E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andrea Demçe do të përjetësojë Nolin

Konkursi Galeria Kombëtare e Arteve shpall skulptorin fitues të konkursit për bustin e Fan Nolit. Do të vendoset në vendlindjen e tij, në Ibrik Tepe të Turqisë

U shpall dje fituesi i konkursit për realizimin e bustit të Fan Nolit, që do të vendoset në vendlindjen e tij, në Ibrik Tepe të Turqisë. Komisioni, i përbërë prej kryetarit Rubens Shima dhe anëtarëve Gazmend Leka e Suzana Varvarica Kuka, pasi ka vlerësuar çdo bocel të ardhur për këtë konkurs, ka shpallur fitues bocelin e skulptorit Andrea Demçe. Vlerësimi i komisionit u dha rëndësi dy fakteve kryesore që lidhen me pamjen që duhet të ketë busti dhe portreti i Fan Nolit. Gjithashtu, iu dha rëndësi dhe vendit ku do të vendoset, që nuk është një mjedis shqiptar dhe që nuk jetohet nga shqiptarët. Këto fakte janë dhe kërkesa të cilësuara në dokumentin e shpalljes së konkursit nga GKA Tiranë. Sipas organizatorëve, ato lidhen ngushtësisht me arritjen përfundimtare, si respektimi i drejtimit artistik realist që duhet të ketë modeli skulpturor dhe pamjen intelektuale dhe fizionominë e afërt me personalitetin e Fan Nolit. Komisioni përzgjodhi modelin e sjellë nga skulptori Demçe, pasi sipas tyre ai mbart në konsideratë të dukshme kërkesën për një portret zyrtar, vlerë të konsiderueshme artistike dhe të hijeshisë intelektuale. Mbi modelin fitues u diskutua thellësisht dhe u argumentua se vlerat e tij më të arrira janë përqasja me ngjashmërinë e karakterit vizual dhe me frymën e fizionomisë dhe personalitetit intelektual të Fan Nolit. Gjithashtu vlerë në këtë model pati edhe cilësia ekzekutive e elementëve të formës modeluese dhe e kalimeve të buta nga volumi në volum. Komisioni la si detyrë të ndiqet në faza të ndryshme kohore realizimi i bustit që nga modelimi e deri në derdhjen në bronz nga anëtarët e tij. Busti do të vendoset në një hapësirë pranë sheshit "Republika" të qytetit Ibrik Tepe të Turqisë, ku ka lindur figura e shquar kombëtare, Fan Noli. Kompozimi i bustit do të përfshijë pamjen realiste e figurative të portretit të Fan Nolit deri në mesin e gjoksit. Lartësia e bustit duhet të jetë 105 cm, gjatësia 70 cm, ndërsa gjerësia e tij 50 cm. Materiali i fortë përfundimtar i bustit është bronzi dhe derdhja në të do të realizohet në QRVA, Tiranë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›