E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi në NATO: fundi i tranzicionit?

Disa muaj më parë, një zyrtare e lartë e shtetit shqiptar deklaroi: ftesa në NATO shënon fundin e tranzicionit në Shqipëri. Pas një pauze pak a shumë të gjatë, një numër politikanësh dhe akademikësh e ngritën sërish atë. Disa prej tyre, njësoj si politikania e lartë ishin gjithashtu, tepër të bindur: tranzicioni në Shqipëri u mbyll. Një prej tyre vazhdon më tej, me pyetjen kuptimplote: A mund të vazhdojë në tranzicion një anëtar i NATO-s?

Por, a është vërtetë kështu? A mund të thuhet se, tashmë, Shqipëria ka kaluar në një fazë akoma edhe më të avancuar të demokracisë, pra, atë të konsolidimit të saj? Në fakt, nuk është e thjeshtë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, natyrisht, nëse nuk je politikan. Kjo, për shumë arsye.

Së pari, sepse vetë koncepti i tranzicionit demokratik nuk është një koncept i thjeshtë. Ai nuk është as i ngurtë dhe as i kristalizuar teorikisht. Ai nuk bashkon, akoma, në tërësinë e tij, doktrinarët e demokracisë. Dhe kjo, për një fakt aspak të injorueshëm: nuk kemi akoma një normalizim metodologjik në studimin e tij. Së dyti, në përgjithësi, një konstatim konkret, siç është dhe rasti ynë, do të duhet të vijë fryt i një sërë analizash, deri diku të vështira për një politikan. Analizë e cila, është gjithashtu e vështirë të shtrihet apo të konsiderohet shteruese në një shkrim të tillë.

Gjithsesi, disa piketa kryesore reflektimi mund të qartësojnë deri diku konceptin dhe, sigurisht, nëpërmjet tij, edhe një shikim më të qartë mbi nivelin e demokratizimit të Shqipërisë.

Në përgjithësi, përkufizimet e një tranzicioni të arrirë janë të shumta dhe mund të thuhet se, midis kërkuesve që e pranojnë atë ekziston një lloj marrëveshjeje. Kështu, suksesi i një tranzicioni pra, deri diku edhe mbyllja e tij, rezulton si një ndërthurje midis vënies në jetë dhe respektimit të disa parimeve të mëdha pa të cilët nuk mund të flitet për demokraci. Shtuar këtu edhe mjetet dhe procedurat e nevojshme për zbatimin e tyre. Ose siç thotë kërkuesja e njohur Lopez: “Demokracia më parë duhet “shpikur”, më pas duhet perfeksionuar”.

Një skemë e tillë parashikon në fakt një numër etapash apo fazash institucionale nëpër të cilat kalon implementi i demokracisë në një vend. Me tranzicion do të kuptojmë kështu, rrugën nëpër të cilën do të kalojmë për ndërtimin e një ekonomie tregu fiabël, drejt ndërtimit të një shteti të së drejtës, drejt demokracisë, si rrjedhim. Këta elemente përbëjnë në thelb, konceptin e tranzicionit demokratik. Megjithatë, autorët artikulojnë shpeshherë si më të rëndësishëm, herë njërin element e herë tjetrin. Kështu, disa ndalen, në mënyrë të veçantë, tek niveli i kulturës politike në vend, mungesa e të cilës do ta bënte të vështirë ndërtimin e demokracisë. Disa të tjerë, mbivlerësojnë nivelin e zhvillimit ekonomik e social si parakusht demokratizimi. Një numër jo i vogël, artikulon format e qeverisjes. Disa të tjerë, sistemet elektorale dhe pothuajse shumica, konsensusin politik mbi procedurat specifike mbi të cilat lindin maxhoranca qeverisëse legjitime, të cilat nga ana e tyre qeverisin të kufizuara në një kuadër ligjor kushtetues, të pranuar nga të gjithë.

Tranzicioni mund të konsiderohet i plotë kur, “një qeveri arrin në pushtet, si rezultat i drejtpërdrejtë i një zgjedhjeje të lirë dhe popullore, kur kjo qeveri posedon një pushtet sovran për të ndërtuar politika të reja publike dhe kur pushtetet ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor të dalë nga demokracia, janë të pavarur mes tyre”. (Juan J. Linz, Democratic transitions and democratic consolidation, Mimeo, July 1991, p.2).

Nisur nga këto këndvështrime të përshkruara më lart, banalisht shkurt, mund të krijojmë mundësinë për të parë më qartë se çfarë ndodh në Shqipëri dhe deri diku, të bëjmë ndonjë konstatim. Ajo që mund të konstatohet në realitetin tonë është fakti se, parimet e demokracisë gjejnë një pasqyrim, relativisht të plotë, në rregullimin kushtetues të vendit. Pothuajse, të gjitha parimet e demokracisë. Të drejtat dhe liritë e njeriut, liria e opinionit, prona private, ekonomia e tregut të lirë, ndarja e pushteteve, zgjedhjet etj., janë të sanksionuara në Kushtetutën dhe legjislacionin e prejardhur shqiptar. Gjatë kësaj periudhe, nga viti në vit është ngritur një kuadër ligjor, relativisht i plotë dhe institucionet përkatëse për zbatimin e tij. Ndërtimi i tyre, në përgjithësi fryt i kushtëzimit europian por, edhe atij të integrimit në NATO, nga viti në vit kanë sjellë këtë vend drejt disa parametrash normalë demokratikë. Edhe pse kushtëzimi europian është ku e ku më i gjerë se ai i NATO-s, politikanët tanë, në përfundimin e tyre: hyrje në NATO = fund i tranzicionit, janë nisur nga një logjikë e thjeshtë. U plotësuan kushtet e vëna nga kjo organizatë, kjo e fundit na pranoi pra, na “certifikoi” si vend demokratik, pra, përfundimisht ne kemi kaluar fazën e tranzicionit. Në fakt, përveç të tjerave, kjo është një logjikë tepër sempliste për të cilën, me sa duket, që një vend të ketë mbyllur tranzicionin, mjafton të ndërtojë institucionet. Me sa duket, për ta, demokracia vjen më pas, si efekt i tyre. Ndërtimi i institucioneve është padyshim, një etapë e rëndësishme në procesin demokratik të një vendi. Por, ndërtimi i tyre, nuk koincidon me mbylljen e tranzicionit demokratik dhe kalimin në konsolidim. Në të vërtetë, tranzicioni si koncept është më i gjerë se kaq, ai ka të bëjë në radhë të parë dhe mbi të gjitha me një dinamikë institucionalizimi në shoqërinë dhe shtetin e një vendi, të vlerave dhe parimeve të demokracisë.

Është e vërtetë, ne kemi patur gjithnjë një sistem zgjedhor, në të shumtën e rasteve i pranuar nga të gjithë dhe kjo është njëra anë. Por, nga ana tjetër, pavarësisht nga ky fakt, ne akoma nuk kemi arritur të realizojmë një palë zgjedhje normale, të lira dhe të ndershme. Në Kushtetutën tonë sanksionohet ndarja e pushteteve, por, nga ana tjetër, askush dhe asgjë nuk e pengoi Parlamentin e Shqipërisë të sillej si një Gjykatë e mirëfilltë, tek i njihte të drejtën vetes të gjykonte mbi provat e paraqitura nga Prokuroria, në rastin e kërkesës së kësaj të fundit për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes. E njëjta histori, kur një vit më parë, një komision i parlamentit i njihte të drejtën vetes t’i hynte me themel çështjeve të trajtuara nga Prokuroria e Përgjithshme. E njëjta gjë edhe sot, teksa i kërkohet Presidentit të Republikës, të negociojë më parë emërimet e gjyqtarëve të lartë, kompetencë që ia njeh Kushtetuta Shqiptare.

Ekziston, pse jo edhe Gjykata Kushtetuese, tamam ashtu siç kërkohet në një sistem demokratik por, në vend që të jetë gardiane e kushtetutës dhe pengesë e tiranisë së maxhorancës, asaj i kërkohet sot, me forcë nga maxhoranca e sotme, që të shndërrohet në një notere të vendimeve që ajo merr, në të kundërt, jo rrallë kërcënohet me reformë. Ngjarje e probleme të tilla ka me bollëk sot, ndaj nuk ia vlen të ndalemi në të gjitha. Edhe kaq sa përmendëm mjafton për të konkluduar. Është e vërtetë, pranimi në një organizatë të rëndësishme siç është NATO, dhe sidomos BE, mund të koincidojë me mbylljen e tranzicionit në një vend. Në fakt, në doktrinë, shpesh përmendet shembulli i Spanjës. Por, kjo nuk është automatike dhe nuk kopjohet dot, siç kopjon fjalë për fjalë, ndonjë zyrtar i sotëm, ndonjë reformë apo projektligj në internet. Kush e ka studiuar tranzicionin spanjoll, do ta ketë fare të thjeshtë të kuptojë se nuk është rasti ynë. Nuk mjaftojnë reformat, nuk mjaftojnë institucionet, është aktiviteti i tyre i përditshëm në përputhje me parimet dhe idealet e demokracisë që të çojnë drejt konsolidimit të këtij sistemi. Në të vërtetë, vetë fakti që një politikan aq i lartë i këtij vendi, del dhe thotë përpara të gjithëve, d.m.th., edhe të lexuarve të këtij vendi, se tranzicioni mbaroi, mjafton i vetëm ky rast, për të kuptuar ne të gjithë se sa larg është kjo ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›