Andy Burnham në fjalimin e parë si kryeministër: Britania duhet të rikthejë stabilitetin! Kujdesi për njerëzit në zemër të gjithçkaje që do të bëj

Andy Burnham ka mbajtur fjalimin e tij të parë si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar nga Downing Street, përpara një turme të madhe njerëzish dhe zyrtarësh të mbledhur pranë selisë së qeverisë.
Pa foltore, përballë kamerave dhe qytetarëve, Burnham e cilësoi emërimin e tij në krye të qeverisë si “një moment reflektimi dhe vendosmërie të re”, duke theksuar se brezi i tij politik duhet të rrisë standardet dhe të përballet me sfidat e vendit.
“Duhet të tregojmë se mund ta rikthejmë stabilitetin edhe një herë dhe kjo është sfida jonë”, deklaroi Burnham.
Kryeministri i ri pranoi se shumë qytetarë janë të zhgënjyer nga politika dhe kërkuan ndryshim.
“Ju dëgjoj. Nuk kemi qenë mjaftueshëm të mirë dhe duhet të jemi më të mirë. Do të jemi”, u shpreh ai.
Burnham e përshkroi momentin aktual si një “pikë kthesë” për Britaninë, duke premtuar një model të ri politik, më bashkëpunues dhe të fokusuar te zgjidhja e problemeve, jo te përplasjet politike.
Ai kritikoi disa vendime të së kaluarës, duke përmendur privatizimet dhe deindustrializimin e viteve ’80, të cilat sipas tij kanë lënë pasoja në shumë zona të vendit.
“Shumë zona ende nuk janë rikuperuar”, tha Burnham, duke shtuar se qeveria e tij do të ndryshojë mënyrën e funksionimit të politikës.
Burnham premton plan 10-vjeçar për Britaninë
Në fjalimin e tij të parë si kryeministër, Burnham deklaroi se synon të transferojë më shumë pushtet jashtë Westminster-it dhe ta çojë vendimmarrjen më pranë qytetarëve.
Ai premtoi krijimin e një ekonomie të re, duke vendosur “nën kontroll publik elementët bazë të jetës”, me qëllim që ato të bëhen më të përballueshme për qytetarët.
Gjithashtu, ai premtoi një program për riindustrializimin e Britanisë dhe mbështetjen e industrisë vendase.
Burnham njoftoi se më vonë gjatë këtij viti do të prezantojë një plan 10-vjeçar për vendin, ku do të përcaktojë objektivat dhe drejtimin e qeverisë së tij.
Ai tha se që nga dita e nesërme do të nisë prezantimin e masave për t’u dhënë qytetarëve më shumë “hapësirë frymëmarrjeje” përballë kostos së jetesës, duke bërë të ditur se do të paraqiten edhe mënyrat e financimit të tyre.
Premtime për punësimin, strehimin dhe luftën ndaj varfërisë
Kryeministri i ri tha se qeveria e tij do të fokusohet te të rinjtë, duke ndryshuar sistemin arsimor dhe duke rritur mbështetjen, përfshirë shërbimet e shëndetit mendor, për t’i ndihmuar ata të hyjnë në tregun e punës.
Ai premtoi gjithashtu ndërtimin e më shumë banesave sociale, duke e cilësuar këtë si një mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme për të ulur kostot sociale.
Burnham u ndal edhe te çështja e të pastrehëve, duke deklaruar: “Do të jap udhëzimin tim të parë për t’i dhënë fund fjetjes në rrugë në vendin tonë.”
“Do të jap gjithçka nga vetja”
Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, Burnham tha se qeveria e tij do të vendosë në qendër kujdesin ndaj qytetarëve dhe standardet e duhura në drejtimin e vendit.
“Kujdesi për njerëzit do të jetë në zemër të gjithçkaje që do të bëj”, deklaroi ai, duke shtuar: “Do të jap gjithçka nga vetja”.
Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të tij që ta shohin këtë moment si fillimin e një kapitulli të ri.
“Ky është momenti kur Britania fillon të besojë përsëri – momenti kur rikthejmë shpresën”, tha Burnham.
Pas përfundimit të fjalimit, kryeministri i ri u duartrokit nga turma, puthi bashkëshorten e tij Marie-France dhe hyri në derën e famshme të numrit 10 në Downing Street.