Bashkohen për ta avancuar sportin
Ministri i Sportit, Memli Krasniqi të premten e ka zhvilluar një takim me krerët e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) dhe me kryetarët e federatave sportive të vendit tonë. Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë diskutuar rreth gjetjes së mënyrave të veprimit për ta avancuar më shumë sportin kosovar, i cili aktualisht është në gjendje të rëndë në çdo pikëpamje.
Sipas një kumtese të lëshuar për media nga Ministria e Sportit, Krasniqi ka pohuar se organizimi i brendshëm, përkatësisht mbarëvajtja e garave kampionale në të gjitha sportet dhe rregullimi i infrastrukturës sportive në vend janë dy pikat kryesore, në të cilat duhet punuar shumë para ndërkombëtarizimit.
Sa i përket ndërkombëtarizimit të sportit, në të cilin segment Kosova ka ngecur shumë, Krasniqi ka pohuar se po merr përkrahje të madhe nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Ministria e Integrimeve për ta shtyrë përpara këtë proces.
Sipas kësaj kumtese, ministri i Sportit u ka premtuar udhëheqësve të sportit kosovar se institucioni i udhëhequr nga ai do të bëjë çmos që ta përshpejtojë edhe procesin e rregullimit të infrastrukturës ligjore në shërbim të avancimit të sportit.
“Ai ka shfaqur bindjen e tij se brenda këtij viti do të miratohen Ligjin i ri për sport dhe ai për Sponsorim dhe Donacione. Sipas tij, pritet që nga muaji korrik, këto ligje të jenë gati për miratim në qeveri dhe pastaj, gjithmonë duke i ndjekur procedurat, në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Krasniqi ka kërkuar nga krerët e federatave të bashkëpunojnë ngushtë mes veti dhe me KOK-un për t’i shtyrë sa më përpara proceset, duke ofruar mbështetjen qeveritare. Kurse mysafirët e Krasniqit, gjatë takimit, kanë folur kryesisht për sfidat siç janë në organizim, infrastrukturë, etj.