Shqiptare” faktin se nuk ka viktima shqiptare, dhe ca më turp, nuk kishte idenë se sa e ku ishin, ndërkohë që gazeta botoi edhe listën me emra, mbiemra e vendbanime, është dëshmi se mosbesimi i shqiptarëve ndaj diplomatëve të vendit të tyre është i justifikuar, ndërsa reformimi i këtij institucioni është emergjencë. Përndryshe fondet që konsumon janë para të hedhura në erë.
Ndër shtetasit shqiptarë që janë jashtë ka edhe nëpër burgje si fajtorë, ashtu si ka edhe shumë pa faj, që për mungesë njohje të gjuhës, vendit apo financave, vuajnë dënime që nuk i meritojnë. Sa juristë punojnë nëpër konsullata apo në funksione konsullore? Asnjë. A e di ministria se sa të burgosur ka në përgjithësi apo në shtete veç e veç? Hiç fare. Pasi konsujt merren me punët e tyre, nuk dinë gjuhën ose janë jashtë profilit. Ndërsa në rastet më skandaloze dhe fatkeqësisht të përhapura, kanë leje qëndrimi si emigrantë në vendet ku janë akredituar. A mund të mendohet që një diplomat që shkon dhe ripërtërin çdo vit lejen e tij dhe familjes, mund të ndeshet për të drejtat e bashkatdhetarëve? Pa frikë mund të thuash jo.
Është folur shumë për thithjen e investimeve të huaja nga ana e kësaj ministrie. Për hatër të transparencës, duhet thënë se nuk është thithur as edhe një kacidhe. Dhe shkaku është shumë i thjeshtë: Ka vetëm se një ekonomist në radhët e saj, edhe ky i degdisur jashtë profilit të tij. A mund të kërkohet performancë institucioni kur nga tetë drejtorë të përgjithshëm, katër kryesorët që përgjigjen për diplomacinë, ekonominë dhe shtypin, nuk kanë punuar as edhe një ditë të vetme në përfaqësi, por janë peshqesh nga politika apo lidhjet familjare? A mund të pretendosh të fitosh kampionatin e atletikës, me skuadër të mbushur me handikapatë dhe paraplegjikë? Natyrisht që jo, dhe kaq gjë Mondi e dinte. Në mos e dinte, e ka mësuar. Pasi mund të jetë politikan i sajuar, por nuk është djalë pa mënd.
Është e tepërt t’i kërkosh Ministrisë së Jashtme integrimin. Kjo është detyrë kryesore e një ministrie tjetër, dhe ca më keq, nuk ka bojaxhi që bën të pëlqyeshëm shtetin shqiptar. Por, përpara se të gërmushet ndaj kritikave, ministri duhet të rregullojë hierarkinë administrative ku ushtarët e gavetës, komandojnë oficerë me grada duke shkaktuar dhe dëme financiare; të qarkullojë kuadrin; të rregullojë raportin profesion–politikë në radhët e personelit dhe ambasadorëve, jo duke ndryshuar ligjin, por duke e zbatuar atë. Të kërkojë ratifikimin e Konventës së Hagës, duke i kursyer shqiptarëve miliona euro dhe orë radhësh për legalizime dokumentesh, të jetë transparent me bisedimet për kufirin detar me Greqinë, të mos rrijë duke parë listëprezencat, se aftësia është t’ju zësh njerëzve kohën me punë, t’ju tërheqë vërejtje shokëve të Mehmet Elezit që mos shkruajnë kujtime antikomuniste dhe fjalorë, por t’i shtrohen punës se vajti dekada që nuk ju ka thënë kush “puna e mbarë”, të detyrojë shtetasit e huaj që ka në shërbim të lënë shtetësitë, ndryshe t’i pushojë nga puna e nëse nuk ka këllqe t’i bëjë të japë dorëheqjen. Në të ardhmen, nuk do mbahet mend për ndonjë majë profesionale, por do kujtohet për një gjest që shpesh jep më shumë nder se vite të tëra qëndrimi në post.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›