Andrea Mano, Luan Topçiu dhe Durim Hushi marrin në dorëzim flakën e fitores

Mitingje madhështore në Pogradec, Elbasan dhe Korçë. Mijëra veta bekojnë administrimin e ri të Andrea Manos në Korçë, Luan Topçiut në Pogradec dhe Durim Hushit në Elbasan dhe përshëndesin alternativën e çlirimit të bashkive nga klonet e Edi Ramës dhe kthimit të tyre tek qytetari Berisha: Qytetet s’do t’i lëmë në Rrugën e Vetmisë
Një entuziazëm i jashtëzakonshëm ishte dje në qendër të qytetit të Korçës, ku Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, zhvilluan mitingun e fundit elektoral, duke mbyllur kështu edhe fushatën për zgjedhjet e 8 majit. Sot në orën 19:30 Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” mbyllin fushatën elektorale përmes një mitingu të madh në sheshin “Nënë Tereza”. Në fjalën e tij, kryeministri Sali Berisha ftoi të gjithë qytetarët korçarë të votojnë në 8 maj kandidatin e Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Andrea Mano. “Të festojmë fitoren e 8 majit”, e nisi fjalën e tij kreu i mazhorancës Sali Berisha në qytetin e Korçës në takimin përmbyllës për zgjedhjet e 8 majit, ku kërkoi votat e qytetarëve për kandidatin Andrea Mano. “Vij këtu me dritën e flakën e fitores, pasi shqiptarët janë sot më të vendosur se kurrë. Qytetarët do votojnë për Shqipërinë në Europë” - tha ai. Duke shtuar se në mendjen e çdo qytetari, Korça është vend i zhvilluar dhe se në vitet që vijnë, do të ketë zhvillime të fuqishme. “Ne jemi qytetarët e sukseseve të mëdha. Forca jonë është besimi tek njëri-tjetri. 8 maji, është verdikt për ëndrrën e Korçës dhe ne do të finalizojmë ëndrrën tonë evropiane”- u shpreh Berisha. Ai vuri në dukje gjithashtu se “asnjë çast s’u morëm me kundërshtarët”. Qeveria në 4 vite ka investuar 40 mln euro dhe Korça meriton 10 herë më shumë. Korçës do t’i ruajmë sokaqet e tregun. Do zhvillojmë Korçën e këtij shekulli të ri dhe ajo do shndërrohet në gjenerator punësimi”, tha më tej Berisha. Kreu i qeverisë vuri në dukje se “në këto zgjedhje ne bëmë gjithçka që morali juaj fisnik të vendoset në piedestalin që meriton, ndaj dhe për asnjë sekondë, për asnjë minutë nuk u morëm me sulme kundër kundërshtarit”. “Qeveria për Korçën dhe korçarët, për të shkurtuar distancën me kryeqytetin, por investon gjysmë miliard euro. Me Andrea Manon do shndërrojmë në realitet çdo projekt që synon përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe qytetit. Do t’i ruajmë qendrën dhe të gjithë identitetin e saj kulturor. Ne do zhvillojmë Korçën moderne, Korçën e një shekulli të ri, Korçën e re që do të jetë në harmoni të plotë me planet urbanistike, arkitekturore”- deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.
Andrea Mano: Korça do votojë për fituesin
Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Korçë, Andrea Mano shpalosi dje dhe njëherë programin e tij para mbështetësve demokratë, duke premtuar rikthimin e traditës dhe kulturës korçare. Sipas tij, qytetarët do marrin në dorë fatet e qeverisjes së mirë në 8 maj, për të shpëtuar përfundimisht Korçën nga amortizimi dhe shkelmimi i vlerave kulturore, qytetare e tradicionale. “Ju premtoj se bashkia e Korçës do ketë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe vetëm qytetarin. Ju premtoj se do drejtoj me përgjegjshmëri ashtu siç e duan qytetarët. Do jetë një bashki që do na përkasë të gjithëve. Qyteti është gati për një epokë të re dhe qytetarët do marrin në dorë fatet e qeverisjes së re në datën 8 maj”- u shpreh kandidati Andrea Mano. Ai tha se, fushata e tij ka qenë e pastër, me strategji dhe alternativa për zhvillimin e qytetit. Kandidati demokrat shtoi se entuziazmi dhe motivimi në rrugët e Korçës, e ka ndihmuar atë që ta përmirësojë atë në këtë përballje dhe se si të vërë idetë dhe projektet në shërbim të qytetarëve dhe jo sulmet ndaj kundërshtarit. “Qyteti i Korçës do marrë një drejtim vizionar. Të gjithë e dimë që qyteti jonë është në gjendje të vështirë, pasi në 47 vitet e fundit jo vetëm që bashkia nuk është kujdesur për të, por ka cenuar bukurinë dhe kulturën e këtij qyteti. Kemi patur një kryetar bashkie që si synim ka patur shkatërrimin e qytetit, ndërtimin e kullave shumë katëshe në qendër të Korçës, s’ka ndërtuar as pazarin e ri. Por, në 8 maj është dita e ndryshimit, ne do vazhdojmë të kemi në konsideratën tonë investimet në pazarin e qytetit të Korçës. Do i rikthejmë këtij qyteti kurorën e gjelbër në krye të qytetit. Kemi patur dhe do kemi në vizionin tonë punësimin e mijëra familjeve. Kemi patur dhe do të kemi në programin tonë ndërtimin e 500 apartamenteve për të zgjidhur përfundimisht problemin e të pastrehëve”- u shpreh kandidati Mano, duke deklaruar se “Korça do votojë për fituesin”. Ai premtoi gjithashtu se investime të tjera do ketë në zhvillimin e sportit, ku veçoi investimet në stadiumin e Korçës, për ta kthyer atë në një stadium të përmasave ndërkombëtare.
Pogradec, Berisha: Qyteti i Lasgushit dhe Kutelit do jetë një qytet evropian
Fillimisht dje paradite kryeministri Berisha do ndalej në Pogradec, për të kërkuar votën e progadecarëve për kandidatin fitues, Luan Topçiu. Gjatë mitingut në qendër të qytetit, në fjalën e tij kryeministri Berisha ka premtuar se 4 vitet që do të vijnë do të jenë vitet e bumit të jashtëzakonshëm turistik jo vetëm të Pogradecit por të mbarë Shqipërisë. “Ne mblidhemi këtu të vendosur që në çdo skaj të këtij rrethi të ndërtojmë ëndrrën tonë europiane. Ne mblidhemi në këtë shesh të vendosur që 4 vitet që vijnë nga Qafë Thana në Qafë Plloçë të kemi një Pogradec me infrastrukturën më moderne”- u shpreh kryeministri. Kreu qeverisë premtoi para qytetarëve pogradecarë se qeveria do të shndërrojë në vlera pasuritë turistike të Pogradecit ndërsa shtoi se Pogradeci do të shndërrohet në kopshtin më të bukur të vendit dhe Shqipëria në kopshtin më të bukur të Europës. Kryeministri tha se Pogradeci, qyteti i Lasgushit dhe Kutelit, do të jetë qytet europian, pasi është një qytet me pasuri të mëdha turistike. Kryeministri risolli në vëmendje edhe një herë arritjet e qeverisë së tij, nga anëtarësimi në NATO, liberalizmin e vizave e po ashtu edhe kthimin e Shqipërisë në destinacion turistik për mbarë botën. Berisha tha se në 4 vitet që vijnë qeveria do të mbështesë çdo projekt të bashkisë. Investimet në infrastrukturë tha kreu i qeverisë do të shkurtojë distancën Tiranë-Pogradec në një orë udhëtim. “8 Maji është një datë e madhe për qytetarët e lirë. Të votojmë për zotin Topçiu dhe gjithë kandidatët e “Aleancën për Qytetarët”, ka deklaruar kryeministri. Kreu i qeverisë tha se 8 maji do jetë një ditë fitoreje për vlerat demokratike dhe evropiane të Shqipërisë. “8 maji është një datë e madhe për qytetarët e Europës, dita e ngadhënjimit të lirisë dhe të vlerave të Europës, andaj ta nderojmë këtë ditë me votën tonë në mënyrë të qytetëruar, me besimin e madh te integrimi i Shqipërisë në Europë” - theksoi më tej kryeministri Berisha. Sipas kryeministrit, qeveria e drejtuar prej tij do mbështesë çdo projekt që synon të përmirësojë jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e qytetit. Në fund, kryeministri e ka cilësuar mitingun e Pogradecit, miting i fitores, për Pogradecin e gjithë Shqipërinë. “Unë ju garantoj ju që 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e bumit të jashtëzakonshëm ët Pogradecit por dhe mbarë Shqipërisë. Ne mblidhemi këtu, të vendosur që në çdo skaj të kij rrethi e këtij qyteti, të ndërtojmë ëndrrën tonë evropiane, Pogradecin europian. Shqipërinë Europiane”- tha kryeministri. Nga ana tjetër, kandidati Luan Topçiu premtoi se projektet e programit të tij do të hapin vende të reja pune, se Pogradeci do të jetë qyteti i luleve në çdo hapësirë, se do të ndërtohen banesa sociale për të pastrehët, do të ndërtohen rrugë, ujësjellës e shkolla.
“Aleanca për Qytetarin” mbyll fushatën në Elbasan - konfirmohet mbështetja masive për Durim Hushin
Tirana dhe Elbasani do jenë të bashkuara në pranverë të 2013-ës
Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” mbyllën fushatën elektorale në Elbasan, nisur nga një mbështetje spektakolare në sheshin qendror të qytetit. Pas Pogradecit, ndalesa e radhës e kryeministrit ishte Elbasani, ku kërkoi votën e qytetarëve për kandidatin e “Aleanca për Qytetarin”, Durim Hushi. Berisha ka shprehur bindjen se kandidati për kryetar bashkie i zgjedhur nga “Aleanca për qytetarin”, Durim Hushi, do të fitojë në 8 maj. “8 maji është fitorja juaj për Elbasanin, qytetin me infrastrukturën më modern europiane, nyjen kryesore të Korridorit të 8-të, Elbasani i cili në pranverën e vitit 2013 do të bashkohet me Tiranën dhe do të jenë dy kryetarët e bashkive, Lulzim Basha në Tiranë dhe Durim Hushi në Elbasan që do të presin shiritin e shndërrimit në realitet të ëndrrës shekullore autostradën me tunel Elbasan – Tiranë”- tha Berisha. Kryeministri tha gjithashtu se ne katër vitet që do të vijnë qarku i Elbasanit do të jetë qendra e investimeve më të mëdha në Shqipëri dhe se shqiptarët presin në 8 maj fitore të bindur për Shqipërinë Europiane. “Do të ndërtojmë segmentin Elbasan – Berat, Librazhd – Fushë Studën, dhe çdo rrugë komune fshati dhe qyteti do të jetë i asfaltuar. Në 8 maj ju votoni për Elbasanin e potencialeve të mëdha turistike”- tha Berisha. Kryeministri u shpreh se do të ndërtojë Elbasanin e kampusit model universitar, e parqeve moderne industriale si dhe premtoi edhe një herë se në katër vitet e ardhshme do të subvencionojë 16 mijë hektarë për fermerët. “Në 8 maj ju votoni për kthimin e Elbasanit në një gjenerator të madh të punësimit”, deklaroi Berisha, ndërsa garantoi se me Durim Hushin në Elbasan do të rritet punësimi dhe se bashkimi i Elbasanit me Tiranën do të shndërrohet në një treg të madh në rajon. “8 maji është dita e idealeve të lirisë në Europë, drita e shpirtit tuaj europian”- tha kryeministri. Berisha i ftoi qytetarët që të votojnë të lirë, pasi, sipas tij, në alternativën e tij nuk ka armiq, dhe duke ju referuar opozitës, kryeministri tha se ata le të ecin në rrugën e vetme, pasi në shtëpinë tonë ne mirëpresim ç’do kënd.
...