E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andrea Stefani rrëfen komplotin kundër lirisë

Përse edhe pas më shumë se 20 vjet tranzicion drejt Europës liria nuk hodhi dot rrënjë në Shqipëri, përse vazhdon të jetë vetëm një farë por jo një bimë, një shans por jo një sistem, një shpresë por jo një realizim? Kjo është çështja që, Andrea Stefani, shtron në librin e tij Komploti Kundër Lirisë që shtëpia botuese Onufri do publikojë këto ditë. Dhe përgjigjet: Sepse të gjithë kanë komplotuar e po komplotojnë kundër lirisë. Vetë shqiptarët me pasivitetin, përgjumjen dhe paditurinë. Qeveritë, me politikat e shterpëzuara nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria. Politikanët vanitozë, me gjakimin për pushtet e pasuri. Juristët, me tradhëtimin e drejtësisë. Gazetarët, me tradhëtimin e së vërtetës. Liderët, me kultet e tyre lirivrasëse. Ministrat dhe nëpunësit, me korrupsionin. OJQ-të, me pseudoaktivizmin. Ndërkombëtarët, me realpolitikën cinike që  toleron avancimin e autokratizmit duke e paraqitur si progres të demokracisë dhe lirisë. Dhe përsëri të gjithë shqiptarët që, të përçarë nga fanatizmat e verbra, të mposhtur nga varfëria, nga frika dhe nënshtrimi që ajo pjell, i kanë kthyer shpinën foshnjës së lirisë dhe po e lenë të vdesë e braktisur.

Vështirë te gjesh në histori një komplot më gjithëpërfshirës por njëherazi edhe më spontan se sa ky kundër lirisë vazhdon autori në hyrjen e librit të tij voluminoz prej rreth 560 faqesh:  Edhe pse të pakoordinuar, komplotuesit kanë qenë në sinkron të plotë. Si kur denoncoheshin e shaheshin, madje edhe kur pajtoheshin, punonin kundër lirisë. Veç dhe tok. Dora e padukshme e tregut të interesave meskine, e frikës apo ankthit të mbijetesës, e epsheve për pasuri e pushtet, i ka flakur përsëri të gjithë larg lirisë për kah sundimi dhe skllavëria. Dhe jo rastësisht. Por sepse askush prej tyre, nuk e ka perceptuar lirinë si mjetin e realizimit të interesave dhe ambicieve të veta. Aq më pak si një qëllim. Shqiptarët shfaqen të padedikuar për lirinë sepse u mësuan me dekada ta gjenin zgjidhjen, shpëtimin, plotësimin, qetësinë dhe stabilitetin, te simbioza e mallkuar e nënshtrimit dhe e sundimit. Prandaj gjëja e parë që kanë sakrifikuar, nuk mund të mos qe liria, ose më saktë, shansi i lirisë.

Shikohet se libri i kushtohet alarmit për rrezikun e humbjes së shansit të lirisë, të shtetit ligjor, shansit për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Në tetë kapituj analizon shkakun që e ka sjellë Shqipërinë në këtë pikë degradimi. Dhe bëhet fjalë për një gjymtim nga i cili, sipas autorit, shqiptarët kanë vuajtur në shekuj dhe nuk po shkëputen dot prej shekujsh. Një gjymtim që shtjellohet në dy rrafshe kryesore: 1- Lidershipi politik ose demonët e tranzicionit të dështuar. 2- Shqiptarët dhe psikologjia prej skllavi e përgjumjes dhe e nënshtrimit. Këtyre faktorëve i shtohet edhe një i jashtëm por i rrjedhur nga dy të parët: 3 Ndërkombëtarët dhe prirja e tyre në rritje për të bërë kurban lirinë në emër të një stabiliteti politik me anë të një dore të fortë.

Lidershipi

Pasi konkludon se Shqipërisë i kanë munguar elitat politike të dedikuara për themelimin e një sistemi të demokracisë liberale autori analizon dukurinë e ngritjes së kultit të liderit të gjallë menjëherë pas rrëzimit të kultit të bronztë të diktatorit. Dhe ndalet posaçërisht tek kulti i Sali Berishës si lideri kryepërgjegjës për devijimin e tranzicionit nga liria dhe demokracia drejt demokraturës dhe autokratizmit. Përveçse si një Hitler i demokracisë me një psikologji nekrofile që priret nga shkatërrimi, Berisha përkufizohet edhe si më i keqi ndër politikanët por edhe më politikani ndër të këqinjtë. Në libër jepet përshtypja dhe analiza e autorit edhe për politikanë të tjerë kryesorë të tranzicionit. Fatos Nano shikohet nën optikën e një politikani që me papërgjegjshmërinë e tij bëri të mundur rikthimin në pushtet të Sali Berishës. Njëherazi konkludon se rikthimi i Nanos përsëri në politikë, do të thellojë këtë të keqe që i bëri projektit të lirisë në Shqipëri. Nuk ka mbetur jashtë analizës kritike edhe lideri i opozitës, Edi Rama, veçanërisht për luhatjet, pavendosmërinë në momentet kritike të tragjedisë së Gërdecit por veçanërisht, për gabimin sa historik aq edhe fatal të amendimit të Kushtetutës në dakortësi me autokratin Sali Berisha. Sipas autorit pa korrigjimin e Kushtetutës, që tashmë ligjëson përqendrimin e pushteteve në duart e Kryeministrit, projekti i shtetit të së drejtës në Shqipëri do të mbetet vetë një mashtrim. Sepse drejtësia dhe liria nga njëra anë, dhe autokratizmi në anën tjetër, nuk pajtohen as edhe në një pikë.  Në analizë është marrë edhe Ilir Meta për të cilin konkludohet se ka dëshmuar me fakte, veçanërisht pas hyrjes në bashkëqeverisje me një Berishë që kish premtuar se do ta nxirrte në pension, se është një politikan pa ideale.

Shqiptarët

Por kush është demoni lideri apo masa? Autori arrin në përfundimin se jo pak nga përgjegjësia për deformimin e projektit të lirisë i takon vetë shqiptarëve që nuk kanë arritur të bëhen popull në kuptimin e vërtetë politik të këtij termi. Në këtë rrafsh ai jo vetëm precizon se çdo të thotë popull por edhe qartëson dallimin që ekziston mes popullit dhe kombit që shpesh herë nuk janë e njëjta gjë. Dhe shqiptarët në këto 20 vjet kanë demonstruar se nuk janë ende të lirë, se sundohen nga autoritete dhe rrethana të jashtme që nuk i lejojnë të gjykojnë e të mendojnë me kokën e tyre. Mendimi dhe psikologjia e tyre vazhdon të jetë skllave e liderit, e partisë politike, e varfërisë apo e lakmisë, e ankthit të mbijetesës dhe e nevojës për të gjetur strehë dhe siguri. Dhe meqë nuk e gjejnë dot tek drejtësia e munguar, i drejtohen për mbështetje vullneteve dhe pushteteve të tjera që e sundojnë Shqipërinë: liderit, partisë dhe solidariteteve të tjera jo qytetare. Tek kjo simbiozë skllavërie e ka burimin edhe një plagë e tillë e shtetit shqiptar sikundër politizimi dhe militantizmi i administratës publike. Shqiptarët, në shumicë, po manifestojë pikërisht atë që psikanalisti i famshëm, Erih From, e ka pagëzuar si sindroma e arratisjes nga liria. Eshtë kjo psikologji e nënshtrimit që shqiptarët e trashëgojnë jo vetëm nga 45 vjet diktaturë komuniste por edhe nga një traditë shekullore orientale bizantino-otomane, që është bërë edhe themeli i lindjes dhe gjallimit të rrezikshëm të kulteve lirivrasëse politike. Në faqet e librit tradita orientale shqyrtohet në raport me traditën evropiane të shqiptarëve ku arrihet konkluzioni se Shqipëria, e parë nën optikën e Samuel Hantington, rezulton një vend i përçarë ndonëse, fatmirësisht, ende jo i çarë. Zhdukja e kësaj përçarjeje (ekzistenca apo jo e së cilës, vite më parë, u bë qendër e debatit Qose-Kadare) por edhe shmangia e një çarjeje të mundshme, arrihet me avancimin e Shqipërisë drejt Europës, drejt Oksidentit. Ky është njeri opsion. Tjetri është ai i shkuarjes së saj përsëri drejt Lindjes, Azisë. Shqipëria mbetet ende në udhëkryq. Konflikti i pareshtur politik është, në thelb, papajtueshmëri e këtyre dy projekteve, mendësive politike. Dhe i vetmi shpëtim për lirinë në Shqipëri është që shqiptarët të dalin nga gjendja e letargjisë së nënshtrimit që, me fjalë të tjera, do të thotë të zgjohen, të fillojnë të bëhen të lirë! Kjo kërkon që të ndryshojnë dhe stanjacioni i mendësisë së shqiptarëve faktohet me anë të vlerësimeve të dhëna nga figura si Konica, Noli apo Eqrem Vlora, vlerësime, që pikërisht për këtë ngecje, ruajnë aktualitetin edhe sot e kësaj dite.

Ndërkombëtarët

Jo vetëm shqiptarët vuajnë nga sindroma e arratisjes nga liria, por edhe ndërkombëtarët. Rezistenca që politika i ka bërë projektit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, rezistencë që është rritur në progresion me korruptimin e politikës shqiptare, ka bërë që edhe ndërkombëtarët ta shohin atë projekt si një mision të pamundur. Prandaj edhe duket i kanë kthyer shpinën projektit të lirisë duke folur përherë e më shumë për nevojën e stabilitetit politik, që nënkupton edhe qeverisjen me anë të një dore të fortë. Një dukuri që ishte parë edhe në vitin 1928 kur Shqipëria u kthye nga Republikë në Monarki. Përveç g

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›