E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Anëtarët e rinj të zgjidhen 6 muaj para mbarimit të mandatit”

22-05-2012 / Gazeta 55

Propozimi i kushtetueses, flet Bashkim Dedja

Me ndryshime në ligjin organik apo kushtetutë, minimalisht 6 muaj para skadimit të mandatit të një anëtari të gjykatës Kushtetuese, duhet të jetë zgjedhur pasardhësi i tij. Ky do të ishte një variant, që do të zgjidhte ngërçin 4 vjeçar me emërimet, sipas kreut të këtij institucioni, Bashkim Dedja.
Me një anëtar më pak dhe me 2 të tjerë, të cilëve prej 2 vitesh u ka skaduar mandati, por vijojnë të qëndrojnë në detyrë, ky variant sipas kryetarit, do të zgjidhë dhe problemin e rotacionit të 1/3 së përbërjes së kushtetueses. “Nuk parashikohet në ligj që procedurat për zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj të fillojnë të paktën 6 muaj përpara se gjyqtarëve, që janë në detyrë, tu mbarojë mandati. Me qëllim që, në momentin që gjyqtarëve u mbaron mandati, gjyqtari që do ta zëvendësojë të jetë zgjedhur dhe të zëvendësojë në ditën që atij i mbaron mandati. Kjo do t’i priste rrugën dhe zgjatjes së tejskajshme në bazë të mbarimit të mandatit qëndrimit në detyrë dhe e dyta do të shkonte dhe me problemin e rrotacionit. Natyrisht, që kjo duhet shoqëruar me ndryshime ligjore në ligjin organik ndoshta dhe në Kushtetutë”, shprehet Dedja.
Që prej nëntorit, ministria e Drejtësisë, nën asistencën e Euralius, ka nisur hartimin e një ligji të ri për gjykatën Kushtetuese. Vetë gjykata, ka dhënë variantet që mund të aplikohen, por pa u bërë pjesë e procesit. Bashkim Dedja, thotë se puna nuk është bllokuar, por pohon se ekzistojnë raste kur për shkak të mungesës së anëtarit të 9-të, vendimmarrja bëhet e pamundur.
“Teorikisht ekziston një moment, kur, mund të bllokohet vendimmarrja e kësaj gjykate në rast se votat ndahen në mënyrë të barabartë, siç mund të jenë 4 me 4, çështja nuk zgjidhet në rendin përfundimtar por refuzohet shqyrtimi i kësaj kërkese dhe në një moment të dytë, qytetari apo ai që bën kërkesën, ka të drejtë ta riparaqesë kur të krijohet një numër tjetër i gjyqtarëve. Që vendimet të quhen të vlefshme duhet që, ta votojnë të paktën 5 gjyqtarë për zgjidhjen e çështjes. Për këtë shkak, nuk ka bllokim të veprimtarisë së gjykatës Kushtetuese, natyrisht që ngarkesa do të jetë më e madhe”, thotë Dedja.
Për plotësimin e vendit bosh në këtë gjykatë, Dedja i  është drejtuar institucioneve përgjegjëse. “Unë i jam drejtuar me një shkresë edhe presidentit të Republikës dhe Kuvendit që të vazhdojnë procedurat për zëvendësimin e gjyqtarëve nëse vendi mbetet vakant. U takon atyre për të bërë zëvendësimin e këtij gjyqtari”, shprehet kreu i gjykatës Kushtetuese.
Pak javë më parë, Petrit Plloçi dha dorëheqjen e parevokueshme nga detyra e anëtarit, ndonëse mandati i tij kishte skaduar që prej 2010-s. Sipas ligjit, ai kishte të drejtë të qëndronte në atë post në pritje të zëvendësimit të tij nga presidenti e Kuvendi. Në të njëjtën pozitë, që prej 2010-ës, ndodhen dhe  Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›