Anëtarët e Shtëpisë së Verdhë kundër hetimeve, hyjnë në grevë urie

Shtëpia e Verdhë, foto arkiv
Anëtarët e familjes Katuçi në Gurrë të Matit kanë hyrë në grevë urie kundër hetimit për akuzat e ish-senatorit, Dik Marty për transplant organesh njerëzore në Shtëpinë e Verdhë. Kryetari i komunës Gurrë, Mustafa Celami konfirmoi lajmin, teksa shton se ka negociuar me ta për të shmangur grevën, pasi janë përfshirë të 15 anëtarët e çdo moshe.
Të nxitur nga ky veprim ekstrem i familjes Katuçi, në kërkim të të drejtave të tyre, përfaqësuesit vendor të komunës Gurrë, në emër edhe të 15 anëtarëve të familjes Katuçi, vendosën që tu drejtohen me një deklaratë protestë Këshillit të Euopës, Parlamentit Europian, Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe Parlamentit të Shqipërisë.
Familja Katuçi banon në shtëpinë e njohur si Shtëpia e Verdhë. Eurodeputei Dik Marty ka deklaruar se ka kryer një hetim 2-vjeçar në lidhje me krimin e organizuar në Kosovës pasi Këshilli Europian mandatoi atë për të hetuar pretendimet për trafikun e organeve nga ana e UCK-së pas mbarimit të luftës me Serbinë, në vitin 1999. Raporti i hartuar nga raportuesi i të drejtave të njeriut Dik Marti konstatoi se godina e njohur si Shtëpia e Verdhë, është përdorur si burg ku mbaheshin të burgosurit, ndërsa operacionet e heqjes së organeve kryheshin në një shtëpi tjetër në Fushë Krujë, 20 km larg Tiranës.
Ndërkohë, më 30 të vitit 2011 raportuesi i Këshillit të Europës, Dik Marti është paditur në Gjykatën e Tiranes për dëm moral nga të zotët e asaj që tashmë cilësohet si Shtëpia e verdhë. Familjarët kërkojnë nga raportuesi i Këshillit të Europës të paguajë një shumë prej 10 milion lekësh si dhe të përgënjeshtrojë raportin, i cili bën objekt hetimi shtëpinë e tyre për transplant organesh të ushtarëve serbë nga ana e ish- ushtarëve të UÇK-së.
Pak kohë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi me unanimitet ligjin për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it. Miratimi i ligjit të posaçëm është bërë me kërkesën e kryeprokurorit të Task Forcës Speciale hetimore të BE-së, ambasadorit John Clint Wlliamson, i cili drejton hetimet e EULEX-it në lidhje me pretendimet e ngritura në raportin e Dik Martit.