E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtja parlamentare

Kuvendi i Kosovës pritet të dalë sot me një qëndrim në lidhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel për përfaqësimin e vendit në nismat rajonale. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se pret të njoftohet zyrtarisht dhe pastaj të tregojë pozicionin e tij. Për peticionin e Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme, Krasniqi ka thënë se duhet t’i plotësojë kushtet ligjore. Ndërkaq, edhe të dielën, LDK’ja dhe AAK’ja kanë vazhduar heshtjen.

Tri ditë pas pranimit të fusnotës nga ana e Qeverisë së Kosovës, LDK’ja dhe AAK’ja kanë vazhduar heshtjen, derisa Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vendim të protestojë dhe të mbledhë nënshkrimet e më shumë se 10 mijë qytetarëve për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Lëvizja e Albin Kurtit ka paralajmëruar se shumë shpejt do t`i dorëzojë dhjetë mijë nënshkrimet e kërkuara për të përmbushur obligimin ligjor të peticionit, në Kuvendin e Kosovës, derisa këta të fundit ende nuk kanë ndonjë qëndrim se çka do të ndodhë me nismën e partisë së tretë.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka deklaruar të dielën se qëndrimin e Kuvendit do ta paraqesin të hënën, pas mbledhjes së Kryesisë.

“Sot nuk do të flas kurgja”, ka thënë Krasniqi, në një bisedë të shkurtër për Express.

Kryeparlamentari ka mohuar se po frikësohet të tregojë qëndrimin e tij, pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel, që Kosova të bëhet pjesë e nismave rajonale me fusnotë.

“Unë kam pasur qëndrim dhe nuk kam qenë pa qëndrim deri më tani. Por, do ta shikojmë nesër dhe do të dalim me një qëndrim”, ka thënë kreu i Kuvendit.

Krasniqi që mban edhe postin e Sekretarit të Përgjegjshëm të PDK’së, pret që të njoftohet zyrtarisht nga Qeveria për marrëveshjen e re me Serbinë dhe pastaj të pozicionohet.

“Nuk është lehtë me thanë një qëndrim, sepse ende nuk e kemi zyrtarisht atë marrëveshje dhe nuk dimë çka ka. Nuk formohen qëndrimet lehtë e lehtë. Nesër do ta japim një qëndrim, edhe timin, por ndoshta edhe të Kryesisë. Kjo çështje nëse nuk vjen në Kuvend, Kuvendi s’mund të marrë kurrfarë qëndrimesh. Të shohim nesër se si do të trajtohet kjo çështje”, ka thënë Krasniqi.

Megjithëkëtë, Kryetari i Kuvendit ka pasur qëndrim shumë të qartë para se të arrihej marrëveshja Kosovë-Serbi. Pati thënë se nuk duhet të hiqet fjala Republikë, pasi është shkelje kushtetuese dhe se nuk duhet të bëhet kompromis prej presionit.

“Realisht, përderisa në Kushtetutë shkruhet Republika e Kosovës dhe nëse hiqet fjala Republikë, atëherë është një shkelje e Kushtetutës. Unë mendoj se presioni i Bashkimit Evropian mbi Kosovën nuk është dashur të bjerë në këtë nivel. Ne si Kosovë kemi bërë kompromise me dokumentin gjithëpërfshirës të Presidentit Marti Ahtisari dhe unë mendoj se Kosova nuk duhet të futet në kompromise të tjera”, kishte thënë Krasniqi, thotë Jakup Krasniqi para një muaji.

Përveç disa deklaratave, LDK’ja dhe AAK’ja kanë vazhduar të heshtin edhe të dielën dhe të qëndrojnë anash sa i përket kundërshtimit të marrëveshjes së re me Serbinë, e cila precizon se Kosova në nismat rajonale dhe ndërkombëtare paraqitet pa fjalën Republikë.

Kreu i Kuvendit nuk dëshiron të komentojë heshtjen e një pjese të opozitës, derisa për nismën e Vetëvendosjes thotë se duhet shikuar baza ligjore.

“Është mirë ta pyetni opozitën, sepse unë s’mund të luaj rolin e opozitës. Unë jam në pozitë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka deklaruar se nëse nisma e Vetëvendosjes i përmbush obligimet ligjore dhe kushtetuese, atëherë në njërën nga seancat e Kuvendit mund të diskutohet marrëveshja e fundit me Serbinë.

“Duhet të shikohet Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës, pastaj ta shikojmë. Duhet të shikohet nëse është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Nëse Kushtetuta dhe ligjet e lejojnë, ne s’mund ta pengojmë”, ka thënë Krasniqi.

Nisma e Lëvizjes Vetëvendosjes për të debatuar në Kuvend duhet të kalojë përmes Kryesisë, e cila angazhon Komisionin për verifikimin e peticionit. Sipas Rregullores së Kuvendit, nëse peticioni i plotëson kriteret ligjore, atëherë i rekomandon Kryesisë ta caktojë një datë për ta futur në rend të ditës si pikë të veçantë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›