Korrektesa e administratës publike dhe respekti për zgjedhësit
Po ta vishnim mendimin tonë me fuqinë depërtuese dhe rrëmuese, të ftohtë e të kthjellët, të një syri të tretë, larg nga pasionet partiake dhe idealet politike, padyshim që do të na binte menjëherë në sy, rrugëtimi i ndryshëm kah elektoratit, i partive kryesore, por unë sot dua të theksoj korrektesën e administratës shtetërore në këtë fushatë, pra mospërdorjen e saj politikisht në favor të kandidatëve të mazhorancës. Ja, përse e nënvizojmë këndvështrimin e një syri të tretë, pasi pikërisht i tillë duhet të jetë edhe syri vështrues i administratës publike dhe i gjithë aparatit shtetëror në lidhje me këtë fushatë vendore e me të gjitha fushatat elektorale. Edhe pse kemi këndvështruar edhe herë të tjera rrugëtimin e ndryshëm të koalicioneve nëpër mitingje, qasjen nëpër shtyp e media, përsëri ajo që ka ngelur në hije apo e pazëshme, ka qenë roli konstruktiv e mos-ndërhyrës i qeverisë dhe i të gjitha hallkave të mekanizmit që vërtiten rreth saj, në zbatim të ligjit e në veçanti të përgjigjes ndaj urdhrit, porosisë, shqetësimit dhe orientimit të Kryeministrit, si personi i parë përgjegjës për këtë administratë publike.
Ka qenë një histori e trishtë, për shumë fushata të mëparshme, problemi i ndërhyrjes abuzive apo shprehur ndryshe i mos-heshtjes së shtetit, i aktivizimit apo i mos-aktivizimit të administratës së tij në bllok dhe me tërë resurset dhe fuqinë e vet organizative, nëpër mitingje e mbledhje partiake, apo përdorimi i strukturave policore etj. Paralajmërimet kanë qenë të shpeshta, edhe kësaj herë, edhe nga OJF, veçanërisht për përdorimin e fëmijëve dhe nxënësve në këto mitingje.
Por, ndoshta për herë të parë gjatë gjithë këtyre viteve, Kryeministri dhe qeveria kërkoi, synoi dhe në vija të përgjithshme (pa anashkaluar shembuj të veçantë e të izoluar që dalin jashtë trendit kryesor), po ia arrin qëllimit, t’i japë pikënisje një stine të qetë, pa zhurmë e në “hijen” e punës dhe projekteve qeveritare, duke mos lejuar përdorimin e resurseve të administratës publike politikisht, pikërisht në zemër të një fushate që nga kundërshtarët politikë, po përpiqet me të gjitha marifetet dhe artificat të përndizet e të përfutet në vorbullën e një konflikti të ashpër politik, konflikt i cili na dëmton të gjithëve, qeverinë, opozitën e mbi të gjitha zgjedhësit (kujtojmë turin lavdërues të takimeve nëpër qarqe të ministrit të brendshëm, Bujar Nishani). Gjuha, ashtu si veprimet, e opozitës nuk kanë arritur të shprishin atë qëllim të qartë-caktuar për një qasje jo negative ndaj qytetarit, por një qasje alternative. E për më tepër, qetësia dhe mos angazhimi politikisht i administratës publike, janë shembulli më i mirë që Shqipëria dhe këto zgjedhje mund të japin, për një fisnikëri të re në qasjen e problemit të zgjedhjeve. Është kjo sjellja administrative evropiane që duhet të ndjekë Shqipëria, rruga ligjore dhe e efikasitetit administrativ, për të përballuar ato lloj fushatash që deri më tani janë spikatur me shkrehje të administratës, të shërbimeve publike dhe abuzim të punës së përditshme. E këtë sjellje të drejtë ligjore po ndjek edhe qeveria, ashtu si dhe në pikëpamjen politike ajo po spikat me një strategji të pjekur e të shtruar, larg mllefeve dhe “karnevalizimit të vogëlsirave”, siç ishte rasti i pasaportës apo numrit të saj, të kredisë apo shtëpisë së blerë të Lulzim Bashës. Është ky episod shenja më e madhe e dobësisë dhe batakut emocional ku ka rënë lidershipi socialist. Janë po ato sjellje që vite më parë, kasnecët e saj mediatikë ia faturonin, sulmonin Berishës dhe opozitës asokohe të djathtë. Të përsërisësh sot pas më shumë se 10 vitesh po të njëjtat kleçka dhe marifete është një miopi e theksuar politike, e për më tepër i dëmshëm dhe regresiv.
Një përballje e thjeshtë e parë me syrin e tretë të këtyre sjelljeve, e shquan akoma dhe më tepër hendekun e qasjeve të ndryshme të të dy koalicioneve, e sidomos rolit të qeverisë. Jo më larg se dy vjet, slogani i opozitës ishte rruga e tretë, kurse sot është rruga e vetme. Tani, nuk dimë nëse bëhet gjithmonë fjalë për rrugën e tretë që tashmë është kthyer e vetme, apo një tjetër rrugë e gjetur gjatë këtyre dy viteve. Apo mos vallë njëherë e provoi me të mirë, me fjalë të reja e përtej politikës, e tani do t’i tregojë popullit anën tjetër të medaljes, do ta provoje me pahir, duke trumbetuar se s’ka rrugëdalje të ndryshme. Por duket qartë se i vetmi rrjedhim i natyrshëm i këtyre arsyetimeve nuk është një përfundim logjik dhe koherent, por është rruga e radikalizimit të veprimeve, përballë qetësisë dhe efikasitetit të funksionimit të qeverisë, administratës së saj dhe kuvendit, gjatë gjithë kohës së fushatës. Asgjë nuk e ka prishur këtë heshtje të “makinës së shtetit” që po punon siç duhet, as gjuha e drunjtë e as sjelljet provokuese. Më në fund edhe pse s’kemi një opozitë konstruktive, kemi një qeveri dhe administratë të përgjegjshme që po sillet në lartësinë e detyrës për të cilën e kanë deleguar zgjedhësit e vet, në vitin 2009. Ky duhet të jetë parimi më i lartë ideal i një qeverie dhe politike përfaqësuese. E ajo që qytetarët duan sot më shumë se kurrë është qetësia, puna, shërbimet, projektet dhe alternativat ballafaquese, po ato gjëra që dhe qeveria po ia përkushton e besoj se ia ka dhënë.
Shquar prej monologëve dhe vetë-shprehjeve të opozitës, diçitura e munguar e këtyre zgjedhjeve mund të quhet edhe mos-ballafaqimi, mungesa e madhe e debatit. Një opozitë që përbuz sfidën me kandidatin tjetër në ide dhe ligjërim, përtej një harbutllëku të pashoq ndaj sfidantit, tregon një mosrespekt të parrëfyer ndonjëherë gjatë gjithë këtyre fushatave elektorale, posaçërisht ndaj qytetarit potencial, si zgjedhës. Nuk e meriton qytetari i pari, por edhe fushata e denjë dhe fisnike që po bën Aleanca për Qytetarin, në të gjitha njësitë vendore. Po tekefundit çdokush nuk mund të korrë atë që nuk e ka mbjellë ndonjëherë. Në rastin e fushatës së sotme, termi që i shkon më shumë përshtat asaj që nuk është mbjellë nga ana e opozitës është respekti dhe vlerësimi ndaj zgjedhësit e kundërshtarit. Është shumë e rëndësishme ekzistenca e këtij respekti dhe vlerësimi, në të gjitha nivelet, veçanërisht në demokraci si kjo e jona, e sidomos pas një historie dyvjeçare radikaliteti të çfarëdolloji. Kjo është baza e një marrëdhënie të drejtë e të ndershme në të ardhmen ndaj kundërshtarit në fillim, e ajo që vlen më tepër, ndaj qytetarit dhe të drejtës së tij legjitime të ketë një rezultat të qartë e të pranuar nga të gjithë.
Opozita, me gjithë çfarë ka treguar gjatë këtyre dy viteve, por me gjasa aspak të këndshme në disa segmente të caktuara, edhe gjatë kësaj fushate, duket të mos i mveshë dot në mendimin e saj fuqinë depërtuese dhe tejkqyrës të syrit të tretë, të kthjellët e të ftohtë ndaj realitetit. Është ky shikim, që nënvizon pranimin e rezultatit dhe fillimin menjëherë të punëve të mëdha të qyteteve dhe komunave, në shërbim të jetës së tij të përditshme, është ky respekt dhe vlerësim për të drejtën e tij për t’u qeverisur nga një administratë efikase vendore dhe nga një qeverisje qendrore pranë tij, ajo që gjithkush pret, veçanërisht nga opozita, në përfundim të kësaj fushate. Cilido qoftë rezultati, në fund të fundit është qytetari ai që duhet të fitojë shërbimet dhe të mirat publike.