E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaska floriri dhe ndihmë sociale

Shifrat tregojnë se tregu shqiptar ka pasur më shumë kërkesë për mallrat e luksit gjatë këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ato janë të parat që shmangen nga lista e blerjeve në rastet e krizave, por në Shqipëri ndodh ndryshe, sasia e tyre rritet, pra mirë që nuk kemi krizë, por është rritur edhe mirëqenia!!! Nëse do të vlente vetëm ky konstatim për të treguar që shqiptarët sot jetojnë më mirë, do të ishim shumë të lumtur.

Çështja është që mallra të tillë blihen vetëm nga persona që iu a mban xhepi dhe nuk iu duhet të shkurtojnë shpenzimet diku tjetër për ti siguruar. A tregon rritja e konsumit të këtyre mallrave rritjen e familjeve të pasura në Shqipëri? Ndoshta. Por, ka më shumë gjasa që të jenë pasuruar më shumë ata që kanë qenë të pasur. Pa rendësi ka kjo. Rendësi ka fakti që nëse një pjesë, që përbën një pakicë prej disa mijëra vetash pasurohen më shumë, kurse pjesa tjetër që përbën shumicën dhe sipas shifrave zyrtare numërohen në rreth 500 mijë persona, varfërohen edhe më tepër.

Treguesit zyrtarë raportojnë se vetëm gjatë këtij viti, skemës së përkrahjes sociale i janë shtuar edhe 7 mijë familje të tjera. Nëse këtë numër e shumëzojmë me numrin mesatar të personave që përbehet një familje shqiptare (INSTAT deklaron se është 4.5) përllogaritet që vendit i janë shtuar edhe 31 500 të varfër vetëm gjatë një viti.

Dikush mund të gëzohet me faktin që Shqipëria importon çdo vit e më shumë mallra luksi, kjo sjell më shumë taksa, më shumë të ardhura, më shumë investime, më shumë vende punë. Po, kështu funksionon. Por do të ishte më mirë që kjo të shoqërohej njëkohësisht edhe me uljen e numrit të dyqaneve që shesin me lista apo numrit të atyre që përfitojnë ndihmë ekonomike. Nëse do të ishte vetëm e para, atëherë nuk është aspak për tu lavdëruar se një numër i kufizuar jetojnë në vaska floriri (këtë termin po ia huazoj z.Kryeministër) dhe pjesa tjetër mbajnë radhën çdo muaj për të tërhequr ndihmën ekonomike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›