Berisha: Fatkeqësia, një tragjedi për vendin, nderim për solidaritetin e banorëve të Himarës
Kryeministri ndërpret vizitën në SHBA
Kryeministri Sali Berisha u shpreh mbrëmjen e djeshme gjatë një bisede telefonike për Abc News se ka ndërprerë punimet e Samitit të NATO-s në Çikagos, për t’u kthyer në atdhe, pas aksidentit tragjik në segmentin rrugor Himarë-Sarandë. “Samiti i NATO-s vazhdon, por unë momentalisht ndodhem në aeroport, për t’u kthyer në Shqipëri. Isha ndër të parët që e mësova lajmin. Kanë informuar disa burime njëkohësisht nga Tirana. Jam lidhur me të gjitha agjencitë, të gjitha ministritë dhe e kam ndjekur në mënyrë konstante. E kam ndjekur thuajse çdo moment dhe jam përpjekur që të merren të gjitha masat për një ndihmë emergjente, sa më të shpejtë dhe sa më efiçente. Besoj se ka pasur një mobilizim, angazhim shumë serioz, por aksidenti është shumë tragjik dhe unë dua që me këtë rast t’u shpreh të gjithë të plagosurve urimin tim për një shërim sa më të shpejtë. Kam porositur Ministrinë e Shëndetësisë për marrjen e të gjitha masave. Në orët e para të mëngjesit unë do të jem në Tiranë” - u shpreh kryeministri Berisha, gjatë bisedës telefonike për Abc News, nga aeroporti i Çikagos, në pritje për t’u kthyer në Shqipëri.