E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anderseni, Musolini, dhe Berisha Lakuriq

Share

Nga Roni Telegrafi

Hans Kristian Andersen në përrallën Rrobat e Mbretit tregon historinë e një mbreti, i cili bie viktimë e dy rrobaqepësish mashtruesve. Rrobaqepësit i premtojnë mbretit se do ti qepin një palë rroba me pëlhurë magjike, e cila është e padukshme për njërëzit idiotë. Pas një tejzgjatjeje kohore, rrobaqepësit ftojnë mbretin të provojë rrobat. Mbreti nuk i shikon rrobat, por është i detyruar të hiqet sikur i shikon, përndryshe pranon idiotësinë e vet. Gjithashtu, të gjithë ministrat bëjnë lavde për ngjyrat e ndezura dhe për qepjen mjeshtërore të rrobave që nuk egzistojnë. Mbreti del përpara popullit me rrobat e reja. Papritmas, dëgjohet britma e një fëmije se mbreti është lakuriq. Ndërsa mbreti vrapon i përlotur drejt pallatit, populli ia plas gazit.

Parë nga nje këndvështrim serioz, përralla Mbreti Lakuriq të lë përshtypjen se bashkë me kufijtë përrallorë, ajo i kalon edhe ata gjeografikë dhe kohorë të përcaktuara nga autori. Janë jo te pakët popujt të cilët në një mënyre ose një tjeter përrallën në fjalë e kanë jetuar në realitet.

Në vitin 1937 ekonomisti Gaetano Salvemini botoi në revistën Foreign Affairs artikullin e titulluar Dymbëdhjetë vjet Financa Fashiste. Artikulli në fjalë nuk ish gjë tjetër vecse një britmë se Musolini ish lakuriq.

Pas krizës globale të vitit 1933 vendet fashiste u treguan shumë të sukseshme në uljën e numrit të papunësisë dhe në investimet publike. Suksesi i fashistëve ish aq i madh saqë intelektualë të shumtë në vendet demokratike filluan të lëkundeshin në drejtim të vlerave fashiste.

Kish kohë që Salveminin e mundonte pyetja se si ish e mundur që Musolini e balanconte buxhetin dhe në të njejtën kohë financonte projekte publike të përmasave gjigande. Për Salveminin, zgjidhja e kësaj gjëegjëze ish njëkohësisht edhe celësi që zbërthente mrekullinë fashiste.

Pas muaj të tërë kërkimesh në arkivat e ekonomisë së financave, Salvemini arriti ta zgjidhte gjëegjëzën.

Salvemini zbuloi se Musolini kish vite që mashtronte kompanitë ndërtuese të angazhuara në projektet publike. Kur Musolini lidhte kontratë me një firmë ndërtuese, ai asnjëherë nuk paguante paradhënie. Musolini u premtonte firmave ndërtuese se paratë për punën e bërë do t’i merrnin në këste vjetore.

Vitet shkonin e vinin, por Musolini nuk paguante. Detyrimisht shpenzimet e papaguara Ministria e financave nuk i numëronte në buxhet. Gjithsesi, megjithëse ato nuk numëroheshin në buxhet, ato i shtoheshin borxhit publik. Sipas Salveminit, kur Musolini ërdhi në pushtet në vitin 1922 borxhi publik i Italisë ishte 93 miliard lira, në vitin 1934 borxhi publik ishte 148.7 miliard.

Sipas Salveminit, mrekullia e ekonomisë fashiste nuk ishte gjë tjetër veçse pjellë e një borxhi të fshehur.

Salvemini bërtiti sa mundi që Musolini ish lakuriq. Fatkeqësisht për Italinë thirrja e tij nuk u dëgjua. Arsyeja pse italianët nuk ia vunë veshin thirrjes së Salveminit qëndron në faktin se ndryshe nga mbreti i përrallës, Musolini, rrobat magjike ia kish veshur gjithë popullit italian.

Shtatëdhjetë vjet pas përrallës së mrekullisë fashiste, matanë Adriatikut po dëgjohet përralla e mrekullisë së një vendi që njëherazi është edhe Norvegji edhe Zvicër; edhe xhungël me drurë frutorë, edhe impiant plehrash; edhe perla e turizmit të Mesdheut, edhe shpata e Skënderbeut.

Veçse kësaj here përralla e Andersenit ka pësuar një ndryshim të vogël. Mbreti është shqiptar kurse fëmija është grek. Emri i mbretit është Sali Berisha, kurse emri i fëmijës Dimitris Koutras.

Sikurse mbreti i përrallës, mbreti Berisha gjatë vizitës në Krrabë po përjetonte një orgazëm të vërtetë emocionale, kur papritmas fëmija Koutras bërtiti: Ku jane paret e mia! Në këtë moment, Berisha, dhe pse i veshur më pallto, u duk po aq lakuriq sa mbreti i përrallës.

Deri këtu përralla jonë ka tone të mirëfillta tragjiko-komike. Dhe, kur njeriu përballet me një eksperiencë tragjiko-komike, ndërgjegja e tij është e prirur të fokusohet te komikja.

Por, sipas shoqatës së ndërtuesve, qeveria shqiptare ka që prej vitit 2009 që nuk paguan kontraktorët vendas për punimet e bëra në projektet publike. Shoqata e ndërtuesve pretendon se borxhi është diku rreth 100 milion euro.

Pra, ekziston mundësia që edhe mrekullia e ekonomisë shqiptare të mos jetë gjë tjetër veçse pjellë e një borxhi të fshehur.

Në një situatë të tillë ku përralla jonë fillon dhe ngjan tmerrësisht me përrallën e Musolinit, dimensioni tragjik i saj bëhet diametrikisht më i madh se ai komik. Në momentin që kuptojmë se dhe ne vetë jemi personazhe të përrallës, dimensioni komik për ne duhet të zhduket tërësisht.

Ka mundësi që, si pasojë e vjetërsisë së saj, përralla Mbreti Lakuriq të na ketë ardhur e tjetërsuar në ditët tona. Historia tregon qartazi se kur popuj të caktuar e përjetojnë si realitet përrallën në fjalë, është gjithmonë populli ai që qan ne fund dhe jo mbreti.

Duke qenë se populli shqiptar ka qarë boll, le të urojmë që kësaj here përralla jonë të ketë një fund si ajo e Andersenit: ku është mbreti ai që qan dhe populli që qesh.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›