Kuvendi miraton projektligjin që përcakton formulën e privatizimit të 4 HEC-ve

Kuvendi miratoi sot me 73 vota p/ligjin që përcakton formulën e privatizimit të katër hidrocentraleve: të Ulëzës, Shkopetit, Tiranë-Lanabregasit, si dhe HEC-in Bistrica 1 dhe Bistrica 2.
Nisma e ndërmarrë nga Ministria e Ekonomisë dhe që synon përgatitjen ligjore të privatizimit të këtyre veprave energjetike parashikon nxjerrjen në privatizim të dy HEC-eve të Bistricës, si dhe atyre të Ulzës dhe Shkopetit.
Gjatë seancës së sotme parlamentare, ku mungonin sërish deputetët e opozitës, Kuvendi dëgjoi raportimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2010.
Në fjalën e tij Fullani vuri në dukje se gjatë vitit 2010 ekonomia shqiptare pati zhvillim pozitiv me një aktivitet në rritje dhe shënoi përmirësim të stabilitetit makro-ekonomik e të treguesve të shëndetit financiar.
Gjithashtu, në seancën e sotme u miratuan dhe disa projektligje të tjera të rëndësishme për ekonominë dhe mjedisin, si dhe p/rezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së institucionit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2010”.