Dëshmitë e kohës së luftës, roli i Radio Kukësit gjatë eksodit të vitit 1999 në Kosovë

Çlirimtare Januzaj dhe Manushaqe Ibrahimi janë bërë bashkë në kuadër të një projekti që ka në fokus dëshmitë dhe faktet e periudhës së luftës së vitit 1999, si dhe eksodin e popullit të Kosovës.
Në kuadër të këtij projekti, ato zgjodhën të vizitojnë Radio Kukësin për t’u njohur nga afër me rolin që pati ky institucion gjatë luftës dhe për të parë një pjesë të materialeve e kujtimeve që janë ruajtur nga ajo periudhë.
“Sot kemi ardhur në Radio Kukësi në kuadër të një projekti që unë dhe Manushaqi po zhvillojmë. Projekti lidhet me të drejtën humanitare në Kosovë dhe synimi ynë është të dokumentojmë momentin e ikjes së njerëzve nga Kosova, si refugjatë drejt Kukësit. Gjatë hulumtimit dhe mbledhjes së informacioneve kemi konstatuar se Radio Kukësi ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në dokumentimin e atyre ditëve të vështira, kur mijëra njerëz nga Kosova u detyruan të linin shtëpitë e tyre dhe të kërkonin strehim në Kukës”, tha Çlirimtare Januzaj.
“Për mua është shumë e rëndësishme, për shkak se unë jam pjesë e gjeneratës së pasluftës dhe jam rritur me rrëfime për luftën. Për ne, brezin e ri, këto janë ngjarje që mundemi vetëm t’i imagjinojmë, ndaj është shumë e rëndësishme t’i njohim saktë, t’i dokumentojmë dhe t’ia përcjellim botës, duke treguar se këto ngjarje kanë ndodhur vërtet”, Manushaqe Ibrahimi.
Radio Kukësi luajti një rol të rëndësishëm gjatë luftës së Kosovës. Përmes transmetimeve të saj u bë i mundur identifikimi dhe ribashkimi i shumë familjeve që kishin humbur kontaktet me të afërmit gjatë eksodit, duke u kthyer në një urë komunikimi dhe shprese për mijëra qytetarë.
Gazetar: Dashmir Shehu
/rtsh.al/