Ançeloti: “Tani radha e Ligës së Kampioneve”

Trajneri i Çelsit, Karlo Ançeloti, këmbënguli se vendimi i Xho Koullit për t’u larguar nga “Stamford Brixh” në fund të sezonit ishte thjesht për arsye ekonomike dhe asgjë personale. Ançeloti mbajti dhe pati marrëdhënie pune pozitive me mesfushorin e Anglisë dhe ishte më shumë se i lumtur me performancën e tij për ekipin. Italiani pranoi se ai do të preferonte që lojtari të qëndronte, por gjithashtu mbrojti faktin se largimi i 28-vjeçarit nuk kishte të bënte aspak me të. “Jo, pasi problemi ishte ekonomik”, - tha Ançeloti për gazetarët. “Ishte një problem midis klubit dhe Xho Koull, jo me mua. Ne folëm rreth kësaj, por kur problemi ka të bëjë më paratë, atëherë nuk është problemi im. Është e vështirë të mbash një lojtar gjatë gjithë kohës në një skuadër. Unë mendoj se Xho Koull, ashtu si Mikeal Balak dhe Zhulian Beleti, bënë një punë fantastike. Unë dëshiroj t’i falënderoj ata, por ata është koha të bëjmë ndryshime”. Ndërkaq, Ançeloti dëshiron të shtyjë ekipin e tij përpara pas suksesit të dyfishtë në fitimin e kampionatit anglez, Premier Ligës, dhe Kupës së Anglisë drejt fitimit të Ligës së Kampioneve. “Qëllimi ynë të bëjmë më mirë se vitin e kaluar në Ligën e Kampioneve”, - shtoi ai. “Ne dolëm jashtë loje shumë shpejt gjatë sezonit të kaluar. Nuk është e lehtë të jesh konkurrues në çdo kompeticion. Nëse do të ishte e mundur, atëherë ne do të dëshironim të përsërisnim atë që ne bëmë vitin e kaluar në kompeticionet e tjera”.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Hene, 19 Korrik 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili