E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andia Xhunga ne Durres me Andin Normanin dhe Sofine

Shfaqja Vepra e shkruar nga Neil Simon, vjen në kuadër të Festivalit Teatror të të Rinjve

Një është shumë... dy janë tepër... imagjinoni tre... Nën këtë grishje komedia "Andi, Norman... dhe Sofi" e amerikanit Neil Simon, me regji të Andia Xhungës është shfaqur me sukses në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Vepra, vihet për herë të parë në një skenë shqiptare. Pavarësisht temperaturave të ulëta dhe mungesës së reklamës paraprake, salla e teatrit është mbushur me artdashës, të cilët kanë parë lojën e tre aktorëve të shfaqjes, konceptin regjisorial dhe skenografinë e përzgjedhur me kujdes. Regjisorja Andia Xhunga ka zgjedhur qytetin e lindjes për të prezantuar premierën e shfaqjes së saj që është vënë në skenë në kuadër të Festivalit Teatror të të Rinjve. Përgjatë dy mbrëmjeve, komedia është mirëpritur nga artdashësit durrsakë, veçanërisht për temën që trajton, detajet regjisoriale dhe interpretimin. Batutat e aktorëve Indrit Çobani, Ervin Doko dhe Eftiola Laçka kanë shkaktuar jo vetëm të qeshura në sallë, por edhe reflektim mbi marrëdhëniet që vendosen mes individëve dhe që ndonjëherë vihen në rrezik për shkak të ndjenjave dhe rrethanave që përfshihen në to. Në qendër të komedisë amerikane është një histori dashurie, po jo vetëm kaq. Andi dhe Norman e sigurojnë jetesën me fitimet që nxjerrin nga botimi i artikujve të ndryshëm në revista, artikuj që ndonjëherë bien ndesh me sistemin shoqëror në Amerikë dhe dëshira e tyre është të bëhen të pasur përmes publikimit të një komedie. Raporti miqësor mes Andit të interpretuar nga Indrit Çobani dhe Normanit të interpretuar nga Ervin Doko vihet në diskutim, kur në jetën e tyre shfaqet ashtu si rastësisht Sofia. Ajo merr një apartament me qira pranë dy shokëve dhe pas kësaj lind një trekëndësh dashurie që rrezikon miqësinë e Andit me Normanin. Por shfaqja është konceptuar me një fund të lumtur dhe njëri prej djemve tërhiqet duke lënë dashurinë dhe miqësinë e vërtetë të triumfojë. Aktorët e mbajtën të gjallë me ritëm dhe batuta vëmendjen e publikut në sallë përgjatë të gjithë shfaqjes dhe në këtë funksion duket se ishte konceptuar edhe skenografia e realizuar nga Genc Shkodrani. Regjisorja e teatrit profesionist të Durrësit, Driada Dervishi, duke vlerësuar shfaqjen e Xhungës tha se ajo është punuar me dashuri dhe detaje, duke ofruar ngrohtësi te publiku. Komedia që konkurron për të marrë çmimin e Festivalit Teatror të të Rinjve i përket dramaturgut dhe skenaristit amerikan, Neil Simon. Veprat e tij shumë të suksesshme në Broduej interpretohen rregullisht në skena të ndryshme të botës. Ato vlerësohen për temat që prekin dhe dialogun. Më 23 dhjetor, “Andi, Norman dhe Sofi” do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar, natën kur do të ndahen dhe çmimet e festivalit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›