Ambasadorët e Holandës dhe Suedisë: Reforma zgjedhore, brenda 24 majit
Ambasadorët Henk Van Den Dol dhe Lars Wahlund rikujtojnë detyrimet për klasën politike
Nevoja e përmbylljes së reformës zgjedhore përpara nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, po artikulohet gjithnjë e më fort nga përfaqësuesit ndërkombëtar në vend.
Gjatë ditës së hënë, dy përfaqësuesit e trupit diplomatik të Holandës dhe Suedisë, Henk Van Den Dol dhe Lars Wahlund kanë nënvizuar se sugjerimet që vijnë nga Brukseli zyrtar janë që reforma parlamentare dhe ajo zgjedhore të konkretizohen deri në 24 maj. “Diçka tjetër është se edhe Bashkimi Europian është i interesuar për këtë. Të gjithë e kanë thënë, edhe Fyle, që procesi që lidhet me zgjedhjen e presidentit është shumë i rëndësishëm për mundësitë e Shqipërisë në integrim. Ai ka thënë se hapat e domosdoshëm të reformës zgjedhore dhe parlamentare të mbarojnë para se të nisë zgjedhja e Presidentit”, tha ambasadori holandez në Tiranë, Henk van Den Dool.
Sa i takon zgjedhjes së presidentit, të dy diplomati holandez theksoi zgjedhjen e kreut të shtetit në frymën që kërkon Kushtetuta dhe ai që do të marrë mandatin për 5 vitet e ardhshme, të jetë një figurë që përfaqëson unitetin e vendit.
“Dukshëm, e kam thënë edhe më parë, është e rëndësishme që të bihej dakord që presidenti të zgjidhej në raundin e parë me 140 vota, kjo do të thotë që do kemi një president që do përfaqësojë gjithë popullin shqiptar unitetin e kombit. Kushtetuta preferon një president konsensual, kjo është e dukshme. Uroj që zgjedhjet presidenciale më pas të bashkojnë partitë. Në Shqipëri pozicioni i Presidentit nuk është politik. Presidenti supozohet të jetë simbol bashkimi. Nga i gjithë procesi në parlament duhet ta përfaqësojë këtë unitet”, u shpreh Henk van Den Dool.
Ambasadori suedez, Wahlung: Statusi kandidat varet nga reformat
Ambasadori i Suedisë në vendin tonë, Lars Wahlung apelon që presidenti i vendit të jetë rezultat i konsultimeve mes palëve si dhe proces gjithëpërfshirës. “Procesi i zgjedhjes së presidentit është një proces shumë i rëndësishëm, sigurisht që zgjidhet nga parlamenti dhe jo direkt nga populli dhe mendoj se ju përket anëtareve të parlamentit që të zgjedhin presidentin, duke ju referuar kushtetutës. Nuk dua të përfshihem më shumë në këtë çështje por mendoj se është e drejtë e çdo vendi, gjithashtu edhe këtu, që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, proces i shoqëruar me bisedime ku palët të bien dakord për kandidaturat”, theksoi ai.
Duke iu referuar statusit, ambasadori suedez nënvizoi se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë, por ka ende për tu bërë për plotësimin e 12 rekomandimeve të BE. “Kjo është diçka për të cilën duhet punuar me shumë kujdes dhe sigurisht për të pasur një raport progresiv i cili do të prezantohet në vjeshtën e këtij viti dhe deri atëherë ka mjaftueshëm kohë për të bërë një punë të mirë. Mendoj se ka disa çështje të cilat duhet punuar, si roli i ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e njeriut etj., Nuk dua ta zgjas më shumë, por mendoj se këto janë disa nga kriteret të cilat janë të rëndësishme dhe sigurisht duhen plotësuar”, theksoi Wahlung.
Sa i takon reformës zgjedhore, ambasadori Wahlung e vlerësoi procesin si tërësisht transparent. “Mendoj se për këtë çështje procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent. Mendoj se do të ishte një tregues i mirë për organizimin e procesit”, shtoi më tej ai. Ambasadori suedez, Wahlung i bëri këto deklarata nga qyteti i Gjirokastrës, ku zhvilloi takime me drejtues vendorë.