Andis Harasani: Po ideojmë një angazhim të ri politik, s’kam kohë për“kockat” e Edi Ramës

Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani nuk do të pranojë postin e dhënë nga Asambleja Kombëtare e kësaj partie. Një fakt i tillë u bë i ditur dje nga vetë deputeti Harasani, i cili në një mesazh të shkurtër në rrjetin social “Facebook” informoi se për shkak të planeve të tjera që ka, nuk mund të pranojë detyrën në PS.
“Të dashur miq, për arsye të planeve të tjera, duke falënderuar për besimin nuk mund ta pranoj detyrën e ofruar nga ana e Asamblesë së PS-së. I uroj suksese të gjithë të votuarve”, citohet në adresën personale të deputetit socialist.
Në punimet e dy ditëve më të parë të Asamblesë Kombëtare të PS, deputeti Harasani u propozua nga Rama në krye të Grupit të Punës për Energjinë, bashkë me 20 deputetë dhe përfaqësues të kësaj partie në grupet e tjera.
Më herët, Harasani ka qenë pjesë e Kryesisë së PS-së në postin e Sekretarit për Programin Politik, post i cili dy ditë më parë me zgjedhjet e reja që u zhvilluan për zgjedhjen e Kryesisë dhe Sekretariatit, iu dha ish-deputetit socialist, Ilir Beqja.
Refuzimi i Harasanit ishte një zhvillim i pritshëm për vetë qëndrimin e tij kritik, por njëherazi edhe për politikën grabitqare të ndjekur nga Rama përgjatë 2 viteve të fundit. Të premten e kësaj jave Rama përjashtoi nga përbërja e kryesisë së re dy nga kritikët e linjës së tij radikale politike, Kastriot Islamin dhe Andis Harasanin, deputetë të disa legjislaturave dhe dy figura të njohura të Partisë Socialiste dhe të së majtës politike.
Në mbledhjen e asamblesë e cila do t’i numëronte votat në mënyrë elektronike për kreun e këtij forumi, sekretariatin e ri si dhe kryesinë e re, Edi Rama lançoi kandidatët në konkurrim sigurisht pa dhënë shumë arsye për shmangien e qëllimshme të atyre që mendojnë ndryshe ndonëse tha se di të bashkëjetojë edhe ta. Kastriot Islami s’figuroi në asnjë nga propozimet, ndërsa Andis Harasani largohet si sekretar politik, duke humbur kështu të drejtën për të qenë anëtar i kryesisë.
Për Harasanin ka një “kockë” në qarkullim, ajo e grupit të punës për Energjinë, por jo më larg se dje ai refuzoi çdo metoditë antagoniste të Ramës për të përçarë grupin që kundërshton politikën e ndjekur nga brezi i dytë i nomeklaturës komuniste. Lançimin e emrave si kandidatë për kryesinë e re kryetari i PS-së e shoqëroi dhe me një kritike mbi mënyrën sesi ka funksionuar ky forum të paktën gjatë dy viteve të fundit. Këtu z. Rama pranoi dhe kontributin e tij të posaçëm në paralizimin e këtij forumi të Partisë dhe kjo nisur nga ndasitë e forta në qëndrime të disa emrave të rëndësishëm të Partisë me kryetarin. Ndaj, Rama si zgjedhje mes kritikave të forta ndaj tij të pas 2009-ës, të Blushit, Malajt, Harasanit, Islamit etj,. zgjodhi rrugën e zgjatjes 2 vjeçare të procesit për zgjedhjen e anëtarëve të kryesisë. Përjashtimi i Islamit dhe Harasanit nga të gjitha forumet drejtuese të Partisë Socialiste, vjen pas lënies jashtë Asamblesë në Kongresin e 5 nëntorit të disa figurave të tjera drejtuese të partisë, të njohur si kritikë të politikes radikale 2 –vjeçare të kryetarit Rama. Megjithatë, në reagimin e djeshëm të z.Harasani, ka shumë dritë – hije.
Përpos urimit që ai i bën të gjithë të zgjedhurve në Kryesi dhe Sekretariat, normalisht kolegë dhe miq të tij, deputeti socialist Andis Harasani, shpalos publikisht angazhimet e reja të tij, jo vetëm personalisht, por edhe të një pjese të mirë të kundërshtarëve politik të Ramës. E thënë shkurt, as më shumë e as më pak, dhimbjet e kokës për Ramën do shtohen edhe më tej, në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe pas 18 muajsh atyre për Kuvendin e Shqipërisë. Si do mundë Rama t’i bashkojë zërat brenda PS-së, të cilët janë gati të hedhin në tregun politik partinë e re? Kjo mbetet për t’u parë. Gjithsesi risku i përçarjes së madhe është në prag, për të mos thënë se, Edi Rama dhe shpura e tij politike ndodhen në fazat e fundit të grahmës politike para – zgjedhore...