Kuze favorizon Barcelonën

Edhe pse maksimalisht i përqendruar në ndeshjen që Shqipëria do të luajë me Bosnjën e Hercegovinën më 7 qershor, trajneri Josip Kuze nuk ngurron të shkëputet për pak minuta nga puna e tij, për të dhënë një mendim rreth finales së Ligës së Kampionëve, e cila do të zhvillohet ndërmjet Manchester Unitedit dhe Barcelonës.
“Për mendimin tim, do të jetë një finale mjaft e bukur, pasi kjo është një sfidë ndërmjet dy skuadrave shumë cilësore, të njohura në arenën ndërkombëtare dhe që praktikojnë futboll sulmues”, deklaroi kroati për të përditshmen shqiptare ‘Shqip’.
Edhe pse vlerëson forcën e “Djajve të Kuq” , kroati 58-vjeçar mendon se trofeu më prestigjioz për klube do të jetë i “blaugranave”.
“Manchester United ka një grup të mirë futbollistësh: anglezët janë një skuadër mjaft e rrezikshme në fazën sulmuese, por që gjithashtu ka treguar se dinë të mbrohen mirë, duke regjistruar një ecuri të shkëlqyer në këtë edicion të Ligës së Kampionëve. Kjo është finalja e aktivitetit më të rëndësishëm për klube dhe mund të them se është paska e vështirë që të parashikosh një favorit”, nënvijëzoi trajneri i Shqipërisë.
“Megjithatë, mendoj se Barcelona mund ta fitojë trofeun. Dihet që ata janë një skuadër shumë sulmuese, me yje të nivelit botëror, të organizuar mirë si në fazën ofensive, ashtu edhe në atë defensive. Gjithashtu, katalonët kanë një trajner të shkëlqyer si Guardiola dhe për këto arsye them se kupa do të jetë e tyrja”, ka përfunduar Kuze.