E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autorë dhe recensentë

Share

Nga Ardian Klosi

Një mënyrë e re recensionimi është përhapur këto ditë mes nesh. Shkas dhe objekt u bë libri i Edi Ramës Kurban. Nuk i kam lexuar gjithë shkrimet që pasuan daljen e tij, por ma do mendja që, sikurse ka një numër shkrimesh pozitive, admiruese (shih p.sh. Daut Gumenin te Shekulli), një pjesë e madhe atë e hedhin poshtë ose e kritikojnë rëndë; kam lexuar gjithsesi dy prej tyre që mendoj se janë përfaqësues për tipin e ri të recensionit në fjalë: shkrimin e Fatos Lubonjës dhe atë të Armand Shkullakut, të dy botuar te Panorama.

Mënyra e re e gjykimit të librit thotë se nuk duhet vlerësuar përmbajtja, por autori i tij. Lubonja flet për një operacion gjigand plastik që Edi Rama kryen me librin Kurban, për të fshehur autorin e vërtetë të tij: Operacioni plastik i Edi Ramës është shumë më i vështirë pasi ai duhet të na heqë nga pamja me Kurbanin e tij volume masive betoni e çimentoje pallatesh shumëkatëshe… i duhet të na heqë nga mushkëritë pluhurin e gazin që po na helmon e kancerizon mushkëritë etj. Me një fjalë kemi të bëjmë me një keqbërës, që nuk ka kryer thjesht krime urbane, arkitektonike, por shumë më tepër se kaq, ka kryer krime të mirëfillta fizike, duke dëmtuar drejtpërsëdrejti shëndetin tonë me mjete kancerogjene.

Një pozicion të ngjashëm ka Shkullaku: libri është dështimi spektakolar i Edi Ramës për tu shndërruar të paktën në një shembull moral për shoqërinë shqiptare, duke i dhënë për pasojë asaj një shembull më shumë të degradimit të çdo vlere përballë tundimit të pushtetit, parasë, mediave.

Në të dyja rastet skualifikohet autori, deligjitimohet ai, i hiqet e drejta për të shkruar, jo më një libër që ka të bëjë me fatet e Shqipërisë, por çfarëdolloj libri.

Të dyja recensionet janë shkruar me frymëzim, me energji, ritëm, gati-gati me kantilenë. Ato dëgjohen si një muzikë funebër për atë që, jo vetëm nuk mund të trajtohet si autor të cilit i recensionojmë një libër, por asgjë më shumë se një kufomë politike. Në rastin më të mirë, kurvë e njollosur keq, siç shkruan Shkullaku duke cituar Migjenin: për atshërbim nuk ka marrë do franga, por në fytyrë, çarçafë e në ndërgjegje danga. Edhe më larg shkon Lubonja, i cili Edi Ramës, pasi e ka përkufizuar si kriminel urbanistik dhe shëndetësor, i heq deri dhe të drejtën për të pasur një fytyrë të vetën: më duhet të pranoj se metafora që përdora me operacionin plastik ka një kufizim, pasi ajo nënkupton sikur personi të ketë pasur një fytyrë… Edi Rama, si në jetë, edhe në këtë libër, na shfaqet si një personazh i luajtur keq mu pse brenda tij mungon personi.

Vështruar në këtë prizëm, nuk e kupton dot gjithë atë mllef e atë tiradë shumëfaqëshe të Lubonjës kundër këtij personi që në të vërtetë nuk është fare person, pra smeriton as dashuri as urrejtje, ngaqë smeriton asgjë, duke qenë që nuk është asgjë. Ai është Njeriu pa cilësi, sikurse personazhi i kryeveprës me të njëjtin titull të shkrimtarit austriak Robert Musil, si i tillë i denjë vetëm për fiksion.

Dashurpadashur rashë edhe unë në stilin e Lubonjës, i cili si për të mbështetur pozicionin e lartë nga shkruan për të shigjetuar gjithë botën, i vë për shtylla argumentimit të vet citate nga njerëz të mëdhenj të botës. Në shkrimin konkret këta janë: Maks Veberi, Solomoni, Ceslav Miloshi, Liza në botën e çudirave, Shekspiri, Poperi, Frojdi, Kanti, Krishti, Rusoi, Heidegeri. Po ta keni vënë re, Lubonja kurrë nuk citon një shqiptar, ndoshta diku mund të ketë cituar qameti-qameti Nolin ose Konicën, por bashkëkohës kurrë në botë. Sepse bashkëkohësit shqiptarë për të janë figura të përçmuara e të urryera, natyrisht me përjashtim të njërit.

Një paradoks të madh vërej, para se të kaloj në veprën konkrete, te këta dy recensionues. Në faturën e gjatë që i tregojnë Ramës nga e kaluara e tij, për ta skualifikuar si autor, ata theksojnë përçudnimin që u ka shkaktuar ky politikan mediave shqiptare. Shkruan Lubonja: kohët kanë ndryshuar, por jo pa pasoja të rënda kur ke parasysh shkatërrimin që i shkaktoi Tiranës apo sistemin e tmerrshëm mediatik që krijoi nëpërmjet pushtetit të tij. Ndërsa Shkullaku: Edi Rama jo vetëm që nuk u bë shembulli i hapjes së politikës, por e mbylli atë edhe më shumë, korruptoi gati të gjitha mediat, majtas e djathtas. Kush nuk i njeh këta dy personazhe, do të mendojë se ata punojnë, nga pozicioni i pastër ku shkruajnë, për media alternative, të paprekura nga sistemi korruptiv dhe i tmerrshëm mediatik që ka lënë pas Edi Rama. Mirëpo në të vërtetë punojnë të dy për mediumin privat më të kapur e më proqeveritar që është vënë re ndonjëherë në këtë vend: Lubonja si emblemë e emisionit Opinion, Shkullaku si përgjegjës i klan Kosovës; për të vargjet e Migjenit do mund të përshtateshin fare kollaj: për këtshërbim i ka thanë Franga, pa i lanë nfytyrë, çarçafë e ndërgjegje danga.

E pra, nëse autori i Kurbanit do të ishte një herë i pabesueshëm për ndonjë objektivitet në librin e tij, recensionuesit e Kurbanit janë dhjetë herë të pabesueshëm nga llogorja mediatike prej nga e sulmojnë.

Po unë çpata në këtë mes? Desha të kundërshtoj gënjeshtrat e Lubonjës? Jo, kam një arsye tjetër që do ta shtjelloj më poshtë, por meqë ra fjala për gënjeshtrat, njërën do ta hedh poshtë. Lubonja shkruan se Asgjë nuk ka të vërtetë në atë që thotë Rama se ai u fut rastësisht në politikë, më 1998-n… Edi Rama po përgatitej (me servilizma pa fund ndaj Nanos, së bashku me sivëllain e tij, Ardian Klosin) të bëhej ministër.

Jetoja ato kohë, në muajt e parë të vitit 1998, në Mynih, të ardhurat e mia në marka luhateshin nga 5000-7000 euro në muaj me të sotmet, përpara kisha një karrierë mjaft premtuese universitare. Nga shkurti-marsi filluan telefonatat e Edit nga Parisi, meqë nga njohja e tij me Fatos Nanon kishte lindur ideja që të ktheheshin disa si ne në Shqipëri e të jepnim një dorë në shtetin e sapongritur nga rrënimi i 1997-s. Ngurrimi im ishte tepër i madh, por pse ta mohoj: i madh qe edhe tundimi për të ikur nga një strehëz sa e ngrohtë aq edhe monotone, për ti hyrë diçkaje që dukej vërtet e madhe, një shansi që të jepet ndoshta vetëm një herë në jetë. E kështu e lamë me Edin të shkojmë njëherë në Tiranë në fillim të prillit e të shohim gjendjen. Erdha në Tiranë me gjithë familjen… mirëpo Edi nuk erdhi. Kuptova që lëkundja e tij për të lënë Parisin ishte edhe më e madhe se imja për të lënë Mynihun. Mirëpo tamam ato ditë ndodhën ato që dihen, vdekja e Kristaqit, ardhja e Edit, ristrukturimi i qeverisë, emërimi i tij ministër etj. Nuk kam pse dëshmoj më shumë për të kundërshtuar gënjeshtrat e Fatosit, servilizmat që i paskam bërë Nanos unë, njeriu që pranoi të bëhej drejtor i RTSh-së me 50.000 lekë rrogë në muaj duke shitur gjithçka kishte në Gjermani, që përktheu kushedi sa libra të botës, kur Fatosi grinte sallatë nëpër Opinione, për të rritur fëmijët e pikërisht për të mos iu servilosur askujt.

Ndërkohë që e dhashë të kuptohet pse është aq i rreptë në sulmin e tij Shkullaku (Franga), për Fatosin nuk e kemi përcaktuar ende shkakun e rreptësisë ndaj Edit: bindja ime personale dhe është personale edhe pse i njoh aq mirë personalisht të dy personazhet në fjalë është që Edi Rama në shumë pikëpamje ësht

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›