E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi bëhet gati për ti raportuar Fules

Komisioneri i Zgjerimit në BE do të marrë në provim qeverinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e djeshme të qeverisë ka kërkuar nga ministrat e kabinetit të tij që të përmbyllin të gjitha përgatitjet në procesin që del në kuadër të zbatimit të kritereve demokratike për integrimin europian, në prag të vizitës së komisionerit për zgjerim të Bashkimit Europian Stefan Fuele, i cili pritet ta vizitojë Kosovën javën e ardhshme. Thaçi u ka thënë ministrave që të kryejnë detyrat e tyre përkatëse, në mënyrë që vizita e komisionet europian t'i gjejë të gjithë të përgatitur. "Siç e dini, në javën e ardhshme do të kemi për vizitë në Republikën e Kosovës komisionerin për zgjerim të Bashkimit Europian. Ju ftoj të gjithëve që t’i përmbyllni të gjitha përgatitjet e duhura në procesin tonë, i cili del në kuadër të zbatimit të kritereve tona demokratike për integrim në BE, implementimin e të gjitha detyrave që ka çdo ministri përkatëse. Së shpejti do të pranojmë udhërrëfyesin për marrëdhënie tregtare, presim edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave", ka thënë Thaçi. Ai ka theksuar se edhe ritmi i projekteve madhore në Kosovë vazhdon të jetë në rrugën e duhur dhe se së shpejti do të finalizohen disa prej tyre.

Në vazhdim të mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Thaçi ka thënë se brenda dhjetë ditësh do të përmbyllet procesi i marrëveshjes mes qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Bechtel&Enka” për fillimin e autostradës Vërmicë-Merdar. "Së shpejti, brenda 10 ditësh do të përmbyllet i gjithë procesi i finalizimit të marrëveshjes mes qeverisë së Kosovës dhe kompanisë "Bechtel&Enka" për fillimin e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merdar", ka thënë Thaçi. Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka miratuar shumën prej 239 mijë e 972 eurosh për shpenzimet e zgjedhjeve në Gjilan, Istog dhe Partesh, ndonëse kërkesa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte që ky buxhet shtesë të jetë 461 mijë 943 euro. Kabineti qeveritar ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për rritjen e stafit prej 71 pozitash për oficerët korrektues për fillimin e punës në burgun për dëshmitar të dënuar, të mbrojtur, në Dubravë. Ndërkohë, pas shumë diskutimesh për projektligjin e punës, kabineti qeveritar ka vendosur që ta kthejë edhe një herë këtë projektligj për ta diskutuar dhe harmonizuar më tej. Qeveria ndërkohë ka miratuar projektligjin për grevat, për të cilin Kryeministri Thaçi ka thënë se është i domosdoshëm, sepse rregullon të drejtat e punëtorëve për grevë, udhëheqjen dhe kohëzgjatjen e grevës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›