Ancelotti preferon qëndrimin në Angli

Carlo Ancelotti ka konfirmuar se dëshiron të mbetet në Angli, por nuk ngutet të gjejë angazhim të ri pas shkarkimit nga Chelsea.
Strategu i famshëm italian u largua nga gjiganti londinez të dielën e kaluar, vetëm një orë pas ndeshjes së fundit në Premierligë, kundër Evertonit, të cilën e humbën me rezultat 1-0. Para largimit të tij nga Stamford Bridge, ish-trajneri i Milanit kishte sugjeruar se nuk përjashton interesimin për postin vakant në West Ham United.
Ai është spekuluar edhe me marrjen e drejtimit të skuadrës së promovuar Queens Park Rangers, ndërsa është përmendur si objektiv afatgjatë i klubit nga Serie A, Roma.
“Nuk kam pasur kontakt me klubin. Ende më duhet të rregulloj kontratën time me Chelsean. Synimi im është të mbetem në Angli. Kam kaluar dy vite të bukura këtu, vërtet jam ndjerë mirë dhe dua të mbetem këtu”, ka thënë Ancelotti Sky Sport Italia 24.
“Nuk ngutem të gjej një zgjidhje të menjëhershme. Nga 1995 e deri më tani kam bërë vetëm një pushim të shkurtër, sepse gjithmonë kam punuar, andaj tani mund të kem rastin të freskoj veten, të shoh gjëra të reja dhe të përballem me sfida të reja në një përvojë tjetër. Për shembull, së shpejti do të shkoj në St Petersburg për të parë (bashkëkombësin e tij) trajnerin e Zenitit, Luciano Spalletti”, shtoi ai.