E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andrrat e të rinjve

Nga data 10 mars, vjen seriali i ri vendor ‘Andrrat’ në ‘K-Chanel’. Janë gjashtë personazhe nikoqirë të serialit dhe mysafirët e shumtë që do të parakalojnë nëpër pistën e këtij rrugëtimi artistik.

Natyra e këtij seriali si ide ka ardhur nga protagonistët e saj para një viti e më tej. Janë Lulzim Guhelli dhe Trim Musliu të cilët e kanë modeluar formatin, njëherësh imazhin e kësaj tendence televizive, ndërkohë, është mbështetur dhe përqafuar edhe nga Avni Dalipi. Pra, ky trio producentësh, do të bartin mbi supet e tyre rrjedhën e këtij seriali, i cili do të lansohet së emetuari që nga 10 marsi në televizionin ‘K-Chanel’.

Skenaristë të këtij seriali janë përcaktuar Arian Krasniqi dhe Naser Shatrolli, ndërsa ndihmës-skenarist do të jenë Lulzim Guhelli dhe Ard Islami. Regjisor i këtij seriali është përcaktuar Gazmend Nela. Rolet do t’i bartin një grup i ri aktorësh të cilët vijnë nga Akademia e Arteve të Kosovës, Dukagjin Podrimaj (Ujkani); Gramoz Malaj (Kreshniku); Ermal Sadiku (Gëzimi); Muhamet Zeka (Petriti), Kastriot Grajçevci (Lisi), Nita Latifi (Hana), Liridona Shehu (Sara) dhe figura të tjera të njohura për kinematografinë shqiptare si: Hazir Myftari, Musa Isufi, Arbreshë Grabovci-Nixha etj.

Në lidhje me rrjedhën e këtij seriali, Naser Shatrolli, njëri nga skenaristët e këtij seriali, do të shprehet: “Tani tregu vendor është i gjithanshëm, serialet janë të shumta të cilat i kanë mbuluar pothuaj të gjitha mediumet vendore. Unë për këtë format artistik dua të reflektoj një mendim personal me tendencë origjinale për faktin se nëpërmes artit muzikor si koncept ideo-tematik kujtoj se do të preken probleme me taban esencial, ku kjo kategori karakteresh do të sfidohen me të papriturat përgjatë rrugëtimit të tyre. Pra, natyra e serialit është muzikore si strukturë fabulare porse është e përmbushur me një mozaik temash që do të prekin të gjitha rrjedhat jetësore”.

Një grup të rinjsh kryesisht meshkuj e vajza kanë ëndrrat e tyre në sirtarin e tyre zhvillimor. Ata do të themelojnë një bend muzikor ku krahas studimeve duan të eksplorojnë nga vetvetja dhe për vetveten diçka që ata i provokon dhe që do t’i bënte të famshëm dhe ajo është muzika. Në këtë kontekst, është energjia rinore e cila do të tentohet që të nxirret në pah.

“Ne e kemi përqafuar këtë ide artistike pikërisht për humanizmin, për ndjesinë njerëzore, për mesazhin që bart rrjedha e këtij formati televiziv, i cili ka reputacion sezonal me mundësi zhvillimi. Në bagazhin e trajtesave tematike brenda për brenda secilit episod do të ketë atakime rinore në rrethana dashuriçkash e deri tek esenca e traditës familjare”, shtoi Shatrolli.

Janë gjashtë personazhe nikoqirë të serialit dhe mysafirët e shumtë që do të parakalojnë nëpër pistën e këtij rrugëtimi artistik. Zhanri është natyrë drame me elemente komedie. Ambientet do të vargojnë nëpër rrethana varësisht ku rrjedha tematike ata do ti çojë. Shatrolli thekson se ambiciet janë tërësisht korrekte në raport me kërkesat.

“Ne po bëjmë punën dramaturgjike brenda për brenda konturave dhe dinamikës së paraparë. Për rrjedhën e punës unë nuk di të them shumë sepse është e drejtë e regjisorit, përkatësisht e producentëve të cilët janë duke punuar në sheshin e xhirimit me aktorët. Dy episodet e para me sa di unë janë në përmbyllje, janë dhe episodet tjera në proces e sipër. Për sezonin e parë ne kemi hartuar platformën e të gjitha sinopseve që, d.m.th. se e kemi të çartë se kah do të rrugëtojmë. Ne duam që ngjarja të nisë ndjeshëm, bindshëm, arsyeshëm, është ky vullnet yni dhe i ekipit në tërësi. Gjithsesi, konkurrenca kualitetit i bënë mirë, në fakt ajo vetëm sa e dinamizon garën”, tha ai.

Aktorët janë shumica studentë të Akademisë së Arteve, të cilët janë përcaktuar për rolet bartëse përbrenda një audicioni transparent, i cili është bërë në Teatrin Oda.

Kur pyetet se a ka dallim ky format seriali nga formatet e tjera, Shatrolli përgjigjet se natyra filmike, qasja, zhanri, janë disa nga dromcat që e identifikojnë në vetvete dhe me vetveten këtë serial.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›