Rihapet kinema Agimi
Kinemaja e rikonstruktuar do të çelet mbrëmjen e 24 dhjetorit. Një investim madhor garanton teknologjinë më të fundit dhe transmetimin në 3D, ndërsa për nostalgjikët edhe formatin 35 mm. Premiera botërore dhe titujt më të suksesshëm do të shfaqen në një ekran të teknologjisë së fundit në një sallë me 116 vende
Përmes skelave të vendosura mbi fasadë, ndonëse me shkronja të venitura boje, arrin të lexosh kinema “Agimi”. Njolla boje, punëtorë që hyjnë e dalin e ndonjë kokë kureshtare që zgjatet vjedhurazi lajmërojnë se diç po ndodh. Kalon pragun dhe nuk sheh më muret gjysmë të rëna, vraga uji si plagë të këtyre viteve në muret e kinemasë së vjetër, perdet e vjetra apo karriget prej druri të shkarravitura e të dëmtuara. Në vend të tyre, gjithçka e teknologjisë së fundit. Kinema “Agimi” do të rihapet. Kanë ngelur vetëm pak ditë punë dhe ritmet me të cilat punohet janë sfiduese. Për nostalgjikët, por edhe për adhuruesit e rinj të filmit, kinema “Agimi” hap dyert më 24 dhjetor. Nata e Krishtlindjeve është zgjedhur si një ogur i mirë nga drejtuesit. “Meqenëse është një ditë e shënuar besojmë se do të jetë edhe një ditë me fat”, thotë Altin Prifti, drejtuesi i rrjetit të kinemave “Imperial”. Filmi që do të shfaqet së pari në ekranin e kësaj kinemaje është premierë botërore. “Tron Legacy”, një prodhim i “Walt Disney”, është konsideruar si filmi më i pritur i vitit sipas parashikimeve të kritikëve të filmit, i krahasueshëm me “Avatarin”. Kinema Agimi, kinemaja me një histori më se mbi 50-vjeçare do të jetë e dyta sallë në teknologjinë 3D. Në fakt, projekti për rikonstruksionin e kinemasë, i shpallur fitues në një tender të organizuar nga Bashkia e Tiranës, përveçse funksionit të godinës, ka ruajtur thuajse të paprekur strukturën e kinemasë së vjetër. Madje edhe emri do të mbetet i njëjti, një zgjedhje e diktuar ndoshta nga popullariteti i kësaj kinemaje. “Ka qenë një ndër qëllimet tona të ruajmë strukturën ekzistuese. Veç faktit që nuk është prishur asgjë në strukturë, ne kemi menduar që gjithçka të mirë që ka mbartur ndër vite kjo kinema ta sjellim të gjallë këtu e për këtë arsye, edhe pse salla është konceptuar si një sallë moderne e stilit dixhital 3D, ne do të kemi për spektatorin edhe standardin 35 mm për të shfaqur filma, të cilët mund të jenë shqiptarë a të huaj, të cilët spektatori i ka ndjekur në këtë lloj formati në këtë kinema”, thotë Altin Prifti. I hartuar nga firma gjermane “Cineprojekt”, rikonstruksioni i kinema “Agimi” ka përfshirë mbi 200 arkitektë, punonjës, specialistë e teknikë. Pjesa e saj e brendshme ndryshon nga dita në ditë. Kolonat anësore janë lyer, platformat e karrigeve janë gati dhe skeleti i ekranit po ashtu. Gjithçka e bërë në një muaj. “Kjo është vetëm puna që e bërë në terren. Një kohë të mirë kemi punuar me dyer të mbyllura me projektet. Po punohet me ritme të shpejta që të hapet në datën e caktuar. Është një eveniment që meriton mjaft vëmendje, sepse pas afro 60 vitesh që nga koha kur kjo kinema është krijuar, po arrijmë që t’i japim jetë edhe një herë kësaj kinemaje që mbart jo vetëm nostalgjinë, por që do të rigjallërojë shumë jetën kulturore dhe artistike të kryeqytetit”, thekson Prifti. Nëse kthehemi vite pas, kinema “Agimi” ka pasur një histori të lavdishme. Deri në vitin 1961, e gjendur në një zonë ku banonin familjet e sovjetikëve që punonin në Shqipëri, mbiquhej “kinemaja e sovjetikëve”. Ata që sot janë në moshën e tretë tregojnë se në dyert e kësaj kinemaje mbahej radhë për të hyrë. Me ndërrimin e regjimit, ashtu si për shumë kinema të tjera edhe për “Agimin” mbaroi koha e shkëlqimit. Në karriget e saj nuk uleshin më ata që e donin filmin. “Agimi” mori një tjetër përcaktim: kinemaja erotike. Në orët e vona shfaqeshin filma porno. “Agimit” po i kthehet sërish shkëlqimi. A do të ketë të njëjtën periudhë të lavdishme? “Duke qenë se kemi perfeksionuar teknologjinë, po mundohemi të tërheqim njerëzit në kinema jo vetëm me investim, por edhe me strategjitë tona të shpërndarjes së filmit dhe të shfaqjes. Kemi menduar të jemi ne të parët që marrim flamurin në dorë dhe u themi shqiptarëve se duhet të vini në kinema. Jemi ne, një grup investitorësh që e kemi marrë përsipër këtë gjë, do mundohemi ta bëjmë edhe besojmë se do t’ia arrijmë”, thotë Prifti. Ndonëse një risk ekonomik, “Agimi” do të kthehet me funksionin e saj të dikurshëm, por e ardhur në kohë. Është investuar sidomos për parametrat e izolimit. E ndodhur në mes të një lagjeje, ku poshtë saj ka aktivitete tregtare dhe mbi tavanin e saj banojnë familje, Prifti garanton që ndotja akustike do të jetë zero. “Gjëja më specifike që ka kjo kinema, që nuk e ka parë asnjë kinema tjetër në Tiranë, janë parametrat e izolimit akustik. Nuk do të ketë ndotje akustike të asnjë lloj rrjedhjeje. Çdo gjë është kthyer në një laborator totalisht të presuar sa i takon përçimit të zhurmave. Është bërë një izolim super i kushtueshëm në parametra maksimalë të saj”. Salla do të ketë 116 vende, nga i pari tek i fundit të shfrytëzueshme për sa i përket këndit të shikimit apo rehatisë. Në fakt, kapaciteti normal duhet të ishte rreth 170-180 karrige, por investuesit kanë preferuar më mirë komoditet sesa kapacitet. Nga ana tjetër, “Agimi” do të jetë e vetmja kinema që do të qëndrojë e hapur deri në orët e para të mëngjesit. “Kinemaja do të jetë rreth 18 orë e hapur. Për herë të parë do të shërbejë edhe kinemaja e orës së vonë. Do të kemi filma të studiove më në zë të Hollivudit, por edhe seanca që vijojnë pas mesnate e që shkojnë deri në orët e para të mëngjesit”, thotë Prifti. Meqë jemi te filmat, kjo kinema do të sjellë në kohë reale filmat më të rinj. Administratori garanton se kjo do të vlejë edhe për titujt më në zë, siç është “Pirati i Karaibeve 4”, “Misioni i Pamundur”, “Iron Man”, “Harry Potter 7”, pjesa e dytë e shumë tituj të tjerë. Investimi tashmë është bërë. Në katër vjet të krijimit të rrjetit “Imperial” një grup investitorësh dhe miqsh kanë pasur vullnetin dhe dëshirën të bëjnë diçka për jetën kulturore në Tiranë. Suksesi i kinemasë më të re pritet të shihet. “Kemi menduar që të paktën këtij qyteti t’i japim më shumë se një kinema. Tanimë janë bërë gjashtë salla. Pavarësisht kostove financiare, por edhe energjive të harxhuara, besojmë se ia vlen të kthejmë traditën e magjisë së kinemasë”, përfundon Prifti.