E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andora njeh pavarësinë e Kosovës- priten edhe 5 shtete të tjera

09-06-2011 / Gazeta 55

Principata e Andorës, ka pranuar zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke shtuar numrin e njohjeve në 76. Konfirmimi zyrtar është dërguar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Principata e Andorës kufizohet nga Franca dhe Spanja. “Kjo njohje vjen në kohën kur Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës po ndërmerr përpjekje maksimale për përmbylljen e procesit të njohjeve”- thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Njohja nga Andora, pason edhe njohjen e Kosovës disa muaj më parë nga Omani, një shtet arab në jugperëndim të Azisë i cili shënoi edhe vendin e 75-të që njohu Kosovën si shteti i pavarur dhe sovran. Shteti i Omanit ka përcjellë njohjen e Kosovës si shtet tek ambasada e Republikës së Kosovës në Londër.
Ndërkaq, edhe rreth pesë shtete pritet ta njohin pavarësinë e Kosovës këtë vit. Ky paralajmërim është bërë nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli i cili ka theksuar se njohjet do të ndodhin gjatë sezonit të verës duke dhënë edhe detaje për shtetet të cilat shumë shpejt do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Në mbledhjen e Qeverisë, Pacolli ka raportuar gjatë për udhëtimet e fundit në Afrikë ndërsa ka shtuar se gjatë takimit me Presidentin e Guinea Conakry më 22 maj, është siguruar se në seancën e radhës që mbahet këtë të enjte, do të trajtohet tema e njohjes së Kosovës dhe kjo sipas tij do të japë rezultate.
“Kam takuar Presidentin e Beninit dhe ky vend është në kontakt me ne. Ne i kemi dërguar Beninit një draft të letrës që kishim dashur që ata ta nënshkruajnë dhe ta njohin Kosovën. Togoja po ashtu është një vend, i cili sigurisht do ta njohë Kosovën, edhe pse kjo duhet të kalojë në Parlamentin e tyre”, u ka thënë Pacolli kolegëve të tij në Qeverinë e Kosovës.
Gjatë raportimit për turneun e tij lobues në Afrikë, Pacolli ka përmendur të gjitha vendet e vizituar dhe premtimet që ai ka marrë atje. “Më datën 19 maj, kam filluar një mision lobues, ku së pari kam udhëtuar për në Vjenë, ku kam takuar Abdulla Sharief, përfaqësues i Sudanit në Kombet e Bashkuara”- ka theksuar Pacolli.
Mbrëmë Andorra ka qenë shteti i 76 që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë: Pavarësia e Kosovës, proces i pandalshëm

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë përshëndeti të enjten vendimin e Principatës së Andorës për njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
“Ky vendim vlerëson progresin e bërë në Kosovë, si dhe kontribuon për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit”- thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme.
MPJ vlerëson se “procesi i njohjeve është i pandalshëm, me ndikim të drejtpërdrejtë në konsolidimin e standardeve demokratike në Kosovë, me forcimin e stabilitetit në rajon. Sikurse e ka cilësuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pavarësia e Kosovës është në përputhshmëri të plotë me të gjithë ligjet e të Drejtës ndërkombëtare”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›