Kume: Kodi i ri zgjedhor, i pranueshëm nga të gjitha palët

Ish kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve dhe një nga ekspertët e çështjeve zgjedhore në vend, Kristaq Kume shpreh besimin se Kodi i ri zgjedhor do jetë një produkt i pranueshëm për të gjitha palët e interesuara. Ndërsa komisioni i posaçëm parlamentar i reformës zgjedhore ka zhvilluar takimin e parë, ekspertët thonë se nëse ka vullnet mes palëve Kodi mund të realizohet në kohë si dhe të përbëjë një standard të mirëfilltë demokratik, duke u pranuar nga të gjitha forcat politike. Në këtë drejtim ish kryetari i KQZ Kristaq Kume thotë se nëse palët bien dakord mund të ndërhyhet edhe në Kushtetutë për sa i përket sistemit, në mënyrë që të realizohet një Kod i pakontestuar.
“Të dyja palët duhet të kenë vullnete të shprehura qoftë në sistem nëpërmjet prekjes së Kushtetutës, qoftë edhe në dispozitat e parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe që e rregullojë një gjë të tillë. Rruga e cila mundëson pasqyrimin sa më real të vullnetit të shqiptarëve në strukturën e parlamentit, nuk kalon vetëm nga Kushtetuta”- u shpreh Kume. E rëndësishme thotë Kume është që zgjedhjet e reja të nxjerrin një qeverisje dhe parlament të qëndrueshëm. Për sa i përket formës së sistemit zgjedhor thotë se kjo është çështje dakordësie mes palëve. “Të gjendet zgjidhja e ndërmjetme optimale mes dy faktorëve shumë të rëndësishëm. Nga njëri krah është faktori që ka të bëjë me domosdoshmërin ë ndërtimit të një strukture në parlament që të pasqyrojë vullnetin e shqiptarëve dhe e dyta që të prodhojë një qeveri të qëndrueshme”- deklaron ish kreu i KQZ, Kristaq Kume. Duke iu referuar standardeve që duhen plotësuar në zhvillimin e zgjedhjeve, Kume thekson se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për vitin 2009 dhe për këtë vit janë rruga më e mirë se si mund të përmirësohet cilësia e zgjedhjeve.