E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kundershton Zgjedhjet jane te manipuluara nga Lukashenko

Bjellorusi Priten protesta, edhe pse kushtet klimatike janë të rënda

Zgjedhjet në Bjellorusi pritet t’ia zgjasin mandatin 16-vjeçar Presidentit Aleksandër Lukashenkos, edhe për pesë vitet e ardhshme. Të nëntë kandidatët kundër Lukashenkos kanë pasur probleme administrative, të cilat janë bërë të rëndomta për cilindo kandidat opozitar në Bjellorusi. 
Ende pa përfunduar votimi, shumë kandidatë të opozitës kanë njoftuar për manipulime dhe parregullsi zgjedhore. Ata kanë bërë thirrje për protestë në “Sheshin e Tetorit” në Minsk, pas mbylljes së procesit të votimit. Në mesin e tyre është ish-zëvendësministri i Jashtëm, Andrei Sanikau, i cili dha dorëheqjen më 1996 dhe iu bashkua opozitës kundër Lukashenkos. Kandidati për president - kreu i lëvizjes opozitare “Thuaje të vërtetën”, Vladimir Neklajev, pritet të dalë i dyti pas Lukashenkos. Ai tha se i vetmi mekanizëm për të kundërshtuar manipulimet zgjedhore është pjesëmarrja në protestë pas mbylljes së votimit. 
Korrespondentët në Bjellorusi thonë se entuziazmi politik është i vogël në mesin e temperaturave që ngrijnë dhe rrugëve me borë dhe akull të Minskit. Kjo rrit dyshimin se “Sheshi i Tetorit” mund të mbledhë protestues të mjaftueshëm për të pasur efekt. 
Bashkimi Europian është munduar që ta dobësojë regjimin autoritar të Lukashenkos dhe ka kushtëzuar ndihmën e ardhshme financiare për Bjellorusinë, me të paktën një lustër drejtësie. 
Brukseli do të njoftohet nga 400 vëzhguesit e OSBE-së, të cilët janë shpërndarë në tërë vendin dhe do të raportojnë të hënën mbi ecurinë e zgjedhjeve. Gjetjet e vëzhguesve të OSBE-së, së bashku me margjinën e fitores së Lukashenkos dhe mënyrës se si forcat e sigurisë merren me protestën opozitare, do të përcaktojnë se deri ku mund të shkojë BE-ja në angazhimin e saj karshi Bjellorusisë në të ardhmen. Në anën tjetër, Lukashenko duket se ka rivënë raportet me Rusinë. Moska ishte e zemëruar me disa politika të jashtme dhe kishte qortuar Lukashenkon. Kjo kishte rritur shpresat te BE-ja se Lukashenko mbase mund të lejojë hapjen e ekonomisë dhe të lirojë pushtetin e tij autoritar në këmbim të mbështetjes financiare të BE-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›