Shkodër, pezullohen ekskursionet

Nxënsit e shkollave, foto arkiv
Drejtoria Arsimore e Shkodrës ka pezulluar të gjitha ekskursionet e parashikuara për këtë vit shkollor nga shkollat e mesme dhe 9- vjeçare të këtij qarku.
Vendimi ka ardhur pas tragjedisë së Himarës ku humbën jetën 13 persona. Drejtoresha e DAR- Shkodër, Atrida Ferketi, ka bërë të ditur se shkak i këtij pezullimi është fakti se Drejtoria Arsimore nuk mund të marrë përsipër sigurinë e mjeteve të transportit publik prandaj është marrë ky vendim.
Prej disa muajsh drejtoritë arsimore janë menduar mirë para se të japin lejen për ekskursionet, pasi ato duhet të garantojnë me përgjegjësi sigurinë e jetës së nxënësve dhe mësuesve.
Ky ka qenë edhe udhëzimi i Ministrisë së Arsimit ne vitin 2007, sipas së cilës, kjo siguri duhet të realizohet nëpërmjet bashkëpunimit edhe me strukturat e rendit, të shëndetësisë e strukturat e tjera që lidhen me mjetet e transportit, fjetjen, ushqimin etj. Por, në shumtën e rasteve nxënësit kanë thyer rregulloren. /Anila Dushi/