E Diel, 1 Nëntor 2026

Ancelotti i kënaqur me Bale, Illaramendin dhe Lopez, por jo me lojën

Carlo Ancelotti i gëzohet golit të Gareth Bale dhe startit më të mirë të mundshëm të karrierës së tij me Real Madrid, edhe pse Los Blancos u ndalën në barazim 2-2 me Villarreal.

Blerja 100 milionë euroshe nga Tottenhami luajti takimin e tij të parë me klubin e ri dhe ia shpërbleu besimin trajnerit Ancelotti me një gol, rezultat i krosimit të Carvajal. “Jam i lumtur që Bale shënoi golin e tij të parë për Realin. Eshtë diçka e madhe për të. Luajti në një takim që ishte i vështirë për të gjithë. Bale reagoi mjaft mirë në fushë, duke patur parasysh që kjo ishte hera e parë që luante përkrah Ronaldos”.

Tekniku italian foli i kënaqur edhe për debutuesin tjetër, mesfushorin Asier Illarramendi, i cili u zëvendësua në pjesën e dytë të takimit nga Khedira, në të njëjtin moment kur Bale doli për t’i lënë vendin Di Marias. “Mendoj se Bale dhe Illarramendi shkuan mjaft mirë, ndonëse vuajtën pak në fillim. Nuk i lashë 90 minuta në lojë sepse kjo ishte e pamundur që në takimin e tyre të parë, por mund të them se debutimi për ta ishte pozitiv”.

Vëmendja sërish te Diego Lopez, i cili jo vetëm po lë Iker Casillas në stol, por po fiton gjithnjë e më shumë pikë falë disa stopimeve fantastike, që vlerësohen edhe nga Ancelotti. “Diego reagoi shumë mirë, është inteligjent dhe luajti shumë mirë. Nuk e di nëse shpëtuam prej tij nga disfata, por ndoshta me pak më shumë kujdes mund të kishim fituar sepse kaluam në avantazh dhe lojën e kishim më të lehtë për ta menaxhuar”./indeksonline/ 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›