E Diel, 1 Nëntor 2026

Karmieli, qyteti izraelit, binjak me Beratin

BERAT - Karmieli ka qenë një ndër qytetet e para në Izrael, i cili u ndërtua sipas një master-plani urban, dhe në vitin 1981 mori çmimin "Izraeli i Bukur" dhe Çmimin "Kaplan", për menaxhimin e shërbimeve publike në qytet. Kryetari i Bashkisë është Adi Eldar, i cili në muajin korrik të këtij viti ftoi kryetarin e Bashkisë Berat, Fadil Nasufi për një vizitë, me qëllim vendosjen e lidhjeve të bashkëpunimit ndërmjet dy qyteteve respektive. Karmieli shtrihet në këmbët e malit Shagor, i cili kufizohet me malin Hazon në lindje dhe malin Gilon në perëndim. Përgjegjësja e zyrës së turizmit në Bashkinë Berat, Eva Dhima në një rrëfim për "Gazeta Shqiptare" thotë se qyteti ka një sipërfaqe prej 24 km². Karmieli rrethohet nga një peizazh mahnitës dhe me ajër të freskët e të pastër të maleve që e rrethojnë. Janë 70 parqe në qytet, sipërfaqe të gjelbra, kopshte dhe terrene sportive rekreative, të cilat ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës dhe të mjedisit. Mosha mesatare e popullsisë është relativisht e re, 39 vjeç. Sistemi arsimor i Karmielit është ndër më të mirët në vend, duke filluar nga arsimi parashkollor e deri tek degët universitare të inxhinierisë. Në qytet është krijuar një rrjet i qendrave komunitare, i cili mbulon të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive përfshirë: palestrat e atletikës, të gjimnastikës, stadium futbolli, fusha basketbolli, fusha tenisi, pishina, dhe një klub me facilitete të cilësisë së lartë për sportet që zhvillohen në salla. Amfiteatri i hapur i Karmielit ka një kapacitet prej 25.000 vendesh dhe shërben si një vend për eventet kryesore: Festivali Ndërkombëtar i Dancit, Festimet e Ditës së Pavarësisë dhe koncerte. Gjatë muajve të verës zhvillohen disa aktivitete kulturore në ambiente të hapura dhe në rrethinat e qytetit. Karmiel ka një bibliotekë publike me 70.000 volume librash dhe disa klube private kulturore. Në qytet ndodhet edhe një qendër kulturore e hapur me 800 vende që ofron teatro, koncerte, performancë kërcimi, programe të ndryshme dhe filma. Jeta e natës është tepër e zhvilluar me shumë klube rinore dhe ambiente për argëtim. Festivali Ndërkombëtar i Dancit, i cili zhvillohet në tri net magjike në korrik, mbledh 250.000 njerëz që marrin pjesë në të, duke e kthyer në festen më të rëndësishme në qytet. Qyteti ka marrë certifikatën ndërkombëtare ISO 12000 për cilësinë e mjedisit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›